31.6 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Lidhja Demokratike e Kosovës si paraprijëse e fatkeqësisë

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e dytë)

Që nga zgjedhjet e para lokale në vitin 2000 deri në vitin 2007, LDK ishte partia më e madhe dhe që i vuri bazat e qeverisjes lokale në Rahovec. Periudha e Qeverisë së Përkohshme Lokale, që mbikëqyrej rreptë nga administratorët e UNMIK-ut, mund të thuhet se nuk pati ndonjë ndikim në formësimin e asaj që do të pasonte. Ndonëse qe krijuar një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe respektit reciprok partiak e individual por, kjo bazë u rrënua sapo LDK i fitoi zgjedhjet me një diferencë të theksuar votash. Nga 31 këshilltarë komunal që ka Kuvendi i Komunës, 19 i përkisnin LDK-së. Pra, një fuqi e tillë politike kërkonte njohuri dhe vëmendje të madhe për t’u administruar. Përkundër kësaj mundësie të artë, krerët lokal të LDK-së nuk arritën ta materializonin fuqinë dhe besimin, duke u përfshirë shumë shpejt në debate dhe luftë të brendshme për dominim e përfitime. Kjo amortizoi energjitë pozitive që mund të ketë pasur brenda vetes ky subjekt dhe pamundësoi ndërtimin e një administrate funksionale. Qeveria komunale u ndërtua mbi bazën e meritave politike dhe jo aftësive profesionale e menaxheriale.

E drejtuar nga ekonomisti pragmatik Ibrahim Kryeziu dhe me kryetar të Kuvendit veteranin e politikës lokale Esad Haxhijaha, pati në përbërje njerëz me përgatitje të dyshimte profesionale dhe me dyshim të bazuar për falsifikim e abuzim me pushtetin e paranë publike. Raportet e shumta në medie për keqpërdorim të pushtetit dhe parasë, u shoqëruan edhe me raporte të Auditorit Gjeneral, ku qeverisja lokale akuzohej për mosrespektim të normave juridike dhe keqpërdorim të pushtetit. Pikërisht në këtë periudhë mori hov shkatërrimi dhe tjetërsimi i hapësirave publike, ndërtimet në tokat e punueshme, shkatërrimi i shtratit të Drinit të Bardhë dhe u vunë bazat e keqqeverisjes e korrupsionit. Disa qindra hektar u shkatërruan nga shfrytëzimi pa kontroll i zhavorrit në shtratin e lumit, gjë që nxiti edhe konflikte ndërmjet grupeve të interesit, duke shkaktuar edhe viktima në njerëz e hasmëri të mëdha. Reagimi i pushtetit lokal në atë kohë ishte i dobët, ndërsa shkatërrimet vazhduan për disa vite e po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Elita drejtuese e LDK-së nuk mori aspak në konsideratë interesin jetik të banorëve të kësaj komune, por u fokusua në konsolidimin e brendshëm politik, shpërblimin e fanatikëve të partisë, gjë që nxiti ambiciet karrieriste të individëve e të grupeve brenda vetë LDK-së.

LDK-në e rrëzoi përmasa e vetë dhe karrieristët ambicioz

Qeverisja e kësaj partie në Rahovec (2000-2007) i vuri bazat e sistemit partiak në administratë, arsim e shëndetësi, nepotizmit, lakmisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë institucionale. Ndonëse Shërbimi Policor i Kosovës, në atë kohë i kontrolluar nga Policia e KB (UN) pati nisur hetimet për keqpërdorime, abuzim dhe vjedhje të pasurisë publike, këto dosje asnjëherë nuk përfunduan në ndonjë gjykatë dhe kështu iu la dorë e lirë abuzimit sistematik të pushtetit nga liderët pasues.

Konflikti i brendshëm politik kulmoi me ndryshimin e elitës drejtuese të LDK-së, me ç’rast kryetari emblematik Ibrahim Kryeziu u hoq nga kreu, ndonëse gjatë dhe pas luftës arriti ta ruajë në masë të madhe strukturën politike të degës së partisë në kushte e rrethana të një persioni të madh politik, kërcënimeve të fshehura e të hapura të anëtarëve të LDK-së nga eksponentë të politikës së re në komunë. Kryesia e re (e vjetër) e drejtuar nga Nahit Elshani nuk qe në gjendje të përballet me sfidat e kohës dhe pushtetin ia mori Partia Demokratike e Kosovës. Qe kjo një goditje e rëndë për LDK-në, pas së cilës nuk po arrin të këndellet edhe sot e kësaj dite. Me rënien e Kryeziu, dega e humbi ekuilibrin dhe Elshani u dëshmua i pa aftë për të ndërtuar një opozitë sfiduese e konkurrente. Rënia e lirë e LDK-së vazhdoi për disa vite, ndërsa kjo parti humbi fuqinë duke rënë në vendin e tretë në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013. E ballafaquar me humbje të vazhdueshme të besimit në opinion, LDK u përpoq që përmes katapultimit të Avdullah Hotit, nga nënkryetar i Komunës së Prishtinës në kryetar të degës së partisë në Rahovec, të ringrihet. Duket se e kaluara jo fort e lavdishme në qeverisjen e kaluar komunale, konfliktet e brendshme dhe përballja me rival të fortë politik (PDK dhe AAK), po vazhdojnë të kenë ndikim në dobësimin e kësaj partie. Ndonëse mbetet në qeverisjen lokale në partneritet me partinë fituese PDK-në, LDK më shumë i ngjan një organizmi gati të vdekur ku luftojnë për mbijetesë individë të caktuar, të cilët pak brengosen për qytetarin e Rahovecit. Aktualisht në hierarkinë qeverisëse janë kacavjerrë disa figura seniore të partisë, ndërsa ndërtimi i një elite të re, me mendësi moderne, tingëllon vetëm si slogan fushate.

Kryetari aktual i degës, Avdullah Hoti konsiderohet “i dërguari special” i kryetarit të LDK-së ish komunistit Isa Mustafa, i cili ka marrë “detyrën” që të eliminojë rivalët e brendshëm dhe çdo pikëpamje që bie ndesh me qeverisjen qendrore të partisë?

Se a do të sjellë rezultate kjo formë e drejtimit të partisë mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme lokale (2017) apo të zgjedhjeve të parakohshme qendrore eventuale. Mirëpo, dëmet që po i shkaktohen ekonomisë vendore janë sistematike, sepse dega e LDK-së konsiderohet parti pa vizion dhe influenca e saj sa vjen e bie në opinion.

Partia Demokratike e Kosovës parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara (pjesa e tretë vijon nesër)

Më Shumë

Ariu me këlyshë shfaqet pranë shtëpive në Mushtisht

Banorët e fshatit Mushtisht të Suharekës janë shqetësuar sërish pas paraqitjes së një ariu me dy këlyshë në afërsi të shtëpive të tyre. Në një...

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren mban sot konferencë për “aksionin kundër degradimit të mjedisit”

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se kryeprokurori Petrit Kryeziu do të mbajë konferencë për media sot në ora 14:30 në lidhje me “aksionin...

Lajmet e Fundit