12.8 C
Prizren
E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e inspektorit të ndërtimit në Prizren, mbrojtja lirimin e tij

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare ka kërkuar që inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, të shpallet fajtor si dhe ndaj tij të shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimin publik. Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina ka kërkuar lirimin e tij.

Musliu po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Gashi, fjalën përfundimtare të saj e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se qëndron në tërësi pranë saj.

Po ashtu, prokurorja tha se me dëgjimin e dëshmitarëve dhe nga provat materiale, është vërtetuar se i akuzuari Musliu ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ajo tha se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit lidhur me mospagimin e taksave komunale dhe përfitmi që i është shkaktuar Mehmet Palushit për çështjen e njëjtë, kapë shumën prej 2 mijë e 138 euro e 57 centë.

Tutje, prokurorja Gashi ka kërkuar që me rastin e shqiptimit të dënimit nga gjykata, të merren parasysh rrethanat rënduese dhe atë faktin e shkallës së lartë të dashjes së tij, se i akuzuari në asnjë moment nuk është penduar për mosveprimet apo veprimet që i ka ndërmarrë, shkallën e dëmit të shkaktuar, faktin që pozita të cilën ai e ushtron kërkon sjellje dhe veprime korrekte dhe se me sjellje të tilla zbeh imazhin e institucioneve publike dhe faktin se edhe më herët me aktgjykim të plotfuqishëm është dënuar për vepër penale pikërisht përmes kësaj gjykate.

Ndërsa, avokatja Morina fjalën përfundimtare të saj e ka dorëzuar me shkrim dhe gjatë elaborimit të saj tha se objekti i cili është objekt i akuzës, nuk është me tejkalim të lejes ndërtimore prej një etazhiteti, mirëpo është me tejkalim të lejes ndërtimore qysh nga fillimi i ndërtimit.

Sipas saj, inspektori paraprak ka qenë i detyruar të bëjë inspektimin e mëhershëm dhe ta ndërpresë qysh nga fillimi i ndërtimit dhe jo të pres të përfundojë etazhiteti i fundit, pastaj të bëjë inspektimin.

Morina tha se i akuzuari Musliu pas marrjes së pozitës si inspektor i inspektimeve ndërtimore, nuk është informuar nga kolegu i tij paraprak se objekti është i filluar dhe i mbaruar jashtë lejes ndërtimore sipas planit urbanistik, ku sipas këtij plani në atë vend nuk jepet leje ndërimore për një etazhitet më të lartë.

Në fund, Morina tha se në rast të rrënimit të objektit, rrënimi është dashur bëhet nga themeli jo veç një etazhitet, andaj ajo ka propozuar që të mbrojturin e saj, gjykata ta shpallë të pafajshëm dhe ta lirojë nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Fjalën përfundimtare të mbrojtëses së tij, e ka mbështetur i akuzuari Musliu.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Komuna e Prizrenit, avokati Blerim Mazreku ka mbështetur fjalën përfundimtare të prokurores Gashi. I njëjti ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike për dëmin e shkaktuar.

Mazreku ka kërkuar nga gjykata që në rast se i akuzuari shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, për realizim të kërkesës pasurore-juridike, Komuna e Prizrenit të udhëzohet në kontest të rregullt civil, ngase në procedurë kontestimore do të precizojnë në mënyrë të saktë nëpërmjet ekspertizën financiare për kërkesën pasurore-juridike, pavarësisht se është siguruar ekspertiza nga eksperti i ndërtimtarisë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi tha se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 19 prill 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Në Malishevë nuk shënohet asnjë gol

Në ndeshjen ndërmjet Malishevës dhe Dritës, nuk u shënua asnjë gol. Portierët e dyja skuadrave nuk u dashtë asnjëherë ta nxjerrnin topin nga rrjeta në...

Muharremaj i reagon ashpër Qeverisë pasi bllokoi qasjet e gjithë zyrtarëve financiarë të Komunës së Suharekës

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë të kësaj komune, janë bllokuar. Kjo, sipas tij deri...

Lajmet e Fundit