7.8 C
Prizren
E premte, 2 Dhjetor, 2022

“Ma ke një gjak borxh”, Aplei konfirmon aktakuzën ndaj Haxhi Shalës

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Haxhi Shalës, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate.

Ai akuzohet se kanosi me fjalët “ma ke borxh një gjak”, Ahmet Morinën, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Xhevdet Smakiqi, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 14 tetorit 2021, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shala, me arsyetimin se aktakuza është e bazuar dhe e mbështetur në prova të pranueshme dhe asnjëra nga provat nuk është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Smakiqi, për shkak të shkeljes esenciale dispozitave të procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovojë si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta ndryshojë, në mënyrë që ta hedhë aktakuzën e ushtruar ndaj Shalës.

Tutje, prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Ndërsa, Apeli pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës në këtë çështje penale ka gjetur se ankesa e avokatit Smakiqi nuk është e bazuar.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e më sipërme ankimore të mbrojtësit të të pandehurit në këtë drejtim nuk janë të bazuara, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë me të cilën është refuzuar kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës e ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit, është i bazuar, është i drejtë dhe i ligjshëm, i njëjti nuk përmban shkelje për të cila pretendohet në ankesë”, thuhet në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Në vazhdimin e arsyetimit të Gjykatës së Apelit thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se në rastin konkret, aktakuza si e tillë është e përpiluar në pajtim me nenin 241, paragraf 1, të Kodit të Procedurës Penale dhe e njëjta nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale.

Ndryshe, ish-deputeti Shala ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 1 shtator 2021.

Aktakuza e ngritur më 2 korrik 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ngarkon Haxhi Shalën se në gusht të 2020-s në Kuvendin Komunal në Malishevë, seriozisht kanos personin zyrtar, drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, pasi që i dëmtuari Morina merr vendim për anulimin e pëlqimit me të cilin i kishte lejuar kompanisë “Ylli Mineral”, për rregullimin e dokumentacionit me qëllim të shfrytëzimit të gurores në zonën kadastrale Gajrak,

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Shala fillimisht e kërcënon përmes telefonit dhe më pas i shkon i revoltuar në zyrë të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “më ke dëmtuar një milion euro që i kam investuar, ke me ma pa sherrin, nëse nuk e tërheq vendimin, deri të premten, ma ke borxh një gjak”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pikërisht të premten i dëmtuari informohet se tre persona kanë qenë në komunë dhe kanë pyetur për të dhe i frikësuar nga fjalët e të akuzuarit dhe interesimi i atyre personave, i dëmtuari shkon në polici dhe në atë moment i akuzuari e telefonon të dëmtuarin duke e pyetur se a e ka tërhequr vendimin dhe me këto veprime tek i dëmtuari shkakton shqetësim dhe frikë.

Për këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit