Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit, e po ashtu edhe për përpjekjet për përshkallëzimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Në njoftimin për media nga presidenca e Kosovës, thuhet se Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për përshkallëzim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.
Tutje në njoftim thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.