17.8 C
Prizren
E shtunë, 11 Maj, 2024

Panairi i kotësive shqiptare

Nga Preç Zogaj

Njeriu mëson në jetë të përqeshë, të tallë, të ironizojë e satirizojë tipa dhe dukuri të ndryshme të kohës së tij, apo vetë kohën e tij. Askush nuk mund të thotë “kur” i mëson dhe “si” i mëson. Të mësuarit e humorit nuk datohet, siç mund të datohet të mësuarit e fizikës apo algjebrës, ku gravitacioni dhe bashkësitë, fjala vjen, mësohen në klasën e dhjetë, ndërsa parimet bazë të mekanikës kuantike dhe ekuacionet përkatëse, në klasën e njëmbëdhjetë. Këto reagime ideo-emocionale speciale zhvillohen bashkë me njeriun, gjatë gjithë jetës së tij. Por ka gjithnjë, për këdo, referenca apo “pika orientimi” që tregojnë një periudhë, një rrethanë, një njeri, një pjesë teatrale, një film apo një libër që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të paharrueshme për të mësuar kodin e hyrjes në komedinë e jetës. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i shkrimtarit të shquar shqiptar Dritëro Agolli, është pa dyshim një referencë e tillë, një pikë e tillë orientimi në kohë për lexuesit e viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, por edhe për lexuesit e mëvonshëm të këtij romani të rrallë në panteonin e prozës shqipe. Kur brezi im letrar, eklektik në formimin që po merrte nga leximet jashtë klase dhe dogmatik në formimin që i servirej në bankat e shkollës, po endej sa andej këndej në kërkim të drejtpeshimit artistik, botimi dhe leximi i gjerë i Zylos, siç i thoshim shkurt, erdhi me tingëllimin e një parodie të çiltër dhe të epërme me skematizmin, seriozitetin, zymtësinë dhe lejfenizmin e kohës.

Edhe më parë ishin shkruar, botuar e vënë në skenë skeçe, parodi dhe pjesë komike që kishin në fokus burokracinë, paaftësinë, servilizmin, kameleonizmin, tipat bufonë e tjerë. Romani i Agollit i mori, i zhvilloi, i çoi përpara, i ngriti më lart këto shkrepje të komedisë së re shqiptare. Më tej, ky roman u dha talljes dhe ironisë një status që nuk e kishin pasur më parë në prozën e kohës, u dha qytetari, u dha një rreze veprimi që shkonte përtej karikaturizimit të burokracisë, duke prekur një mënyrë të punuari e të jetuari të vetë superstrukturës së shoqërisë. Romani i Agollit ishte për ne një shkollë e çmitizimit të sferave të larta dhe njëherësh një shkollë e talljes dhe satirës me këtë botë që na ishte dukur e largët, e huaj, e paprekshme. Qeshnim me lot, pa e ditur se në atë mënyrë po kultivonim një mënyrë tjetër shikimi, aftësinë për të kapur komiken në gjërat serioze që na rrethonin.

Më vonë, kur e kam lexuar për herë të dytë këtë roman, kam menduar se këtë mund ta bënte vetëm një autoritet publik dhe një artist, si Dritëro Agolli, i cili kishte jo vetëm sovranitetin e duhur për të shtrirë sundimin e satirës së tij në administratën e kohës, por edhe sensin e nevojshëm artistik për të mos e rrezikuar dhe kompromentuar veprën e tij me teprime të një cinizmi dhe antagonizmi aletrar.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një roman tipik, nga ata që shkruhen vetë në ajrin e kohës, që mbledhin si bleta, që presin autorin për t’iu dhënë atij. Unë nuk jam habitur aspak kur kam dëgjuar Agollin të thotë në një prej intervistave të tij se nuk ishte ulur ndonjëherë ta shkruante këtë roman nga fillimi në fund, në bazë të një synopsisi dhe të një plani ditor pune, siç shkruhen e siç e përfytyrojmë se shkruhen shumica e librave në prozë. Agolli e shkroi romanin e tij si skenarët e telenovelave, ku njëra puntatë po xhirohet ndërsa tjetra po shkruhet. Pra, shkroi një roman, subjekti i të cilit dukej sikur nuk kishte ndodhur, por ndodhte në kohë reale me të shkruarit e tij. Është kjo një nga arsyet që Zylo ishte dhe mbeti kaq i vetvetishëm dhe kaq i vërtetë si roman.

Për të gjithë ata që mund ta kenë lexuar shumë herët apo për të rinjtë që nuk kanë pasur rast ta lexojnë akoma këtë roman, ia vlen të evokojnë telegrafikisht se romani ka në qendër ngritjen, shkëlqimin dhe rënien nga posti në piramidën e Ministrisë së Kulturës të Zylyftar Kamberit, një personazh butaforik, që të bën të qeshësh, por të ngjall edhe keqardhje me keqkuptimet e tij kolosale, fryt i indoktrinimit libresk, për dijet, shkencën, përparimin, kauzën e marksizëm-leninizmit në botë, e tjerë. Si Don Kishoti, për të cilin thuhet se ishte shkruar për të diskredituar librat dhe zakonet e kalorësisë, shoku Zylo diskrediton me gjenuitetin e tij prej zyrtari dhe punëtori të mendjes klishetë, tabutë dhe modelet e propagandës së kohës. Si në romanet e ngjashëm satirikë, shoku Zylo ka gjithnjë në krah Demkën, shkruesin e tij të fjalimeve, dëshmitarin e tij të lajthitjeve. Demka është një ish-gazetar me prirje shkrimtari, që ka ngecur në rrjetën e një hierarkie mediokre, ku askush nuk di të konceptojë një referat, askush nuk bën përpara me punën e vet.

Në të vërtetë, ndërsa Zylo është personazhi që diskretizon me bëmat e tij stereotipet dhe vanitetin e kohës, Demka si shkrues fjalimesh e referatesh është personazhi plotësues në këtë histori, por një plotësues kryesor, pasi është ai që i tregon ngjarjet, është ai që ka ndjerë një ditë të bukur t’i shndrisë para syve të mendjes vegimi i komedisë së madhe, të cilën vendos ta shkruajë. Në trajektoren e karrierës së Zylos, Demka shpalos një tablo laramane të shoqërisë shqiptare të viteve shtatëdhjetë, sheh si bëhen e zhbëhen aureolat në fytyrat e të ashtuquajturve të mëdhenj, zbulon kotësinë si tipar të kohës. Duke kaluar nga një kapitull në tjetrin, që mbajnë tituj burleskë si: “Shoku Zylo mes vëllezërve fshatarë pranë djersës së kazanit”, “Shoku Zylo ndeshet”, “Shokut Zylo i digjet lëkura” e tjerë, ke gjithnjë përshtypjen e udhëtimit në një parodi. Dhe pyet veten lexuesi: Ku qëndron sekreti apo magjia e këtij romani, që me trajtime shpeshherë karikatureske ka ndërtuar një ngrehinë artistike që na tërheq sot e kësaj dite? Përgjigjja ime është kjo: në thelb ky është një roman për kotësinë, është panairi i kotësive shqiptare në përqasje semantike me “Panairin e kotësive” të Tekerejt. Klimaksi i këtij vaniteti janë esetë e famshme të Shokut Zylo, bejtet, maksimat, fjalët e urta, epigramet, që zënë një vend të rëndësishëm në roman. Të kujtojmë disa, që më kanë mbetur në mendje qëkur isha në shkollë të mesme.

“Tingulli është babai i këngës. Zylo Kamberi, ese”. “Kur ke cigaren në gojë nuk e kruan dot gjithë buzën. Zylo Kamberi, ese”. “Ne jemi shqipfolës/ s’jemi shpirtnjohës – sentencë”, “Një gjë që është varur do të bjerë/Prandaj është varur që të bjerë – Zylo Kamberi, poezi”. Qeshnim me esetë, vargëzimet dhe batutat e Zylo Kamberit. Bënin gara duke krijuar të reja nga mendja jonë, ishte në modë muza e shokut Zylo në atë kohë. Ajo lloj muze tipizonte personazhin, por ishte tregues i një eglendisjeje mendore në boshllëk, si frymë e kohës. Prandaj “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” qëndronte gjithnjë në kufi, midis një romani komik që të bënte për të qeshur dhe një romani gri për kotësinë, që të vinte në mendime, madje të trishtonte. Personazhet e tij kryesorë Zylo dhe Demka janë nga të paktët personazhe të letrave tona të shndërruar në personifikime. “Zylo” dhe “Demkë” përdoren në të folurën e përditshme për të emërtuar dukuri, nganjëherë edhe pa e ditur “biografinë” e tyre si personazhe të një romani.

Së fundi, ia vlen të shënojmë në këtë shkrim-nostalgji se satirikja është në marrëdhënie binjakëzimi me lirizmin. Poeti i madh lirik Dritëro Agolli shkroi këtë vepër si vërtetim i këtij pohimi.

Më Shumë

Tre të lënduar në një aksident në Suharekë

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në Suharekë, konkretisht në Zonën Industriale në Shirokë. Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësi...

Dopingu te Pogba, gjenden shkaqet

Kompania “10X Health Systems”, me qendër në Shtetet e Bashkuara, qëndron pas pozitivitetit të dopingut që preku futbollistin e Juventus-it, Paul Pogba vitin e...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit