25.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Ndikimi i mërgatës në arkitekturën kosovare

Home or AbroadNë përpjekje që të ngjallet bashkëpunimi në mes të artistëve, arkitektëve dhe urbanistëve nga mërgata dhe atyre vendore, është organizuar simpoziumi dyditor “Home or Abroad”.

Simpoziumi që kishte për qëllim ndikimin e mërgatës në arkitekturën kosovare është mbajtur në sallën e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës, organizuar nga ONUP Platform.

“Ferizi+Ferizi Architects”, është zyrë arkitektonike që ka bërë bashkë dy vëllezër arkitektë, Denisin që ka studiuar në Prishtinë dhe Ernestin që ka studiuar në Mynster në Gjermanisë.

“Ligjëratën tonë e kemi ndarë në tri pjesë, e para është Abroad, e dyta Home or Abroad dhe e treta Home and Abroad”, ka thënë Denis Ferizi, i cili ka treguar për disa nga projektet e realizuara, siç janë: Brigada e Zjarrfikësve, projekte për shkolla, objekte administrative, firma ndërtimore, shtëpi private. Krahas projekteve në Kosovë, ata janë duke realizuar projekte edhe nëpër Evropë.

Arkitekti, Ernest Ferizi, thotë se arkitekturën duhet ta duash me shpirt, sikur që duhet ta duash artin.

“Disa thonë se arkitektura është art. Disa thonë se nuk është art, por është teknikë. Megjithatë, muzikën, arkitekturën dhe artin në përgjithësi duhet t’i duam”, thotë Ferizi, i cili kur ka shkuar në Gjermani në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, i është dashur të punojë punë fizike dhe të studiojë. Punën si arkitekt e kishte nisur në një zyre arkitektonike që i ka pasur rreth 10 punëtorë.

Ernest Ferizi thotë se kur studentët e kryejnë fakultetin është mirë që menjëherë të fillojnë të punojnë dhe të jetë këmbëngulës në qëllimet e tij.

Arkitektura është art, asgjë tjetër, thotë Visar Geci, arkitekt që ka studiuar në Graz të Austrisë.

“Arkitektura në njëfarë mënyre është pasqyrë e një populli, e një rrethi shoqëror, e kulturës dhe mënyrës si funksionon një shoqëri”, shprehet Geci, i cili thotë se në arkitekturë gjëja kryesore është puna e përbashkët, ngase vetëm nuk mund të bësh asgjë.

“Arkitekti duhet të punojë me psikologë, me sociologë, me skulptorë, me filozofë. E ne jemi ata që i mbledhim idetë dhe konceptet e të gjithëve dhe i shprehim në formë të arkitekturës”, ka thënë arkitekti Geci, i cili bashkë me disa kolegë të tij kanë botuar librin “Prishtina is everywere”.

Visar Geci ka treguar se në vitin 2007 ka qenë në një simpozium të arkitekturës në Fakultetin Teknik të Grazit, ku i ka treguar disa fotografi të Prishtinës.

“Në CD kanë qenë skandale të arkitekturës në Prishtinë, nuk ka ligj, nuk ka rregull, qysh njerëzit në njëfarë mënyre e kuptojnë demokracinë edhe thonë se demokracia është të bësh çfarë të do qejfi”, ka thënë arkitekti nga “INNarch”.

I vetmi konkurrues, në të cilin kanë konkurruar si formë, është ai për Shtëpinë e Operës dhe Teatrit, në të cilin janë renditur të dytit, ndërsa zyra “INNarch” punë në enterierin e “Doncafe”-së, që është në Prishtinë, Pejë dhe Beograd.

Arti bënë pyetje, ndërsa arkitektura përgjigjet, thotë artisti Sislej Xhafa, i cili nuk ishte i pranishëm dhe audiencës i është drejtuar përmes “Skype”-it. Ai thotë se në art dhe në arkitekturë është shumë e rëndësishme rezistenca.

“Arkitekti i dobët pranon çdo sfidë, çdo kusht, ndërsa arkitekti i mirë reziston në çfarëdo kushtëzimi”, ka thënë Xhafa, sipas të cilit arkitektët kanë nevojë për aleatë, po jo edhe artistët.

“Arkitekti gjithmonë kushtëzon, edhe në aspektin estetik edhe në aspektin e funksional. Në art nuk ka funksionalitet. Ne duhet t’i përmbahemi disa rregullave që janë ligj i natyrës, për ndryshe shndërrohet vetëm në një projekt utopik”, shprehet artisti, teksa ka shtuar se në rast utopia më shumë është dashuri sepse nuk ka kohë dhe nuk ka hapësirë.

Sislej Xhafa thotë se në art ka njëfarë luksi të mendimit që e vetmja formë e kompromisit, e cila i shtyn artistët të mendojnë, janë koha dhe hapësira. Xhafa shprehet se ne kemi konflikt të identitetit se çfarë jemi ne, shqiptarë apo kosovarë, teksa shton se jetojmë në një farë fashizmi mashkullor. Ai thotë se në arkitekturë janë tre-katër femra aktive, ndërsa 20 deri në 30 meshkuj.

“Femrat duhet të punojnë dy herë më shumë për të arritur një qëllim të caktuar sesa meshkujt. Kjo sepse ne jemi të rrethuar me njerëz patetik mashkullor. Ne duhet t’i thyejmë këto tabu”.

Në këtë simpozium kanë ligjëruar edhe arkitektët, Fatlum Radoniqi, Besian Mehmeti dhe Lulzim Kabashi. Lorik Pustina nga Ministria e Diasporës, ka thënë se kjo Ministri është angazhuar në projekte të shumta, të cilat kanë të bëjnë me kthimin e bashkatdhetarëve në lëmi që janë të nevojshme në Kosovë, në mënyrë që qoftë studentët, qoftë profesionistët e fushave të ndryshme përvojat t’i sjellin në Kosovë./Zëri/

Më Shumë

Homazhe në 25-vjetorin e rënies së martirëve në Korishë

Në nderim të 25-vjetorit të rënies së martirëve të fshatit Korishë, deputeti Arbër Rexhaj, bashkë me aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe dhe vendosën kurora...

Përfundon shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe Shpenadi

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se sot është përfunduar shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe...

Lajmet e Fundit