4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Lajm i mirë për tifozët e Kosovës, Rashica po kthehet në formë

Me një lëvizje mjeshtërore kaloi një mbrojtës. E kaloi edhe mbrojtësin e dytë, duke shfrytëzuar potencialin e madh teknik. Pasoi një gjuajtje e bukur, por i mungoi fati. Topi në vend se në rrjetë, përfundoi në traversë.

Milot Rashica nuk shënoi të premten mbrëma te Werder Bremeni, por shfaqi formë të lartë në shumë momente. Momentet e magjishme të tij janë lajm i mirëseardhur për tifozët e shumtë të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Prej tij pritet “magji” pas një muaji, kur Kosova nis ciklin eliminator për Botërorin 2022. Prej Rashicës gjithnjë pritet shumë te Kosova, ndonëse ai jo gjithnjë edhe ka dhënë shumë në fushën e blertë, me gjithë angazhimin. Por shpërthimet nga krahët, krosimet e goditjet janë gjëra që kanë ngrohur shpesh zemrat e tifozëve të Kosovës.

Kosova më 24 mars luan miqësore ndaj Lituanisë, ndërsa më 28 mars takohet me Suedinë në hapje të eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 31 mars Kosova e luan edhe ndeshjen në udhëtim ndaj Spanjës.

Kur është i gatshëm, Rashica është i paprekshëm në pozitën e sulmuesit të krahut, kryesisht të atij të djathtë.

Edicioni aktual nuk është më i miri prej tij, por të premten dha shenja se po kthehet në nivelin e kërkuar.

Ai udhëhoqi sulmin e Werder Bremenit që arriti fitore të madhe, 2:1, ndaj Eintracht Frankfurtit, në hapje të xhiros së 23-të të Bundesligës. 24-vjeçari qëlloi shtyllën në pjesën e parë, ndërsa ishte i rrezikshëm edhe nga një goditje dënimi. Në pjesën e dytë asistoi për golin e barazimit, me pasim mjeshtëror. Më pas fitoi top dhe nisi aksionin që përfundoi me shënim, por goli nuk u pranua për pozitë jashtë loje. Dhe po ashtu provoi me goditje nga distanca duke i nxjerrë shumë punë portierit të Frankfurtit.

Rashica ka pasur dy lëndime këtë edicion. Fillimisht mungoi në tri ndeshjet e para, pasi u lëndua duke luajtur për Kosovën. Më pas në fillim të dhjetorit pësoi lëndim tjetër dhe mungoi deri në mes të janarit. U kthye gradualisht dhe tashmë Werderi po përfiton prej formës së tij. Shpresohet që të përfitojë edhe Kosova.

Në 12 paraqitje në Bundesligë këtë edicion Rashica i ka tri asistime. Nuk ka shënuar ende, por shpresohet se këtë do ta bëjë para se të vijë në grumbullim te Kosova, më 22 mars. Deri atëherë do t’i ketë edhe disa ndeshje me Werderin, që po ka rezultate dukshëm më të mira se edicionin e kaluar.

Në kohën kur shumë lojtarë reprezentues po kanë telashe me hapësirë dhe me formë, shpërthimi i Rashicës në ndeshjen e Bundesligës është lajm i duhur për Kosovën dhe tifozët e saj.

Më Shumë

Lajmet e Fundit