Se sa është e ndikuar Prokuroria e Shtetit e Kosovës nga politika dhe përdor standarde të dyfishta, kur është një pyetje trajtimi i veprimeve të kundërligjshme të qytetarëve apo zyrtarëve të niveleve të ndryshme të shtetit, sipas njohësve të sundimit të ligjit, më së miri e tregon rasti i fundit, kur për vepra të njëjta penale -punësim i jashtëligjshëm, po akuzon zyrtarë të nivelit të ulët, lokal -rasti i Suharekës – ndërsa vazhdon heshtja, për të mos thënë dhe mosveprimi apo amnistimi për rastet më skandaloze që po dalin në mënyrë zinxhirore në opinion, si ato të aferës ‘Pronto’, për qindra të tilla të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në fushën e punësimit.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, tha për ‘Kosova Sot’ se një fenomen i tillë i veprimit të organit të akuzës mund të haset vetëm në ato shtete që nuk e kanë të ndërtuar si duhet shtetin ligjor, të barabartë për të gjithë qytetarët, çfarë në fakt po dëshmohet se është edhe shteti i Kosovës.
“Punësimi i njerëzve që kanë lidhje, duke eliminuar ata që kanë përparësi, sipas kritereve të konkursit, është i paligjshëm dhe vepër penale. Zgjedhja nëpër borde, duke manipuluar procesin dhe duke manipuluar Kuvendin, si organi më i lartë legjislativ, po ashtu është shkelje e procedurave të Kuvendit dhe vepër penale. Prokuroria po ndjek persona për punësime të paligjshme krejt të parëndësishme. Në këtë rastin e punësimeve të nivelit të lartë përgjegjësia është më e madhe, edhe në kuptimin politik, edhe penal. Por, në një shtet ku nuk sundon ligji çdo gjë është e mundur”, tha Salihaj për ‘Kosova Sot’.
Organi i akuzës po e shkel ligjin
Edhe eksperti i së drejtës, prof. Muhamet Kelmendi, ka pohuar se institucioni kryesor për të luftuar dukuritë negative dhe kriminale në një shtet është Prokuroria, por varet si ky institucion i qaset zbatimit të ligjit, besimit që ka në ndërtimin e shtetit ligjor.
“Ajo ka kompetenca ligjore të përcaktuara me ligj, që duhet vetë dhe zyrtarisht, pa ndonjë kallëzim penal të hapë procedura dhe të inicioi çështje për shqyrtim në gjykata, duke ngritur aktakuzë kundër kryesve të veprave penale, apo siç quhen te ne të dyshuarve për vepër penale. Pra, nëse Prokuroria dështon, dështon i tërë sistemi juridik. Këndej edhe gjykatat nuk funksionojnë, ndonëse edhe këto nuk janë të parëndësishme, sidomos në nxjerrjen e provave kundër krimit, kuptohet për veprat penale që gjinden në gjykata dhe kundër të cilave zhvillohet gjykimi”, ka theksuar ai për ‘Kosova Sot’.
“Fakti pse Prokuroria akuzon dhe i ndjek zyrtarët e niveleve të ulëta, sikundër është rasti në Suharekë, ndërsa në nivel të lartë, edhe pse ka zyrtarisht prova, nuk vepron, tregon faktin se Prokuroria është nën ndikimin e politikës dhe se vepron vetëm me dirigjime të saj”, tha Kelmendi.
Ai ka pohuar se kjo është një shkelje e rëndë e ligjit nga vetë organi i akuzës.
“Askush nuk ka të drejtë të intervenon në punën e institucioneve për punësim. Çdo qytetar është i lirë të konkurrojë dhe institucionet publike, shtetërore dhe private, duhet të veprojnë në bazë të kushteve të paraqitura nëpër konkurse. Kjo është e drejtë ligjore e sjelljes dhe veprimit që duhet të respektohet në një shtet normal dhe funksional të së drejtës, shtet ligjor. Por, në realitet te ne nuk po veprohet kështu. Faktet po tregojnë se askund dhe në asnjë vend pune nuk vendoset në bazë të konkursit, por mbi përkatësinë partiake, krahinore e familjare”, theksoi Kelmendi.
Përgjimet që të bëjnë të vjellësh Sipas Kelmendit, akoma më serioze bëhet situata kur edhe qytetari më i painformuar e sheh se është vetë organi i akuzës që injoron dhe mbyll sytë para shkelësve të ligjit, sidomos me këto aferat e fundit të zbardhjes së përgjimeve.
“Jemi duke i dëgjuar për çdo ditë regjistrimet e quajtura “PRONTO”. Të vjen për të vjellë se sa në mënyrë cinike dhe të pandërgjegjshme shkelen normat ligjore. Ato tregojnë se asnjë konkurs nuk ka vlerë. Vlera e tyre është vetëm aq sa kushton botimi- publikimi në medie. Por, nëpër to për përzgjedhjet vendosin të tjerët, partiakët dhe pushtetarët, në bazë të interesave”, thekson ai, duke potencuar se në regjistrimet e tilla dalin disa vepra penale: “1. Vepra penale kundër barabarësisë në punësim, 2. Ndikim të drejtpërdrejtë në punët e organeve dhe të organizatave dhe 3. Shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndonëse ka dhe vepra të tjera penale”.
Sipas Kelmendit, akoma më e dëmshme dhe e dhimbshme është se prokuroria i ka pasur këto prova me vite të tëra dhe nuk ka ndërmarrë asgjë, gjë që tregon akoma më fuqishëm faktin se Prokuroria ka qenë dhe është thellësisht nën ndikimin e politikës.
“Të kesh prova dhe ato me vite dhe të presësh që a po të dalin edhe në publik dhe vetëm pastaj gjoja të reagosh është papërgjegjësi e madhe dhe shkelje flagrante e ligjeve të vendit”, tha Kelmendi. /Kosova Sot