14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Policia apelon për mospërdorim të armëve në ahengje

Dasmat në Kosovë, sidomos në sezonin e verës, kur mërgimtarët vijnë në pushime gjithmonë janë në trend. Mirëpo, bashkë me gëzimet e ahengjeve, shtohet edhe rreziku nga të shtënat, e që shpesh di të sjell edhe pasoja.

Nisur nga fakti se viteve të fundit është shtuar numri i rasteve të gjuajtjes me armë zjarri në ndeja dhe ahengje të ndryshme të cilat në situata të caktuara kanë rezultuar me pasoja të rënda për qytetarët, Policia e Kosovës ka ngritur shqetësimet në lidhje me masat dhe veprimet që duhet ndërmarrë për parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2014, janë konfiskuar 1318 armë dhe 37 mijë e 211 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për KosovaLive se edhe këtë vit Policia e Kosovës përmes planit të sezonës verore, planifikon veprimet e saja në parandalimin e përdorimit të armë edhe nëpër ahengje-dasma.

Ai njoftoi se për këtë, policia ka planifikuar të bëjë edhe fushata senzibilizuese, ndonëse siç ka thënë ai, fatmirësisht deri më tani nuk ka ndonjë informacion për ndonjë person të vdekur në raste të tilla.

“Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi, e në këtë kontekst edhe reduktimin, zvogëlimin e armëve ilegale që mund të jenë si një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e përgjithshme”, theksoi Kelani.

Sipas tij, çdo rast kur policia identifikon persona apo individ që posedojnë armë ilegale i trajton ata në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore siç janë paraparë me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Konkretisht kur kemi të bëjmë me raste që personat janë në posedim të paligjshëm të armëve ato trajtohen nga njësitet patrulluese policore në nivel stacioni, iniciohet rasti dhe i kalohet njësitit të hetuesisë së stacionit”, ka thënë tutje ai.

Kelani ka bërë të ditur se viti kur policia ka konfiskuar më së shumti armë të llojeve të ndryshme, ka qenë para dhjetë viteve, në 2005-tën, kur janë konfiskuar 1919 armë.

Ai tha se numri i armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës nga viti 2003 deri 2013 si dhe janar-tetor 2014, numri më i vogël ka qenë vitin e kaluar.

Kështu, policia në vitin 2003 ka konfiskuar 1610 armë, në 2004 ka konfiskuar 1515, në 2005-tën 1919, në 2006-tën 1754, në 2007-tën 1610, në 2008-tën 1616, në 2009-tën 1477, në 2010-tën 1613, në 2011-tën 1542, në 2011-tën, 1542, në 2012-tën 1509 dhe në 2013-tën 1366.

Gjuajtjen me armë gjatë ahengjeve, e quajnë të panevojshme qytetarët të cilëve u pengon shumë kjo dukuri. Ata vlerësojnë se festat e gëzimet familjare mund të festohen edhe pa përdorimin e armëve, që në shumicën e rasteve janë pa leje.

Fahrije Mustafa, një qytetare nga komuna e Prishtinës ka thënë për KosovaLive se nuk e sheh të arsyeshme pse kosovarët përdorin shpesh armë në ditë festash, sidomos gjatë verës.

Ajo ka theksuar se një veprim i pamenduar mirë i gjuajtësve vë në rrezik jetën e të pranishmëve në aheng, e sidomos fëmijët të cilët siç tha ajo, nuk zënë vend askund.

“Gëzimi në festa mund të shprehet edhe në forma të tjera, me vallëzim e këndim, mirëpo kurrsesi me armë, pasi që kështu na rrezikohet jeta të gjithëve”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, Arbër Avdullahu nga Ferizaj thotë për KosovaLive se ndonëse ka rrezik nga kjo, megjithatë i pëlqen, pasi që sipas tij, kjo është traditë e jona.

“E di që ka rrezik, bile mund të ketë edhe pasoja, mirëpo më pëlqen sepse e bën festën më madhështore. Megjithatë, ne kosovarët e kemi në gjak të festojmë dhe ndonjëherë edhe nuk e kontrollojmë vetën dhe veprimet tona”, ka thënë ai./Kosovalive/

Më Shumë

Pas 24 viteve martesë, çifti nga Prizreni bëhen prindër të binjakëve

Pas 24 viteve martesë, një çift nga Prizreni janë bërë prindër për herë të parë. Ata kanë binjakë. Gjinekologu që përcolli lindjen e binjakëve, foli për...

Fitojnë Ballkani e Llapi po jo edhe Drita

Ballkani dhe Llapi kanë arritur të fitojnë në Javën e tridhjetë e katërt të Superligës, por jo edhe Drita. Ballkani ka mposhtur bindshëm Fushë Kosovën,...

Lajmet e Fundit