2.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Një legen ujë

Shkruan: Musa Bushrani
(Legjenda për Karabashin)

Karabashi kishte vdekur dhe ishte varrosur në Terzimahallë. Thonë se kishte rënë dëshmor, thonë gjithashtu se e kishte ditur se do të binte dëshmor, gojët e liga thonë se ai e ka ditur se do të binte dëshmor dhe se u kishte thënë kundërshtarëve të tij, se ai edhe pas vdekjes do të mbetej i njëjti, po ai, Karabashi trim, Karabash efendiu.

Pak kohë para se të vdiste, mes dyzet burrave më besnikë të tij, kishte hapur dylbitë e shekujve për të parë nëse ai do të bënte të uleshin retë e pranverës dhe nga to të shtrydhte breshër, por gjithashtu thonë se ai më pastaj ishte penduar, duke thënë se do të mjaftonte edhe vetëm një rigë e vogël shiu sa për ta mbushur një legen për ta spërkatur dheun e varrit të tij të dytë. Po me varrin e tij të parë?

Luftërat po përpinin frymën e njerëzve, po përhapeshin në formë pykash e po degëzoheshin sikur vetëtima. Luftërat shiheshin afër, por godisnin larg. Gjuanin pa pushim, sikur njerëzit nuk mundnin të jetonin dot pa to. Edhe aty ku nuk përpinte, ku nuk përhapej në formë pyke e nuk degëzohej sikur vetëtima, edhe aty zhvilloheshin luftëra.

Lindja dhe vdekja sikur ishin alternuar dhe nuk shfaqeshin kufijtë e kujës. Gjithçka ishte e shkruar në pergamenë. Ata që duhej t’i shihnin e t’i lexonin këto shkrime të vjetra i kishin parë dhe i kishin lexuar dhe pastaj u kishin treguar edhe të tjerëve. Qenë formuar dy grupe njerëzish, grupi i parë që i kishte parë dhe lexuar ato shkrime të vjetra dhe grupi i dytë që këto shkrime i kishte vetëm me të dëgjuar.

Mbi varrin e Karabash efendiut një farkëtar kishte vendosur kudhrën e tij. Një herë godiste hekurin dhe tri herë kudhrën, ishte nga më të zotët në gjithë qytetin. Përveç shpatave të thjeshta ai herë pas here punonte edhe shpata të tilla me mbishkrime prej argjendi dhe ari. E dinte se shpatat me mbishkrime dhe me dekorime nuk përdoreshin për luftë. E dinte se do të binte në dorën e dikujt që ishte më i lartë se sa ai që i porosiste. Për këto shpata edhe millin e bënte me shumë dashuri dhe pa bujë.

Si kishte mundësi të mos e dinte se kudhra e tij ishte vendosur pikërisht mbi eshtrat e një njeriu. E tëra kjo të ishte rastësi?
Thonë se farkëtari nuk ishte vetëm farkëtar, ai ishte më shumë se i tillë. Ai ishte një nga të paktë të zanatit të tij që dinin të lexonin, por këtë aftësi ai gjithmonë e kishte mbajtur të fshehur.

Po atë ditë kur Karabashit po ia hapnin varrin, farkëtari e kishte mbyllur derën, kishte hapur fjalën se ishte i sëmurë dhe kishte filluar të rrëmihte tokën. Tashmë qyteti ishte bërë gati ta varroste heroin e tij. Nuk mbahej në mend të ishin mbledhur kaq shumë njerëz në një vend. Esnafë, bakallë, tyxharë, mashtrues, batakçinj, hajdutë matrapazë, të gjithë këta qëndronin në rreshtat e pasmë të asaj turme, që sikur po mbinte nga dheu, ndërsa në radhët e para po qëndronte paria e qytetit. Në krye të të gjithëve, valiu.

Në fund të faljes së namazit të të vdekurit, u lut me zë të lartë,:” O Zot, falja mëkatet dhe mëshiroje, shpëtoje dhe kij ndjesë ndaj tij, bëja vendin e mirë dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë… Zëvendësoja shtëpinë me një më të mirë, …..” Kjo lutje më shumë u tha për t’i bindur të gjallët, se sa për ta siguruar të vdekurin.
Krejt vonë, pas mesnate, farkëtari shkoi te varri i Karabashit, e nxori trupin, e ngarkoi në karrocë dhe e shpuri në punishten e tij për ta rivarrosur pikërisht në vendin ku kishte rrëmihur gjatë ditës. E shtriu, mbi të la me kujdes shkrimet e vjetra, vendosi sërish kudhrën në vend dhe u ngjit lart. Shkrimet dhe trupi i tij duhej të ishin bashkë, kishte menduar farkëtari.

Farkëtari nuk merrej vetëm me punimin e shpatave të thyera, ashtu siç bënte konkurrenti matanë rrugës, kur sajonte një shpatë nga katër a pesë shpata të tjera. Jo, farkëtari punonte shpata me porosi, shpata që kushtonin sa një qytet i tërë. Kjo shpatë nuk ishte as jatagan, as pallë, as damaskine e as shpatë e harkuar apo perse. Ishte shpatë vendore që do të vringëllonte sa në të majtë, sa në të djathtë, sa mbi tokë e sa ndër tokë, sepse ishte shpatë e punuar me minerar vendi, dy ditë udhë që këtu. Porositësi i shpatës i kishte lënë amanet t’i ruante disa shkrime të vjetra, sepse farkëtari i kishte thënë: “Jo, zotëri, unë nuk di të lexoj.” Porositësi i shpatës ia kishte besuar shkrimet dhe ky i kishte lexuar. Shpata kurrë nuk i ra në dorë porositësit, pak kohë më vonë ai u gjet i mbytur. Gojët e liga thonë se kishte qenë plaçkitje.

Meqë ishte mjeshtri më i mirë i qytetit, farkëtari ishte i detyruar të shkonte betejave, të provonte dhe të punonte shpata luftërash. Në punishten e tij në shtëpi e kishte lënë të punonte të birin. Pas dy muajsh farkëtari zihet rob dhe dërgohet të vuajë dënimin në një nga burgjet e Maltës.
I biri i farkëtarit përditë godiste me çekan mbi eshtrat e Karabashit, pa e ditur fshehtësinë e të atit. Shpirti i Karabash efendiut nuk po gjente prehje.
Ditët dhe netët për farkëtarin e burgosur nuk kishin masë për ta matur dhimbjen e tij. Pas një kohe, në qelinë e errët e të lagësht i shfaqet vegimi i Karabashit.
– Ke dëshirë të ikësh në shtëpi? – i thotë Karabash efendiu farkëtarit.
-Po!-ia kthen i burgosuri.
-Unë do të dërgoj në shtëpi, nëse do ta mbash premtimin, që tani. Kujdes, i pranishëm të jetë edhe valiu, ti e di mirë, valiu e ka me të dëgjuar, sikur edhe i tërë populli… Më premto, se do të m’i zhvendosësh eshtrat përfundi kudhrës tënde!
Të premtoj! – i thotë farkëtari. Vetëm më liro nga këtu.

Një ftohtësi hyjnore hyri në trupin e të burgosurit, nyjat e duarve ngadalë filluan ta ndjejnë fuqinë, shpërtheu prangat dhe sakaq i burgosuri u lirua. Një mjegull thonë u soll atypari dhe … sakaq, si me magji, Karabash efendiu bëri që i burgosuri të gjendej në oborrin e shtëpisë së tij në Terzimahallë.
Shpërthyen lotët e gëzimit nga familjarët e tij…Ngaqë kishin shumë kohë pa e parë dhe ngaqë kishin menduar se ky tashmë ishte i vdekur, i organizojnë një aheng të madh… kënga dhe vallja nuk pushuan deri vonë. Pastaj edhe dashuria e malli për gruan bëri që në natën e parë në liri ta harronte premtimin e dhënë, as edhe lëvizjen më të vogël nuk e bëri për Karabashin…Pak para agimit, sërish i fanitet vegimi i Karabashit…

-Ti nuk e mbajte premtimin. Ashtu si të kam kthyer në shtëpi, ashtu edhe të dërgoj sërish atje ku ishe… Ti ende nuk e kupton si është të t’i godasë dikush eshtrat me kudhër e çekan…Shiko, ke kohe deri nesër në agim… Fajtor për të gjitha je ti… dhe t’i do ta zgjidhësh ashtu si duhet këtë punë, përndryshe…

I sapoçliruari, nga frika zgjohet që me natë, mënjanon kudhrën në punishte dhe fillon e rrëmih, nxjerr eshtrat e tij dhe i vendos në një thes.
Ku t’i varroste? Në ç’vend? Aty ku ishte varrosur për herë të parë? Apo diku tjetër? Kishte rëndësi kjo punë? Një mijë mendime po i silleshin nëpër kokë. Doli dhe shikoi përreth, u mendua e u mendua, diçka po mungonte, ah, po, tha me vete, kur po nxjerrja eshtrat e tij, mungonin shkrimet. Të jenë kalbur vallë?
Kush mund t’ i kishte marrë se…? Jo, nuk është e mundur… Nuk po e zinte vendi vend. Edhe varri i dytë i Karabashit ishte hapur nga dikush, derisa ai kishte qenë larg shtëpisë.

Të ishte personi i njëjtë që e kishte mbytur porositësin e shpatës? I çartur fare nga kjo pakujdesi, ngarkoi thesin mbi shpinë. I vetëm, pak para agimit, varrosi eshtrat bashkë me sekretin e tij. Më pas, në kujtim të kësaj ngjarje u ndërtua një krua për të rrjedhur helmi i shpirtit të tij. Tashmë askush nuk do t’i besonte pa ato shkrime, edhe sikur t’u thoshte përmbajtjen e saj. Do ta përqeshnin, do ta tallnin, sepse gjatë kishte trumbetuar se nuk dinte shkrim e lexim, sikur edhe shumica njerëzve të zanatit të tij. Populli do të ndahej në dy grupe. Grupi i parë do të ishte me atë që i kishte lexuar shkrimet e vjetra, ndërsa grupi i dytë do të formohej me ata që kishin dëgjuar për to. Por, kroi i Maltës bashkë me ujin rodhi edhe shekujt, më shumë shekuj se ujë. Në perëndim të kësaj dite, për të qindtën herë, sërish po vije ajo rigë shiu sa për ta mbushur një legen ujë.

Më Shumë

Përleshen shtatë persona në Prizren, tre të ndaluar, katër janë në arrati

Shtatë persona dyshohet se janë përleshur mes vete në rrugën “Transiti i ri Arban” në Prizren, të mërkurën, ku dyshohet të ketë pasë edhe...

Florian Tufallari sapo ka lansuar një super bashkepunim me Ilir Tironsi x Sheiku Durresit,kënga titullohet “Dubai”

Pas hiteve te një pas njëshme Florian Tufallari vjen edhe me një tjetër hit te titulluar ‘’Dubai”, ku bashkëpunëtorët janë: Music: Sardi Mneri Lyrics:...

Lajmet e Fundit