15.3 C
Prizren
E diel, 9 Nëntor, 2025

Mbahet seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Administratës së Prizrenit

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet për korrupsion.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari Baldedaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim që shqyrtimi i sotëm fillestar të përfundon, duke njoftuar se seanca e shqyrtimit të dytë caktohet për 29 mars 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 29 dhjetor 2020, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet për veprën keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e  tenderit për projektin “furnizim me Softëer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Vlera e tenderit ka qenë 24.735.00 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28.000 euro, thuhet në aktakuzë.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së  Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Kështu që në atë mënyrë, duke ditur se ekziston Arkiva qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Vlera e këtij projekti ka qenë 72.898.98 euro, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jo funksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72.898.98 euro, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100.898.98 euro, thuhet në aktin akuzues.

Me këto veprime, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

45 aksidente dhe mbi 1 mijë e 600 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

45 aksidente kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 18 prej tyre kanë qenë me të lënduar dhe 27 me...

Arrestohet një person në Prizren për kanosje ndaj policit

Një person është arrestuar pas një incidenti në "Kthesën e Buqes" në Prizren, ku dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor gjatë shqiptuarjes së...

Lajmet e Fundit