34.3 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Opozita akuzon pushtetin në Prizren për pasqyrat financiare të 2019-s

Partitë opozitare në Prizren të enjten kanë shprehur qëndrimin se gjetjet e Auditorit për vitin 2019 tregojnë se në qeverisjen komunale ka mjaft parregullsi.

Sipas drejtuesve të Degës së PDK-së, këto praktika po rrezikojnë seriozisht funksionimin normal të Komunës së Prizrenit.

Ndërsa Dega e LDK-së ka bërë thirrje që Prokuroria t’i hetojë gjetjet e Auditorit për Komunën e Prizrenit.

Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka theksuar se gjetjet e rekomandimet e Auditorit argumentojnë se në Komunën e Prizrenit ka pasur menaxhim joadekuat të parasë publike, që përforcojnë konkluzionin se ka pasur dukuri negative, raporton KOHA.

“Si përfundim mund të themi se kemi një qasje joserioze dhe jokonstruktive nga ana e kryetarit Haskuka. Është më tepër se evidente se kemi mungesë drastike të kapaciteteve menaxhuese nga ana e ekzekutivit, që për pasojë ka të gjitha këto parregullsi që po ndodhin dhe po rrezikojnë seriozisht funksionimin normal të Komunës së Prizrenit”, ka thënë ai.

Sipas Totajt, raporti tregon se në vitin 2019 ka pasur mungesë performance në këtë komunë, derisa përmend se këtë vit Auditori ka bërë 23 rekomandime të reja.

Ndërkaq Dega e LDK-së, që deri në qershor të këtij viti ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës, përmes një komunikate ka kërkuar që të gjitha gjetjet e paraqitura në Raportin e Auditorit të hetohen nga Prokuroria.

“Dega e LDK-së në Prizren kërkon nga Prokuroria që t’i hetojë gjetjet e Auditorit, të cilat shpërfaqin hapur jo veç paditurinë në udhëheqje të zyrtarëve komunalë, por edhe veprimet e qëllimshme korruptive në keqpërdorimin e buxhetit komunal. Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht që ta ndalë degradimin e qytetit të Prizrenit në të gjitha fushat”, thuhet në përgjigjen e LDK-së.

Në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit shkruan se në Komunën e Prizrenit “dobësi janë identifikuar në menaxhimin e të hyrave, menaxhimin e personelit, të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, rritje të vazhdueshme të llogarive të arkëtueshmeve dhe detyrimeve”.

Në përgjigjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit dhënë ZKA-së theksohet se ai është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e Auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna.

Më Shumë

Mot me diell, temperaturat arrijnë deri 33°C

Moti për ditën e sotme do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 11 dhe 15°C, ndërsa ato maksimale do të...

‘DokuFest’ prezanton projektet e përzgjedhura për Forumin e Filmave të Shkurtër

DokuFest ka kënaqësinë të shpallë projektet e përzgjedhura për edicionin e parë të Forumit të Filmit të Shkurtër, një platformë rajonale për bashkë krijim...

Lajmet e Fundit