-0.4 C
Prizren
E diel, 21 Dhjetor, 2025

Për zbatimin e Kurrikulës së re kërkohet ngritje buxheti

Studentet-Testet e gjermanishtesProcesi i pilotimit të Kurrikulës së re në arsimin parauniversitar është duke shkuar mirë.

Ky proces është duke u bërë në 92 shkolla të të gjitha niveleve në Kosovë duke përjashtuar ato të komunitetit serb. Ndërkohë, për zbatimin e plotë të saj duhet të ketë një ngritje të buxhetit, thonë zyrtarët, duke theksuar se nevojiten mjete të ndryshme nëpër shkolla.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se pilotimi i Kornizës së re të Kurrikulës në arsimin parauniversitar është duke shkuar ashtu siç është paraparë. Tashmë Korniza e Kurrikulës është duke u pilotuar në 92 shkolla, në dhjetë prej të cilave ka filluar një vit më parë. Udhëheqësi i Divizionit për plan-programe dhe tekste shkollore në Ministrinë e Arsimit, Rexhep Kastrati tha për Radio Kosovën, se procesi është në rrugë të mbarë edhe pse ka vështirësi në zbatimin e tij.

“Vështirësitë kryesisht kanë të bëjnë me sigurimin e mjeteve materiale në shkolla, vështirësi tjetër është një përkrahje më e madhe në aspektin financiar. Shkollat duhet të pajisen me mjete të domosdoshme të teknologjisë për të lehtësuar procesin e mësimit në shkolla. E domosdoshme është që për arsim duhet të rritet buxheti, duhet më tutje ngritja e kapaciteteve, duke u nisur nga drejtoritë komunale të arsimit, drejtorëve e mësimdhënësve.”

Kastrati theksoi se një çështje tjetër që do të ndihmonte në zbatimin e kurrikulës, është edhe formimi i grupeve punuese në nivelin komunal.
“Këtë proces duhet ta bartin komunat, ku duhet të përfshihen mësimdhënësit më të mirë, të cilët duhet të bëjnë trajnimin e mësimdhënësve dhe mentorimin e tyre, njëkohësisht të ndihmojnë edhe në vlerësimin. Për këtë jemi në bisedime me komuna.”

Koordinatori i Shkollës së Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, Zijadin Ibrahimi, tha se në këtë shkollë është viti i dytë që bëhet pilotimi i Kurrikulës dhe sipas tij nuk ka pasur probleme.

“Pilotimi ka filluar vitin e kaluar. Sivjet është viti i dytë. Të gjithë arsimtarët janë të kyçur në hartimin e planprogrameve, shqyrtimin e kornizës kurrikulare dhe kornizës bërthamë. Nga shkolla jonë janë 3 kryetrajnerë, janë 6 trajnerë të kyçur në procesin e trajnimit të mësimdhënësve dhe të gjithë punojnë. Jemi model, sepse jemi një nga dy shkollat profesionale në nivel të Kosovës, që jemi në vitin e dytë.”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka filluar përgatitjet për hartimin e kurrikulës për fëmijërinë e hershme, që përfshinë moshat nga 0 deri në 5 vjeç dhe pritet të fillojë pilotimin nga viti i ardhshëm. Kurrikula e re përmban reformimin e planeve dhe programeve, procesin e mësimdhënies, tekstet shkollore, vlerësimin e nxënësve si dhe kualifikimin e mësimdhënësve./rtk/

Më Shumë

Therje me thikë në Prizren, arrestohet i dyshuari për tentim vrasje

Një burrë kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit, pasi dyshohet se është therur me thikë nga një burrë tjetër. Rasti ka ndodhur...

Tre persona arrestohen për degradim të mjedisit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar më 4 qershor 2025 një aksion kundër degradimit të mjedisit, në kuadër...

Lajmet e Fundit