24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Prokuroria zgjeron hetimet për të arrestuarit në ujësjellësin e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve kundër tre të pandehurve, të cilët u arrestuan për dyshime në përfitime të kundërligjshme të dobisë pasurore.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Prokurorisë, ku sqarohet më gjerësisht për secilin të pandehur:
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për krime të rënda, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve kundër të pandehurve, H. G., F. B., I. R.

I pandehuri H.G., prej muajit mars 2013 e deri në muajin maj të vitit 2015, në cilësinë e personit zyrtar – inkasantit në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” me seli në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës së tij. I pandehuri nuk i ka dorëzuar të hollat e inkasuara për 816 konsumatorë në vlerë prej 20.512.89 euro, të cilën shumë të parave e ka përvetësuar. Me këtë i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, përvetësimi në detyrë nga neni 425 paragrafi 2 i KP-së.

I pandehuri i dytë, F. B., gjatë periudhës kohore prej vitit 2012 e deri në vitin 2015, në cilësi të personit zyrtar – inkasantit në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” me seli në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës së tij. I pandehuri nuk i ka dorëzuar tërë shumën e inkasuar si inkasant që i mbledh pagesat nga qytetarët sipas faturave për ujin e shpenzuar të faturuar nga “Hidroregjioni Jugor”, edhe atë nuk i dorëzon të hollat e inkasuara në vlerë prej 976.80 euro. Me këtë pandehuri ka kryer veprën penale, përvetësimi në detyrë nga neni 425 paragrafi 1 i KP-së.

Po ashtu, edhe i pandehuri I. R., gjatë viteve 2012-2015, në cilësi të personit zyrtar – kontrolluesit në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” me seli në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës së tij. Prej secilit konsumator i ka marrë nga 58 euro, shumë kjo prej 2.958 euro të cilën e ka përvetësuar, çka do të thotë se me këtë ai ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë nga neni 425 paragrafi 1 i KP-së.

Hetimet kundër të pandehurve sipas aktvendimit të nxjerrë nga Prokurori i Shtetit, fillojnë prej datës 05 nëntor 2015.
Prokurori i Shtetit, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda, tek gjyqtari i procedurës paraprake në Prizren, në bazë të dispozitës së nenit 164 paragrafi 7, neni 165 paragrafi 2 të KPP-së.

Më Shumë

Lajmet e Fundit