Sot në Malishevë, organizuar nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim, është shënuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit, përmes aktivitete të ndryshme, ndërsa aktiviteti kryesor, është mbajtur në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani”, ku edhe janë dhënë mirënjohje për shkollat më të mira dhe arsimtarët më të mirë, në fusha të ndryshme.
Në takimin e organizuar nga DKAE, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Raxhep Mazreku, fillimisht i ka falënderuar të gjithë veteranët e arsimit, për kontributin e tyre në shkollat e Komunës së Malishevës, për dekada të tëra.
“Ne si komunë, i çmojmë dhe i vlerësojmë lartë punën e palodhshme të mësimdhënësve tanë, të cilët kanë dhënë dhe po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimimin e fëmijëve tanë”, tha Mazreku.
“Ne si komunë, jemi të përkushtuar në ngritjen e objekteve të reja shkollore, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim dhe për këtë qëllim, kemi investuar dhe do të vazhdojmë të investojmë në shkollat tona. Si rezultat, ne sot kemi shkolla moderne”, tha ai.
Ndërsa drejtori i arsimit, Avdi Morina, tha se sot është ditë e veçantë dhe shumë e rëndësishme për kombin dhe shkollën shqipe.
“Libri dhe lapsi, janë dy armët më të fuqishme që ne kemi” tha Morina, duke folur për shkollën dhe historinë e hapjes së shkollës së parë shqipe.
“Ne sot, i nderojmë dhe i respektojmë të gjithë ata që dhanë dhe po japin kontribut në shkollat tona, për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj”, tha Morina.
Në fund të këtij aktiviteti, Drejtoria për Arsim dhe Edukim, ka ndarë mirënjohje në gjashtë fusha për shkollat dhe arsimtarët e dalluar, gjatë një viti shkollor, të cilët janë dalluar për aktivitete dhe sukseset e arritura, si ka dhënë mirënjohje edhe për veteranët e arsimit. /PrizrenPress.com/