Pasi ka shkëlqyer me Werder Bremenin në Gjermani dhe me ekipin kombëtar të Kosovës, Milot Rashica e ka marrë vëmendjen e mediave botërore. Për këtë arsye, mediumi Bulinews e ka publikuar një artikull me pesë fakte që mund të mos i keni ditur për të.
1.Djali i një dentisti
Milot Rashica ka lindur në Vushtrri të Kosovës. Përderisa po rritej, ai shpejt e mori vesh se nuk ishte i interesuar t’i ndjek hapat e babait të tij, që ishte dentist. Në vend të kësaj, Milot Rashica e filloi karrierën e tij si futbollist, duke i shkuar më afër ëndrrës së dajës së tij, i cili kishte qenë futbollist dhe e kishte nxitur atë të bëhet futbollist.
“Babai im është dentist, ai nuk ishte futbollist. Por, daja im luante futboll në ligën e parë në Kosovë. Ai ishte personi që më regjistroi për herë të parë në një shkollë futbolli”, kishte treguar Rashica për BILD.
“Në fillim, babai im ishte pak i zhgënjyer sepse ai shpresonte që edhe të bëhesha dentist. Por, kur e kuptoi se s’më intereson shumë ajo karrierë dhe kur më pa në fushë, ai më mbështeti për ëndrrën time. Ai më dërgonte gjithkah. Vendlindja jonë Vushtrria është rreth 60 kilometra larg shkollës së futbollit në Prishtinë”.
2.Debutoi si futbollist në moshën 16-vjeçare
Si i ri, Rashica kishte shkuar në prova te klubi belg Gent, që ia kishte ofruar një kontratë. Por, në fund ai vendosi ta refuzonte atë ofertë dhe vazhdoi duke debutuar për ekipin e parë të Vushtrrisë në vitin 2013, kur ishte vetëm 16-vjeçar.
3.Bëri emër në Holandë
Në shtator të vitit 2014, Rashica iu bashkua klubit holandez Vitesse për prova dhe në fund u transferua në Holandë me një marrëveshje që ishte efektive nga 1 korriku i vitit 2015.
Rashica ishte mbresëlënës në Vitesse me 100 paraqitjet e tij, ku kontribuoi me 15 gola dhe 24 asiste, duke e siguruar kështu transferimin për shtatë milionë euro në Bremen, në janar të vitit 2018.
4.I preferuari i tifozëve
Rashica kishte luajtur në dy ndeshje miqësore për ekipin kombëtar të Shqipërisë para se të vendoste të kalonte në Kosovë në gusht të vitit 2016. Që nga atëherë, ai i ka shënuar katër gola në 25 paraqitje për Kosovën dhe tani është bërë i preferuari i tifozëve në vendlindjen e tij.
“Shumë njerëz vendosin ta marrin emrin tim në fanellën e Kosovës. Për më tepër, shumë njerëz në Kosovë veshin fanella të Werderit gjithashtu. Kjo më bën krenar”, kishte thënë Rashica për Sport Bild.
5.Pati nevojë për kohë për t’u përshtatur në Werder
Rashica fillimisht i pati disa vështirësi pas transferimit të tij në Werder, para se ta merrte vëmendjen në Gjermani gjatë sezonit 2018/10, kur i shënoi nëntë gola dhe i bëri pesë asiste në 26 ndeshje.
“Mua m’u nevojiten pak muaj për t’u mësuar me stilin e lojës, taktikat, intensitetin dhe shpejtësinë”, kishte thënë Rashica, duke shtuar se sulmuesi veteran Claudio Pizarro i kishte ndihmuar të përshtatet.
“Pasi i pata disa raste të mira, Pizarro më tha: “Hej, është një gjë shumë e mirë që po ke raste të tilla. Golat do të vijnë”. Të gjithë në skuadër më mbështetnin. Për këtë arsye ndihem kaq shumë si në shtëpi këtu”.