Mbledhja e kryesisë së LSI-së mori vendime të rëndësishme për situatën politike në vend. Kur u duk se kishte rënë dakord me kryeministrin Rama partia e Ilir Metës bën një hap prapa. Për herë të parë kreu i LSI-së foli për një “qeveri të besimit” për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se është i gatshëm për të sakrifikuar mandatin e tij dhe të ministrave të LSI-së nëse opozitës i duhen për të hyrë në zgjedhje.
“Kjo do të thotë që LSI është e gatshme t’i japë mandatet e saj në ekzekutiv opozitës në kushtet e mosbesimit të thellë që ajo ka. Kjo është një mënyrë për t’i dhënë një lloj qetësie, sigurie, besimi opozitës, se mund të ketë një rol në këtë provës, duke filluar nga ministri i Drejtësisë, dhe ministritë e tjera që LSI ka. Secili duhet të lërë diçka për këtë zgjidhje politike në mënyrë që shqiptarët të fitojnë qetësinë që duan dhe demokracia të mos hyjë në një qorrsokak pa kthim por të hedhë një hap madhorë përpara dhe solid, ta mbyllë njëherë e mirë çështjen e zgjedhjeve të kontestuara ”, – tha Meta.
A parashikohet që kjo qeveri të ketë kryeministër edhe Edi Ramën?
“I takon Ramës të punojë t’i japë besim opozitës për zgjedhje” – tha Meta.
Meta tha se partia e tij është e gatshme të konfirmojë koalicionin me PS-në. Por, Meta tha se konfirmimi i koalicionit varet nga sjellja e kryeministri, Edi Rama, në mënyrë që ky i fundit të japë garanci për opozitën që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS, bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual dhe të reflektimit serioz të mënyrës së funksionimit dhe analizës së objektivave të parealizuara ende. Nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën që të jetë e procesit zgjedhor, LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale. LSI mes të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh zgjedhjet demokratike. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë” – tha Meta.
Meta tha se nëse kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha nuk ulen në dialog, vendi do të shkojë në situata të pakontrolluara me pasoja të paparashikueshme.
“Kryesia e LSI pasi analizoi me përgjegjësi të lartë situatën politike që po kalon vendi vlerëson për krizën politike dhe çështjen e zgjedhjeve, se situata është tejet e tensionuar, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë të bllokuara. Retorika politike agresive po dominon sjelljen politike, në këto kushte duhet dialog urgjent dhe zgjidhje politike. Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale. Vlerësojmë iniciativën e Shpëtim Idrizit ditët e fundit për fillimin e dialogut. Vendi në këto momente ka nevojë për një qeveri mirëbesimi për të garantuar zgjedhje të lira, garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës, si dhe garantimin dhe realizimin e plotë të procesit të dekriminalizimit. Realizimi i reformës zgjedhore, kusht i domosdoshëm dhe detyrim ende i papërmbushur. LSI vendos të vë në dispozicion të zgjidhjes të gjitha mandatet e saj politike, që nga i kryetari i kuvendit, të ministrave si dhe gjithë postet e përfaqësimit të saj”, – tha Meta./lapsi.al/