12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Ligjet nuk po e ndalin degradimin e Qendrës Historike

OpinionValon Xhabali

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2013 i publikuar nga Komisioni Evropian kishte konfirmuar shqetësimet e shoqërisë civile në Prizren dhe Kosovë për degradimin e trashëgimisë kulturore. Raporti në mënyrë eksplicite konstaton se “interesat biznesore shpesh herë mbizotërojnë kundruall interesave të trashëgimisë kulturore”, duke aluduar në ndërtimet pa leje. Njëherësh, Komisioni Evropian, në pjesën e raportit që flet për të drejtat kulturore ka bërë thirrje për “veprime të fuqishme për të ndaluar aktivitetet ilegale dhe degraduese si dhe korrigjimin e atyre ndërtimeve që kanë tejkalime”.

Organizata EC Ma Ndryshe vitet e fundit rregullisht është duke e artikuluar nevojën për veprim institucional për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit. Në kuadër të iniciativës së fundit “Urbanism Watch”, gjatë vitit 2013, autoritetet lokale dhe qendrore janë alarmuarnë mënyrë konstante rreth rasteve konkrete të degradimit urban. Deri tani, autoritetet shtetërore janë treguar mjaft të ngathëta në ndërmarrjen e veprimeve parandaluese, prandaj edhe po e ndiejm nevojën që t’i ripërsërisim këto shqetësime.

Në muajin shtator, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal 2013-2015, që paraqet një dokument statutor, që udhëheq zhvillimin e komunës përgjatë dekadës në vijim. Autoritetet komunale duhet të kenë parasysh që edhe Plani Zhvillimor Urban i Prizrenit, 2003-2013, kishte nënvizuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore dhe historike të Prizrenit për zhvillimin e turizmit, ndërkohë që në realitet komuna nuk ka ndërmarrë masa adekuate për ruajtjen e saj, por me veprimet e veta i ka kontribuar degradimit të mëtejmë.

I njëjti fat e ka përcjell edhe Planin e Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike, dokument i miratuar në vitin 2008 nga komuna, por që vazhdon të shkelet dhe injorohet sistematikisht. Edhe pse janë evidentuar shumë lëshime e vonesa, komuna e Prizrenit e ka një rast dhe një mundësi të fundit që përfundimisht të shfrytëzoj Planin Zhvillimor Komunal si pikënisje për të iniciuar veprime konkrete për ndalimin e degradimit urbanistik, që tashmë ka marrë përmasa shqetësuese brenda qytetit.

Gjatë këtij viti, janë identifikuar edhe shumë veprime degraduese në Qendrën Historike të Prizrenit. Ndër to, rasti i renovimit të oazës dhe trotuarit në mes të urës së Arastës dhe urës së Gurit, ka treguar se punimet ndërtimore në projektin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të komunës së Prizrenit kanë nisur pa respektimin e procedurave ligjore respektivisht marrjen e pëlqimit nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore. Qasja e këtillë e Komunës ndaj Qendrës Historike të Prizrenit respektivisht mos përfillja e organeve konsultuese të nivelit lokal dhe qendror është e papranueshme dhe e dëmshme për ruajtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe të vlerave urbane të qendrës së Prizrenit.

Një çështje tjetër shqetësuese e vitit 2012 ishte edhe dhënia e lejeve të ndërtimit nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, meqë kjo temë ishte prekur edhe në Raportin e fundit të Auditorit për Komunën e Prizrenit. Auditorët kanë testuar tetë mostra në vlerën 274,582 € dhe kanë identifikuar si mangësi, mos sigurimin e një bazë të plotë të të dhënave për numrin e kërkesave për leje, lejet e lëshuara, dhe refuzimet për vitin 2012; dhe në tri raste kanë konstatuar se komuna kishte lëshuar vendim për ndërtimin e dy kateve, ndërsa inspektorët në terren kanë vërejtur tejkalime në ndërtimin e objekteve dhe janë ndërtuar më shumë kate se sa është përcaktuar me leje ndërtimi. Kjo është tjetër dëshmi se qeveria lokale nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për të vendosur rend urbanistik në Prizren dhe sipas përfundimeve të Auditorit një gjendje e tillë po ndikon negativisht në urbanizimin e qytetit dhe në buxhetin komunal.

Kohëve të fundit, është konstatuar edhe një intervenim ilegal në Qendrën Historike të qytetit, nga vetë autoritetet komunale. Ndriçimi i Urës së Gurit dhe riparimi dhe ndriçimi i Urës së Arastës janë bërë pa lejen e DUPH-së dhe pa pëlqimin e IMMH-së, që paraqet shkelje të rëndë të dispozitave ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Kjo dhe shumë raste të tjera na bëjnë të ditur se ligjet, rregulloret, planet e dokumentet tjera nuk po arrijnë të parandalojnë degradimin e trashëgimisë kulturore në Prizren. Për më tepër, në shumë raste të degradimit urbanistik në Prizren, janë vetë autoritetet shtetërore ato të cilat e shkelin ligjin dhe nuk e respektojnë procedurën.

Ne na mbetet të shpresojnë në organizimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shoqërisë civile dhe qytetarisë në Prizren, si mundësi e vetme për ta ruajtur qytetin, trashëgiminë dhe strukturën urbane.

 

Më Shumë

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Sara Gjordeni shtatzënë- Reagon për herë të parë Bardhi

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në rrjetet sociale. Ishte ish-banorja e...

Lajmet e Fundit