0.8 C
Prizren
E martë, 31 Janar, 2023

Parashikimi për rritjen ekonomike prej 3.7 përqind vlerësohet realist

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.7 për qind për Kosovën, gjatë vitit 2023. Kjo rritje ekonomike e planifikuar është më e madhja krahas shteteve të tjera të Ballkanit. Njohës të ekonomisë thonë se raporti do të ndikojë në përmirësimin e imazhit ekonomik të Kosovës dhe rritjen e investimeve të huaja. Por, për më shumë zhvillim, ata thonë se janë të nevojshme edhe reformat ekonomike. 

 

Kosova pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023.  Kështu thuhet në një raport të gjatë për ekonominë globale, publikuar më 10 janar, nga Banka Botërore. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, gjatë vitit 2023 rritja ekonomike në Kosovë pritet të jetë 3.7%. Pas Kosovës në Ballkanin Perëndimor i dyti është Mali i Zi me 3.4%, e treta Bosnja me 2.5%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 2.4%, Serbia me 2.3%, Shqipëria me 2.2% dhe Kroacia me 0.8%.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e vlerëson pozitiv dhe realist raportin e Bankës Botërore, për të cilin thotë se do të ndikojë në përmirësimin e imazhit ekonomik të Kosovës dhe rritjen e investimeve të huaja. Gërxhaliu përmend për Radio Kosovën dy faktorët që ndikuan që Banka Botërore të besojë për këtë ngritje ekonomike.

“E para është e vërteta se Kosova e ka vetëm afro 20% borxhin publik, që është ndoshta më i ulëti në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në rend të dytë e kemi një performansë shumë të mirë të Bankës Qendrore dhe bankave komerciale të cilët janë indikatorë që Banka Botërore i ka marrë parasysh, dhe në këtë drejtim optimizmi për rritjen ekonomike është në këtë nivel”, tha ai.

Rritja ekonomike prej 3.7% e planifikuar për Kosovën nga Banka Botërore, është në kuadër edhe parashikimeve të Odës Ekonomike të Kosovës. Megjithëkëtë, kreu i kësaj organizate, Lulzim Rafuna, thotë se duhet punuar edhe më shumë për rritje edhe më të lartë ekonomike.

“Nuk duhet ne me u vetëkënaqur me këtë parashikim. Duhet të punojnë më shumë të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Odën Ekonomike, në mënyrë që të bëjmë reforma më shumë, që të kemi një rritje shumë më të madhe ekonomike se kjo që është e parashikuar. Duhet të ketë plane më të qarta investive. Duhet bërë reforma te politikat fiskale, për të parë se cilat tatime duhet të ulen apo edhe lirohen krejt. Pastaj, thjeshtësimi i procedurave burokratike që po pengojnë investimet e huaja në Kosovë”, tha ai.

Edhe për vitin 2024, Banka Botërore parashikon për Kosovën rritjen ekonomike më të madhe në rajon me rreth 4.2%. Në raport theksohet se Kosova vazhdon të jetë vendi me nivelin më të ulët të Bruto Produkti Vendor, që në vitin 2021 ishte 5 mijë e 269 dollarë për kokë banori.

Më Shumë

Duda Balje viktimë e ngacmimit nga personi i cili thotë se ishin në ‘lidhje dashurie’ për 6 vite

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka denoncuar në Polici se është përballur periudhën e...

Ka mungesë parkingjesh dhe infrastrukturë në Prevallë

Me mungesë të investimeve dhe një infrastrukturë jo të mirë përballet edhe Prevalla, fshat ky turistik në zonën e Prizrenit. Turistët vendorë dhe të...

Lajmet e Fundit