10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mbi disa dokumente të ruajtura në arkivin e Gjeçovit

Shkruan: Hajdar Mallaku

Kishte njerëz shpirtëngushtë që pyetën se ku shkuan ato dokumente për të cilat po flitej, pse ranë mu në dorë të tij, mos do të humbnin, çka ka në përmbajtje të tyre etj. Dhe, “për t’i shëruar”, po e publikoj këtë shkrim.

I jam mirënjohës zot. Gjon L. Muçajt nga Zymi i Hasit, i cili m’i ofroi me besim këto dokumente të ruajtura nga arkivi i Gjeçovit (gjithnjë flas sipas dëshmisë së tij), edhe për vetëdijen e lartë, për vlerën e tyre, edhe për besimin që e pati në mua se nuk do t’i keqpërdorja, nuk do t’i humbja, por do të punoja me to, do t’i publikoja dhe më në fund do t’ia dorëzoja Arkivit të Muzeut në Zym, ose Arkivit të qytetit të Prizrenit.

Më bëri përshtypje rrëfimi i zot. Gjon L. Muçaj, i cili tha se i kish ruajtur këto dokumente që prej vitit 1982 kur në bazë të dokumenteve pronësoro-juridike duhej rrënuar shtëpiza brenda oborrit të kishës e banuar nga Mark dhe Kate Thaçi, si trashëgimtarë të Gjeçovit, ku nuk jetonte më kush në të. Duhej larguar çdo gjë që ndodhej në të: orendi, rrobe, foto, libra, revista etj. (di se Gjeçovi kish botuar te revista “Albania” e Faik Konicës që botohej në Bruksel dhe Londër, e kish marrë thuaja rregullisht këtë revistë, kish respekt të veçantë për të, madje e kish vizituar bashkë me Atë Gjergj Fishtën kur ai shërbente në Famullinë e Gomsiqes). Biblioteka dhe revistat ndodheshin aty. Për këtë e kish botuar një shkrim A.Z. në revisten Zëri i rinisë.

Në mesin e këtyre, thotë ai, unë i mora dhe i ruajta në shtëpinë time dy arka dhe një tryezë pune deri në vitin 2008 kur ia dorëzova Muzeut të Gjeçovit në Zym me shpresë që në to të vëhet nga një pllakë metali me shënime se kush i shpëtoi nga humbja dhe nga kush ishin trashëguar. Kjo nuk u bë as sot e kësaj dite.

Në sirtarin e tryezës së punës i gjeta këto dokumente.

Unë, me qenë se ishin ruajtur nga Gjeçovi, i pranova me respekt të veçantë, sepse ai nuk kish ruajtur kurrë gjëra pa vlerë.

Ishin gjithsej 39 dokumente: 5 në gjuhën shqipe, 16 në gjuhën italiane dhe 18 në osmanishte të vjetër.

Dokumente në shqip janë 5 që kanë rëndësi fetare, kohore, leksikore, gjuhësore (duhet parë abeceja e përdorur në këto dokumente para dhe pas Kongresit të Manastirit) kur dihet se Zymi kishte Abetare më 1900.

Janë këto senate (akte), dishmi (dëshmi), ispathane (shqip-dëshmi). Shihet se Famullia shërbente si garantuese, si ndërmjtëse, si një noteri për të mos i zbatuar ligjet e huaja; kishte një përkujdesje që të mos ndodhnin ngatrresa.

Dokumente të grupit të dytë janë 16 në gjuhën italiane, ku bëjnë pjesë: relacione, tapi, deklarata, kopertina (njëra prej tyre shkruan ”Documenti di Zumbi”. Në njërin prej relacioneve (25/2/904), brënda tekstit në italisht, janë shënuar emra vendesh: Pashtrik, Zumbiani (zymjanë), Brehishte (pyll me bredha), Livadhi i Priftit, Livadhi i Sinisun (?), Hurdha e Luleve si dhe emrat e fshatrave që e rrethojnë Famullinë e Zymit: Kushnini, Planeja, Lufijza (fshati Lukinaj), Masareku (Mazrreku i sotmë) dhe Vlahna.

Dokumentet e grupit të tretë, të cilat nuk pata mundësi materiale t’i përkthej, përpos që një zonjë, përkthyese e osmanishtes së vjetër në Entin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturorë më ndihmoi që të kuptoj përmbajtjen e tyre në bazë të titujve (Flas në bazë të përkthimeve të saj).

Këto dokumente kanë këtë përmbajtje:
1. Vërtetim mbi pagesën e tatimit të fshatit Zym ndaj ushtrisë (Ushtrisë osmane, H.M).
2. Vendim për pagën e priftit të kishës në Gjakovë.
3. Formular pa përmbajtje.
4. Kontratë mbi shitblerjen e një are.
5. Vendim mbi pajtimin e fshatit Zym dhe Karashebekiq (dy dokumente). Nuk e di a është fjala për pajtim pas ndonjë mosmarrëveshjeje apo është fjala për ndonjë pajtim-marrëveshje dypalëshe.
6. Dokument pa përmbajtje.
7. Lista e shtëpive dhe mallrave të Jovanit, Tomës dhe Matës, të djegura në zjarr.
8. Formular i zbrazët.
9. Kontratë mbi shitblerjen e një vreshti.
10. Dokument mbi ndarjen e pasurisë në fshatin Zym.
11. Peticion nga banorët e fshatit Zym për fushat dhe luadhet drejtuar Zyrës së Lartë në Gjakovë.
12. Leje kalimi për transportin e mallrave.
13. Dokument mbi ndarjen e pasurisë në fshatin Zym (9 dhe 13).
14. Letërnjoftim nga shteti Osman.
15. Tapi (certifikatë e pronës kadastrale) nga shteti Osman.
16. Letër miqve të mi (nuk e di nga kush dhe për kë).
17. Kontratë mbi shitblerjen e një luadhi.
18. Nga Gjykata e rrethit të Gjakovës drejtuar priftit të fshatit Zym. Fondi i dokumenteve të Gjeçovit në arhivin e Shkodrës, sipas zonj. Ma. Theodhora Lena ka 123 dosje dhe 4001 faqe shkrimesh, por pas vdekjes së Gjeçovit, ka shënime se kanë humbur shumë dokumente të tij ose të ruajtura nga ai. Ky zbulim dhe ruajtje do të jetë një kontribut i vogël ofruar thesarit të tij.

Këto dokumente duhet përkthyer, studiuar, publikuar dhe vendosur më në fund në Arkiv që të ruhen. Kështu do të shihen vlerat e interesit fetar, historik-kombëtar, gjuhësor, autorial – gjithnjë në kontekstin kohor. Duhet parë a ka diçka nga vetë dora e Gjeçovit, apo vetëm janë të ruajtura nga ai. Do të kuptohet nga këto edhe se në çfarë rrethanash mbijetoi kjo famulli.

Dokumentet ia ktheva zot. Gjon L. Muçajt më 16. XII.2021, ndërsa ky ia dorëzoi, si deklaroi, ish- nxënësit tim të respektuar, Atë Ndue Kajtazit, famullitar në Gjakovë. Unë pata kaq mundësi dhe uroj që puna të kryhet deri në fund.

Më Shumë

Hovenier për masakrën e Krushës: NATO reagoi për të ndaluar gjakderdhjen

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje...

Kompletohet grupi i Kosovës në Ligën e Kombeve

Lituania e ka mposhtur Gjibraltarin me rezultat 2-0, nga dy ndeshjet në kuadër të playoff-it të Ligës së Kombeve. Kështu lituanët do t’i bashkohen Kosovës...

Lajmet e Fundit