8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Profesor Idriz Ajeti për gjuhën e “Divanit” të Sheh Maliqit

Dr. Naser Pajaziti

Sheh Maliqi, me prejardhje nga katundet Anadrinit, si hoxhë e myfti kishte shërbyer në Rahovec në vitet tetëdhjeta të shekullit XIX. Gjatë shërbimit të tij dyzetvjeçar la një varg veprash origjinale dhe të përkthyera me përmbajtje fetare, të shkruara me alfabetin arabo-turk, ndër të cilat edhe një Divan me 77 këngë, ku paraqitet gjendja gjuhësore e periudhës së shekullit XIX në trevën e Anadrinit.

Meqenëse shkrimet shqipe të botuara në Kosovë në shekujt e kaluar ishin të pakta, ose thënë shkurt mund të numëroheshin në gishta dhe duke parë rëndësinë që kanë këto shkrime për historinë e gjuhës dhe për dialektologjinë shqiptare, profesor Idriz Ajeti bëri një studim për gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit, në të cilin janë trajtuar një varg tiparesh gjuhësore që e karakterizojnë këtë shkrim, duke i vënë në spikamë kryesisht veçoritë fonetike dhe morfologjike të veprës në fjalë.
Kështu, bie fjala, në fushën e fonetikës dallohen zanoret hundore.

Pasi që, sikundër dihet, alfabeti arabo-turk nuk i ka të gjitha zanoret që i ka gjuha shqipe, hetimi i hundorësisë në këtë të folme paraqiste vështirësi. Megjithatë, profesor Idriz Ajeti ka vërejtur se në Divanin e Sheh Maliqit janë ruajtur mjaft mirë zanoret hundore dhe se gjuha e Divanit është e pasur me vokale nazale. P.sh

kush t’i gjan,
duhet vehten me lan, tuj than,
me ngran,
e kan banun etj.

Kjo vlen për zanoren hundore a, ndërsa sa u përket zanoreve të tjera, sipas Ajetit, autori nuk kishte përdorur shenjë të veçantë grafike, ndërsa për ta shprehur kuantitetin e vokaleve Sheh Maliqi kishte përdorur tinguj kompensatorë me anë të të cilëve pasqyrohej kuantiteti i vokaleve.
Duke u mbështetur në gjendjen fonetike të diftongjeve të Divanit të Sheh Maliqit është i drejtë konstatimi prof. Idriz Ajetit se diftongjet nuk na dalin arkaike, ashtu sikundër ngjet me dukuritë e tjera gjuhësore, sepse diftongjet dhe grupet e zanoreve i gjejmë të mbledhura në monoftongje: p.sh me punu, me msu, me shku, me knu, me fitu, tokë e qill etj

Vlen të theksohet sidomos ruajtja e grupeve konsonantike nd, mb të plota në gjuhën e Tivanit të Sheh Maliqit, si p.sh.: ndihmoj, sundon, mundet, gjindet, tandin, menden, mbet, mbajt etj.: grupe të cilat sot nuk i hasim në trevën e Anadrinit , por as në shumicën e të folmeve të Kosovës (grupi nd ruhet në të folmen e Opojës). Po kështu, është ruajtur mjaft mirë edhe grupi ng: ngrohet, ngraon etj.

Një dukuri tjetër gjuhësore që ndeshet në Divanin e Sheh Maliqit dhe e cila si tillë ka zgjuar kureshtjen e profesor Idriz Ajetit është, pa dyshim, edhe ruajtja e okluziveve palatale q dhe gj, për të cilën dukuri thekson: “Edhe vetë nuk kujtonim se në ndonjë prej të të folmeve tona në Kosovës nga fundi i shekullit të kaluar (është fjala për shekullin XIX) dhe në fillim të këtij tonit (është fjala për shekullin XX) dalloheshin tipat e okluzive palatale q-ç, gj-xh” Për shembull: Gjith prej qille, shoq, zemra digjet, gjimon etj. Ndërsa, në bazë të hulumtimeve tona në terren, në asnjë rast, nuk kemi vërejtur që në trevën e Anadrinit të ruhen këto bashkëtingëllore, madje as që kemi gjurmë sado të vogla të ruajtjes së tyre. Mirëpo, me të drejtë thekson Idriz Ajeti, se këto grupe nuk janë ruajtur as edhe në të folmet e tjera të Kosovës, nga të cilat bëjnë përjashtime të folmet skajore të Kosovës, si, bie fjala, në të folmen e Preshevës e të Bujanovcit me rrethinë, në të folmen Tetovës, në të folmen e Gostivarit .

Në fushën e bashkëtingëlloreve nuk duhet lënë pa përmendur edhe ruajtjen e spirantit h, e cila, sipas Ajetit, në gjuhën e Divanit del mjaft e qëndrueshme, si p. sh. te fjalët shohim, bahet, çohet, shahadet, Allahi, vehten.
Karakteristikë tjetër në gjuhën e Divanit është edhe mospërdorimi i shenjave dalluese për dy tipat e sonanteve l, ll dhe r, rr, p.sh.:

alemi prej vori çohet
N’ahret mos t’qorohet
me kalx,
aty gjendet sultani etj.
Tokë e qil
Me sy t’balit

Sipas mendimit tonë nuk ka dyshim se edhe në kohën kur është shkruar Divani i Sheh Maliqit në të folmen e Anadrinit mjaft qartë janë diferencuar këto çifte bashkëtingëlloresh. Ndërsa, kur është fjala për mospërdorimin e tyre në Divanin e Sheh Maliqit, konstatojmë arsyet mund të jenë të ndryshme.
Aspektit morfologjik i kushtohet më pak hapësirë në studimin për Divanin e Sheh Maliqit.
Në fushën e morfologjisë do të veçonim:

Tek emrat e gjinisë mashkullore që mbarojnë me bashkëtingëllore grykore k dhe g herë del mbaresa nominale i herë u p.sh.: hallki, ashiku, rahatllakun, madnillakun, çarki etj., po kështu ngjet edhe me disa emra që mbarojnë me fërkimoren h.

Përemrat pronorë i jem e jemi që përdoren sot në trevën Anadrinit me nyjën e përparme i dhe e në gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit përdoren pa nyjën e përparme, e cila sipas profesor Idriz Ajetit është trajtë e kryehershme, arkaike p.sh. shtati em, ahti yt.

Një kategori foljesh në vetën e parë të së tashmes së dëftores në Divanin e Sheh Maliqit del me mbaresën i: lypi, çeli, fali, shkelietj. Po me këtë mbaresë këto folje i hasim edhe sot në të folmen e Anadrinit dhe në ato të rrethinës së Prizrenit. Në shqipen e sotme standarde këto folje në këtë vetë dalin me mbarsë zero .
Në gjuhën e Divanit forma e participit del me un p.sh. falun, dalun, anun, pasun, ranun, dalldisun, hapun etj.

Në vargun e tipareve dalluese, sipas Ajetit, në Divanin e Sheh Maliqit është pa dyshim edhe përdorimi alternativ i foljeve ndihmëse kam dhe jam, kur zgjedhohen si folje jokalimtare p.sh.:
ku jem kan, erdhem apet;
me kan me dal;
ku jem kan etj

Një dukuri tjetër, që mjaft mirë është hetuar nga profesor Idriz Ajeti, e që haset edhe sot në trevën e Anadrinit, por edhe në rrethinën e Prizrenit, është zëvendësimi i së tashmes së dëftores me format e lidhores p.sh.:

Gjith ça shohish;
n’ter jesish, pa dritë ; etj.

Studimi për gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit është hartuar me një akribi të rreptë shkencore, dukuritë gjuhësore janë shpjeguar me një gjuhë të qartë dhe janë shprehur me mendime të rrjedhshme. Ashtu si edhe studimet e tjera, të punuara nga dora e profesor Ajetit, edhe studimin për gjuhën e Sheh Maliqit e dallon thellësia e mendimit dhe qartësia e kuptimit, ndërsa fenomenet gjuhësore autori nuk i sheh të shkëputura, por në lidhje, ndaj shpeshherë edhe i krahason me të folmet e tjera të shqipes dhe, në mënyrë të veçantë, u referohet shkrimeve të vjetra të shqipes.

Për fund mund të themi se studimi për Divanin e Sheh Maliqit përbën një kontribut me vlerë të lartë shkencore dhe, si i tillë, ka rëndësi të dorës së parë, jo vetëm për zhvillimin historik të të folmeve të Kosovës dhe për dialektologjinë shqiptare, por edhe për mbarë historinë e gjuhës shqipe.

Fusnotat janë hequr nga PrizrenPress

Më Shumë

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit