7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Nga 1 janari 2023, për qeset me pagesë, të gjithë pro vendimit

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka paralajmëruar se nga janari i vitit 2023, qytetarët e Kosovës do të paguajnë për qeset plastike, e krejt kjo si masë mbrojtjeje për ndotjen e ambientit. Këtë iniciativë të ministrisë po e përkrahin organizatat dhe ekspertët të cilat merren me ambientin, por si mangësi po e shohin mos informimin dhe përfshirjen e qytetarëve në këtë proces i cili prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve.

Që nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës do të paguajnë për qeset e plastikës të cilat konsiderohen si të dëmshme për mjedisin. Besmir Kokollari, nga Ministra e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se pas analizës që është bërë nga grupi punës i përberë nga ekspertët është rekomanduar që qeset e plastikës nga janari i  vitit 2023 të jenë me pagesë.

“ Ministria ka angazhuar ekspertë dhe ka formuar grupin gjithëpërfshirës në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për reduktimin e qeseve të plastikës. Në fund është nxjerr rekomandimi që nga janari i vitit 2023 qeset e plastikës të bëhen me pagesë, ku çmimi pritet të jetë 5 centë për qese”, thotë Kokollari për Radio Kosovën.

Se është e nevojshme që qeset e plastikës të bëhen me pagesë në mënyrë që të reduktohen sa më shumë, kështu po e vlerësojnë qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të cilat merren me çështjet e ambientit. Fatbardha Restecila, nga Instituti për Politika Zhvillimore, organizatë e cila merret me ambientin, në një përgjigje për Radio  Kosovën tha se kjo iniciativë është e mirëseardhur por se fushata për informimin e qytetarëve dhe përfshirja e tyre është dashur të nisë shumë më herët.

“Ministria e Mjedisit do të duhej të kishte nisur informimin e qytetarëve që nga fillimi i vitit, të këtë një kampanjë intensive, dalje mediatike në masë me të madhe se sa po bëhet tani. Është dashur që edhe qytetarët të përfshiheshin në këtë proces, i cili në fund të fundit  prek xhepin e qytetarëve”, thotë Restelica për Radio Kosovën. “Pra, jemi pro këtij vendimi,por, mendojmë se qeveria dhe ministria është dashur të bëjnë me shumë në këtë drejtim në mënyrë që qytetarët të përgatiten”.

Po ashtu, edhe profesori universitar, Zeqir Veselaj, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se kjo nismë është pozitive e cila do të ndikojë pozitivisht në mjedis.

“Një vendim për bërjen e qeseve me pagesë sigurisht se në aspektin mjedisor do të ndikojë pozitivisht, gjithmonë duke pasur parasysh se ministria duhet ta konsiderojë edhe aspektin ekonomik”, thotë Veselaj.

“Në këtë situatë të vështirë ekonomike të njerëzve, pavarësisht qëllimit të mirë, duhet të maten vendimet e tilla, sepse duket që janë të vogla por që mund ta ngarkojnë edhe më tutje qytetarin”.

Qeset e plastikës në shumicën e shteteve evropiane janë me pagesë ose janë jashtë përdorimit. Po ashtu,  nga 1 qershori,  përdorimi i qeseve plastike edhe në Shqipëri është bërë me pagesë.

Më Shumë

“Gratë e Trojës” udhëtojnë në Prizren për të treguar fatin e tyre përmes thirrjeve për paqe

“Gratë e Trojës”, më 15 prill, 2024, do të prezantojnë para publikut një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe...

Durrësi qyteti më i nxehtë deri në 2040-ën, në mesin e tyre edhe Prizreni

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të...

Lajmet e Fundit