15.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Liljana Hoxha: Ja lista e fotove që Nexhmije Hoxha bllokoi në komunizëm

80733Jam e sigurt që ndërgjegjja kombëtare pulson sa vjen edhe më shëndetshëm prej antivirusit serbo-sllav, domethënë prej vetëdijes. Jam e sigurt që do të kuptohem nga çdo “ish-shqiptar kafazi”, i cili duhet të ketë edhe ndjeshmërinë që jeta ime është ende e mbyllur në sirtarin e Nexhmije Hoxhës, që njeh vetëm perversitete. Kështu kërcënoi vetë ajo publikisht nëpërmjet telefonatës mediatike të “Tanët”-ve. Ishte i vetmi sinjal publik që i shpëtoi strategjisë së saj prej shenjtoreje ndaj akuzave tona. Dosja ime duhet zbardhur. Dosja ime nuk është personale, por është e të gjithë shqiptarëve që janë rrezikuar nga “sirtari” apo policia sekrete e Nexhmijes. Ajo nuk ka blofuar për sa i përket dosjes, por nuk ka kuptuar që pikërisht kërcënimi me dosjen e bën atë automatikisht fajtore për gjithçka që ne e akuzojmë. Zbardhja e dosjes është domosdoshmëri për t’u përballur në emër të të gjithë shqiptarëve. Në kanë qëllimin ta zbardhin nesër, kur zëri im ose i tyre të jetë shuar, do të jetë vetëm mbrojtje furacake e inskenim, botuar gjoja vonë “për etikë”. Për ata që besojnë gjoja për këtë arsye tek moda e botimit pas vdekjes, në këtë rast nuk iu vlen.

Ndonëse libri është i mbyllur, nuk mund të anashkaloja për një moment tjetër përjetësimin e homazhit tim për Vaçe Zelën, për vogëlushen që ka lindur duke kënduar me gjenialitet, kështu ka bërë natyrshëm bashkimin kombëtar nëpërmjet këngës. Në këto ditë zie për të, nuk duhet qarë, por duhen kënduar këngët e saj. Lotët rrjedhin vetë, nga mallëngjimi për të dhe për atdheun të cilit i këndoi. Gjembi i shqiptarëve, Fatos Lubonja, hedh poshtë dhe Vaçe Zelën, se i ka kënduar atdheut të Enver Hoxhës. Më vjen ndot t’i kujtoj këtij “eruditi” që, atdheu mbetet atdhe në çdo regjim. Them “më vjen ndot”, se i tillë ka qenë që student, megjithëse nuk kam folur konkretisht për të. Ndërsa përsëris që ka hyrë në burg vetëm kundër E.Hoxhës, por për pushtetin e R.Alisë, N.Hoxhës e të tij. Lubonja është simboli i “Tanët”-ve të Nexhmijes, ndonëse në librin tim s’e kam përmendur fare. Si mendon ky gjemb: Është heroizëm të futesh në burg pa mbrojtur atdheun, por për pushtet vetjak, apo t’i këndosh me shpirt atdheut tënd aq sa të lumturosh e të ngresh në këmbë shqiptarët, edhe pse janë të varfër? Pse nuk iu thotë gjembi shqiptarëve, që, po të ishte e lirë Vaçja si sot në rininë e saj, do të kish dominuar mbi gjithë këngëtarët e famshëm në botë dhe në të gjitha llojet e muzikës, që vjen prej talentit autentik. E tillë ishte Vaçja! Sigurisht që E.Hoxha e adhuronte Vaçe Zelën, edhe ajo natyrshëm e adhuronte atë. E.Hoxha adhuronte dhe Tefta Tashkon, të cilën e adhuronte dhe Zogu. E.Hoxha adhuronte edhe Mentor Xhemalin etj. Arti iu përket të gjithëve. Këtë duhet ta dinit, z.Gjemb, ish-anëtar i Komitetit të të Drejtave të Njeriut. Natyrshëm që dhe Nexhmija do t’i bëjë homazhe Vaçe Zelës. Por asgjë nuk mund ta politizojë Vaçen. Ajo qëndron mbi politikat e konjukturat. Ajo është tharmi i gurrës popullore e muzikës së lehtë shqiptare, pra geni shqiptar i kulturës së muzikës. Ndaj shqiptarët nuk durojnë më mllefe, siç nuk durojnë hipokrizi e intriga.

Pas vdekjes së E.Hoxhës, Nexhmija na jep të tria nënfamiljeve të saja, kopjet e korrespondencave personale, se origjinalet do ruheshin në Arkivin e KQ të PPSH-së. Nuk i isha afruar këtij dokumentacioni, nga vuajtja prej emocioneve e presioneve të përditshme. Pasi përfundova këtë libër, e gjeta këtë fuqi, për të ngritur në kokë skenarin e librit tjetër. Duhet thënë që, ngacmimet në formë terrori nuk kanë ndalur asnjë ditë. Ishte data 10 shkurt kur hapa dokumentet me emocion të vjetër. Mirëpo, sa hapa dokumentet, u përballa me një tmerr të ri. Nexhmija është jashtëzakonisht metikuloze. Vë etiketa zarf brenda zarfit, sa i ashtuquajturi dokument është i papërfillshëm kundrejt kujdesit të saj për arkivimin e tij; përveçse duke qenë korrespondenca jonë, nuk duhej të prisja ndonjë befasi. Por ishte një zarf-enigmë i ambalazhuar fort dhe, çuditërisht, pa asnjë etiketë. Filloi të më rrahë zemra fort për t’u njohur me ndonjë dokument top-sekret që duhet t’i ketë shpëtuar Nexhmijes dhe rënë pikërisht në duart tona. Hap zarfin dhe përfytyroni që aty gjeta foto tonat me Enverin dhe me të, por për arsye që vetëm ajo i di, ato ishin ambalazhuar si të ishin top-sekret. Përveç kësaj, ishte zhdukur korrespondenca ime e drejtpërdrejtë me E.Hoxhën kur isha në Paris e sëmurë, në 1979-ën. Ka mbetur vetëm komunikimi i Enverit me mua nëpërmjet gjuhës së fëmijëve, kur i shkruaja në emër të Valbonës dhe Shpatit, apo kur më shkruante vetë Enveri, gjoja me gojën e Valbonës dhe Shpatit të vogël. Mungon gjithashtu korrespondenca e drejtpërdrejtë me N.Hoxhën, së cilës i kam dërguar dy letra, për çka do flasim herë tjetër. Më vjen keq për çfarë është zhdukur, por më revolton dhe më çliron njëherazi përmbajtja e zarfit me fotografi, siç thashë, sekreti i saj që gabimisht ra në duart tona. Tematika e fotografive flet vetë për programin që ka pasur në kokë N.Hoxha, së paku në ’77-ën, kur lindi Shpati. Të gjitha këto foto janë tonat, por nuk i dinim sa kohë Nexhmija i kishte bllokuar. Për fat të mirë jo përjetësisht!

Tematika e tyre është:
– Dy foto jashtëzakonisht të bukura të Enverit dhe Nexhmijes në Drilon. Cila është arësyeja që e ka fshehur ? Ose nuk do të ekspozojë E. Hoxhën me xhaketën që i kisha dhuruar unë ose pse ai nuk i përgjigjet buzëqeshjes së saj përpara kamerës. Duhet të jetë kjo e dyta pasi media e ka nxjerë Enverin vetëm me atë xhaketë.
– Foto e E. Hoxhës në gjendje të mrekullueshme, që puth Valbonën e Sokolin, në 8 Mars ’85.
– Foto e kësaj dite, shumë i qeshur, me Valbonën në 10-vjetorin e saj, 8 Mars ’85. Pamje të cilat të habisin, që, ky njeri pas një muaji vdes.
– Foto shumë të bukura me mua, portretet, në këmbë dhe duke shëtitur bashkë. Dicitura e tyre ka qenë: ‘Sokol, derdh gjithë artin tënd, për të më bërë fotografi me Lilianën me këtë fustan të bukur’. Kuptohet neglizhenca jonë prej lirisë vetjake për të mos u kujtuar kurrë për këto foto. Përveç një kopjeje, më të keqen që na dhanë, e cila e pa dritën e shtypit, por ia mbyllën shumë shpejt atë.
– Foto e Enverit dhe Nexhmijes kur kthehen nga zgjedhjet, rreth viteve ’80. Enveri mban në një dorë Valbonën gati 5 vjeçe dhe Shpatin 2 vjeç. Mbrapa vjen Sokoli.
– Foto e Sokolit me R.Alinë në Helmës, para vdekjes së E.Hoxhës.
– Ramiz Alia në mes të rreth 20 gazetarëve, ku ndodhem dhe unë. Frashër, rreth vitit ’84.
Përse mungojnë këto foto, tematika e së cilave i shërben zhdukjes apo zvogëlimit të popullaritetit tonë në raport me çiftin Ilir Hoxha? Në atë kohë kam pyetur Virgjil Kulen, drejtor i RTSH-së, se pse ndodhte ky fenomen në çdo aktivitet ku merrja pjesë dhe kamera ndalonte në mënyrë drastike deri tek personi që kisha në krah, duke më evituar me insistim. Virgjili u përgjigj: E ke gabim, është rastësi.
Duke u kthyer tek Vaçja, i gëzohem imazhit të përfaqësimit të popullit shqiptar, që ajo e ka përhapur në gjithë botën nëpërmjet këngës. Sigurisht që ka pasur, thënë pa frikë, luftëra të brendshme me të cilat duhej përballur, siç ka ndodhur sidomos me shqiptarët që, rastësisht apo prej fatit, u ndodhën pranë historisë. Nuk e di si e kanë bërë detyrën ata. Nuk e di si e kam bërë detyrën unë. Por çdokush e di që Vaçe Zela na ka ngritur lart si popull.
Ndaj, në kujtim të saj, do kënduar edhe më shumë, pa fund dhe jo zyrtarisht, por nga shpirti i popullit. Nuk i takon madhështisë së Vaçes “të qahet” institucionalisht nga kryeministri i radhës, jo më nga më ekzemplari maniakal i fasadës. Kur këndoj në shtëpi, gjithmonë më kanë rrjedhur lotët. Jo për regjimin e humbur, por për zërin e papërsëritshëm të saj që të prek edhe nervin më dembel. Më ka ndodhur të qaj për këtë arsye para kameras në një studio televizive. Më kërkuan të zgjedh një këngë sipas performancës së emisionit. Zgjodha Vaçen dhe, ndonëse nuk e këndonte ajo, në kujtim të saj, si përfaqësim i Shqipërisë, më rrëshqitën lot tek dëgjoja:
Po ku ka si ti o Shqipëria ime,
o fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

Më Shumë

100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill,...

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

Lajmet e Fundit