16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Leonid Palushaj, fitues i “Gara e Artit Global”

Gara e Artit GlobalLeonid Palushaj është shpërblyer me çmimin e parë në edicionin e tretë të “Gara e Artit Global”. Ndërkohë, me çmimin e dytë është shpërblyer Genc Rezniqi, kurse me vendin e tretë është shpërblyer Marjana Goxhabelliu

Me dhjetëra piktura janë vendosur në muret e katit të parë të Muzeut të Kosovës, të hënën në mbrëmje, me qëllim për ta shënuar para artdashësve në vend, në edicionin e tretë të “Gara e Artit Global”. Në këtë ngjarje artistike garuese janë pjesëmarrës 64 artistë nga më se 17 vende të botës, e që kanë garuar në kuadër të kësaj ekspozite me nga një vepër artistike sipas kuptimit kreativ për temën “Liria”. Piktorë nga Italia, Argjentina, Uraguaji, Shqipëria, Kroacia e nga disa vende të ndryshme të botës kanë paraqitur punime të tyre artistike në këtë ekspozitë.

Juria vlerësuese e ekspozitës së “Gara e Artit Global”, kanë shpallur fitues të çmimit kryesor, piktorin Leonid Palushaj në çmimin “Blerës i Qytetit të Ferizajt”. Mirëpo, Palushaj për arsye të një udhëtimi jashtë vendi nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni për ta marrë këtë çmim. Më tutje, kjo juri që ishte e përbërë nga Kamuran Goranci, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Faik Krasniqi nga Fakulteti i Arteve, Enver Bylykbashi – Galeria e Arteve të Kosovës, Refki Gollopeni, përfaqësues nga Komuna e Suharekës dhe Lebibe Topalli përfaqësuese nga Komuna e Ferizajt, ka ndarë edhe çmimin e dytë “Kosova Art”, dhe i ka takuar piktorit Genc Rezniqi, ndërkohë, çmimi tjetër “Integrimi” i është ndarë piktores nga Shqipëria, Marjana Goxhabelliu.

Nga ana tjetër, me tri shpërblime speciale të “Gara e Artit Global”, kanë shkuar për piktorët, Constanza Perretta nga Argjentina, Maia Stefana Oprea nga Rumania dhe Idriz Berisha nga Kosova.

Organizatori i kësaj ekspozite, piktori Muhamet Ahmeti i njohur me nofkën Metis, ka deklaruar para të pranishmëve se ky edicion i “Gara e Artit Global” si nga pjesëmarrja dhe cilësia, shënon një nivel më të avancuar çka e bën të veçohet nga dy edicione tjera.

“Në këtë edicion të tretë të kësaj ekspozite ka prurje të reja dhe art ku në të artistët me përpikëri iu kanë përmbajtur temës që e kanë propozuar organizatorët. Me këto punime është synuar që ta zgjojnë kërshërinë e audiencës në këtë eveniment”, ka thënë organizatori Ahmeti, i cili mes tjerash ka shtuar se kjo sfidë garuese mobilizon artistë të zhanreve të ndryshme që të krijojnë vepra pamore në kërkim të bartjes së mesazhit më kuptimplotë për lirinë dhe vlerat që posedon ajo.

“Liria si vlerë universale në këto vepra pamore paraqitet me shumë dashuri dhe kreativitet. Simbolika e ndërtimit kompozicional e klorostik në këto tablo është domethënëse dhe pasqyron ndjenjën e lirisë tek secili realizim sipas kulturës së vendit prej nga vjen artisti. Tek disa vepra “Liria”, paraqitet më e lirë dhe më ndriçuese si lëvizje e lirë dhe pa asnjë barrierë ngarkuese”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, piktorja shqiptare Marjana Goxhabelliu, ka deklaruar për “KultPlus” se me pikturën e saj që e bëri fituese në çmimin “Integrimi” ka nisur fiks me mesazhin që ka dashur ta paraqes para publikut.

“Këtë pikturë e kam punuar në qytetin e Suharekës. Ideja e pikturës me të cilën edhe fitova një çmim më erdhi papritur mbas emocionit dhe atmosferës që m’u krijua për atë vend. Nuk më pëlqen kur i lexoj veprat e mija, më shumë kam dëshirë që të tjerët t’i lexojnë këto punime”, ka thënë Goxhabelliu.
Piktoroi, Genc Rezniqi ka theksuar se në grafikën e tij digjitale ka paraqitur një djalë të ri që mundohet t’i kaloj barrierat sfiduese të jetës. Ky punim atij i morri kohë tre ditë për ta realizuar në një mënyrë interesante.

“Unë këtu kam paraqitur një djalë të ri i cili arratiset drejt lirisë. I tërë koncepti i kësaj pikture ka qenë e bazuar në idenë e organizatorit, Muhamet Ahmeti. Punimet i punoj zakonisht në tri faza të caktuara, ndërsa, dy pjesë të këtij punimi i kam realizuar në Kosovë, pastaj një pjesë tjetër me foli të nxehta e pata realizuar në qytetin e Triestes në Itali, kur isha në një udhëtim si turist dhe një teknikë e tillë deri më tani nuk realizohen në vend”, ka thënë Rezniqi.

Për të pranishmit, organizatori Ahmeti kishte përgatitur disa fletushka ku në të paraqiteshin veprat artistike të kësaj ekspozite duke përfshirë edhe autorët e njohur në botë.

“Bota është e lirë dhe ne lirshëm lëvizim mbi të. Pse mos t ndjehemi edhe më të lirë…”, ishin këto disa fjalë të shkëputura nga fjala hyrëse në këtë fletushkë të organizatorit të “Gara e Artit Global”, të Muhamet Ahmetit-Metis.

Më Shumë

Lajmet e Fundit