10.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Ndryshohet data e seancës gjyqësore të Ramadan Mujës

Gjykata e Apelit ka ndryshuar datën e shqyrtimit të ankesës në rastin e kryetarit të Komunës së Prizrenit.
Kjo gjykatë më herët kishte caktuar 24 qershorin si datën e seancës së Ramadan Mujës.

Mirëpo zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, njoftoi për KALLXO.com se data e mbajtjes së seancës për kryetarin Muja është caktuar më 9 qershor 2015.

“Seanca për kryetarin Muja dhe të tjerët do të mbahet më 09 qershor 2015, ftesat u janë dorëzuar edhe avokatëve,” tha Jashari.

Në rast se konfirmohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren, Mujës do t’i duhet të largohet nga pozita e kryetarit të Prizrenit, veprim që do ta çonte Prizrenin në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës.

Procedura ndaj kryetarit Muja dhe të tjerëve ishte nisur më 25 mars të vitit 2013, për të përfunduar në marsin e vitit 2014.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Gjykimin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e EULEX-it, Vladimir Mikula.

KALLXO.com lidhur me rrjedhat e këtij rasti kishte shkruar ne vazhdimësi.

Muja dhe zyrtarët tjerë prizrenas u dënuan më 13 mars 2014 nga një panel i drejtuar nga EULEX-i.

Pas ankesave së mbrojtjes ndaj dënimit në muajin maj 2014, lëndës së kryetarit të Prizrenit iu deshën katër muaj për të shkuar në Gjykatën e Apelit. Për këtë vonesë shkroi KALLXO.com-i.

Më Shumë

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit

Në mungesë të të akuzuarit, Abdullah Selmani, të hënën ka dështuar të mbahet seanca, në rastin ku i njëjti po akuzohet për keqpërdorim të...

Drejtori Tarashaj mori pjesë në Panairin e Artizanateve në Tetovë

Panairi i Artizanateve, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, solli së bashku bizneset dhe organizatat joqeveritare të Komunës së Prizrenit dhe ato të Tetovës për...

Ikja nga vetmia

Lajmet e Fundit