12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

PDK-ja mbetet e vetme në kërkesën për një tërheqje tjetër nga Trusti

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se do të jetë e vetme karshi propozimit që ua mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti Pensional deri në 30 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe partia në opozitë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po e konsiderojnë si të panevojshëm një hap të tillë. Nga LDK-ja thonë se ekonomia po funksionon shumë mirë, ndërsa VV-ja e sheh si propagandë të PDK-së këtë propozim.


Teksa ka folur për një propozim të tillë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka theksuar se me kërkesë të qytetarëve ka kërkuar që të riprocedohet në Kuvend tërheqja nga trusti pensional dhe atë deri në 30 për qind.

“Në kohën kur është diskutuar ligji për rimëkëmbjen ekonomike në vitin 2020 kam bërë një amendament ku kam kërkuar që të kategorizohet tërheqja nga trusti pensional dhe atë deri në 30 për qind. Kjo rezulton që qytetarët që kanë të ardhura më të vogla të mbështeten më shumë sepse ka pasur kërkesa të qytetarëve të riprocedohet një kërkesë e tillë dhe po besoj që për shkak të krizës ekonomike edhe rritja e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit ditor do të duhet të ketë mbështetje për qytetarët”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka kërkuar po ashtu edhe uljen e TVSH-së, në mënyrë që të ndihmohen qytetarët në zvogëlimin e çmimeve.

“Bazuar në kërkesën e qytetarëve ka dy mënyra njëra që të bëhet me iniciativë ligjore me 6 nënshkrime të deputetëve dhe e dyta është që po këta qytetarë kanë kërkuar që të bëhet përmes mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve. Njërën ose tjetrën do ta procedojmë në kuvend në mënyrë që qytetarët të tërheqin mjetet e tyre nga trusti. Sa më shumë mjete në qarkullim do të ketë rritje ekonomike dhe do ndihmoheshin qytetarët. Kam pranuar me dhjetëra mesazhe që kanë kërkuar qytetarët të mbështeten. Ulja e TVSh do të kishte ndihmuar në zvogëlimin e çmimeve”, ka thënë Haxhiu.

 

Si arsye kryesore e tij për këto propozime janë rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, teksa thotë se ato janë më shtrenjtë se në Gjermani.

Mirëpo me këto propozime nuk po pajtohet partia më e madhe në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe as partia në opozitë, LDK-ja. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në një intervistë për Ekonomia Online po e konsideron propozimin e PDK-së të varfër intelektualisht. Muja ka thënë se qëndrimi i VV-së edhe në të kaluarën, edhe tash është i njëjtë, që kjo praktikë nuk duhet të lejohet.

“Nëse ka ardhur ky propozim nga PDK-ja unë mendoj që është një propozim i varfër intelektualisht. Demonstron mos njohuri konceptuale siç e karakterizon PDK-në qe një kohë të gjatë. E vërteta është që qytetarët e Kosovës kanë vështirësi në këtë kohë. Mirëpo Qeveria duhet të përdorë mekanizma të tjerë të politikës fiskale jo të ngritën pritje në formë të propagandës që i mundëson ose të krijojë përshtypje sikurse ajo lejohet. Trusti pensional është i dizajnuar në atë mënyrë që të kursejnë qytetarët që të përballojnë konsumin pas moshës 65 vjeçare. Nëse i shikoni të gjitha raportet ndërkombëtare kjo është bërë një herë por që nuk duhet të lejohet në të ardhmen dhe e kuptoj që çfarëdo që kanë nevojë qytetarët është mirë që qeveria ti adresojë ato përmes transfereve sociale jo domosdoshmërish duke abuzuar me trustin pensional”, ka thënë Muja.

Teksa ka folur për kritikat që janë shpeshtuar në opinion, Muja ka thënë se këto janë propaganda të PDK-së, me ç’rast i ftoi edhe të tjerët të mos bëhen pjesë e saj ndaj Qeverisë Kurti.

Ndonëse e kishte miratuar një vendim të tillë në kohën sa udhëhiqte me shtetit sa ishte kryeministër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se një praktikë e tillë nuk duhet të vijë në Kuvend.

Sipas tij, bizneset janë duke funksionuar mirë dhe punësimi është normalizuar.

“Unë besoj që duhet t’i gëzohemi faktit që po shkojmë drejt mbylljes së pandemisë. Në vitin 2020 në qeverinë tonë kur kemi propozuar vendimin për tërheqje 10 për qind të trustit pensional e kemi bërë mbi arsyetimin se ka pasur një shok të pa precedent në ekonomi dhe shoqëri. Mijëra persona humbën vendet e punës, bizneset pësuan. Ne tash duhet të gëzohemi që po e përmbyllim pandeminë dhe ato pakot e mbështetjes ekonomike të promovuara në Qeverinë tonë kanë dhënë rezultate sepse kanë kthyer menjëherë në janar ekonominë në trend pozitiv dhe nuk jemi në situatë që të ndërmarrim veprime të tilla. Nuk besoj që është nevojshme të vijë në kuvend sepse bizneset janë duke funksionuar, punësimi është normalizuar dhe nuk ka arsye të marrim hapa radikal”, ka thënë Hoti.

 

Në fund të vitit 2020, Qeveria e Kosovës, me në krye atë kohë kryeministrin Avdullah Hoti, kishte vendosur që t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës tërheqjen e 20% të mjeteve të grumbulluara në Trustin Pensional, për ta zbutur krizën ekonomike si pasojë e mbylljes nga pandemia me COVID-19.

Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale i tyre, dhe shuma totale e tërheqjen ishte mbi 197 milion euro.

Tërheqja filloi të aplikohej më 11 dhjetor të vitit 2020 dhe mbaroi më 06 prill të vitit 2021. Ndërkohë, rumbursimi i mjeteve të tërhequra do të fillojë në vitin 2023./

 

Më Shumë

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – sërish pritet me protesta, marshe e aksione në Kosovë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Kosovë Rëndom, si vitet paraprake, edhe ky vit e gjen vendin me protesta e pakënaqësi nga punëtorët. Sindikata e...

9 vjeçarit nga Prizreni, Benjamin Beqirit i duhet ndihmë financiare për shërim

Benjamin Beqiri nga Prizreni, i cili po përballet me disa sëmundje që në lindje të tij i duhet ndihmë. 9 vjeçar nga Prizreni vuan nga...

Lajmet e Fundit