Prokurorja Ervehe Gashi ka propozuar të ekzaminohet telefoni Bajram Velijajt për të parë nëse ka prova fajësuese apo shfajësuese për rastin ku ngarkohet se me 14 plumba kishte vrarë bashkëshorten e tij në gusht të 2019-ës.
Këtë e ka propozim prokurorja Gashi e prezantuar të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku janë shikuar disa CD si dhe fotot e Forenzikës.
Në seancën e në shqyrtimit kryesor ishte e paraparë të dëgjohej dëshmitar Blerim Martinaj, mirëpo i njëjti nuk ishte i pranishëm pasi gjendej jashtë vendit.
Palët u pajtuan që të lexohet deklarata e tij e dhënë në Prokurori, si dhe më pas u lexua edhe deklarata e dëshmitarit Vilard Velia.
Pas kësaj i akuzuari Bajram Velija propozoi që të dëgjohet dëshmitari Jeton Kastrati. Sipas tij, Kastrati ishte dëshmitar okular dhe e ka parë rastin.
Mirëpo, gjyqtarja Raima Elezi e refuzoi të njëjtin propozim me arsyetimin se që ky dëshmitar nuk do të ndihmojë në zbardhjen e rastit.
Pas kësaj seanca ka vazhduar me leximin e provave materiale të lëndës si dhe janë shikuar disa CD nga vendi i ngjarjes si dhe është bërë shikimi i foto albumit nga dosja e forenzikës.
Seanca është caktuar më 8 shtator të këtij viti.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.
Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet
Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit 2019./BetimipërDrejtësi