2 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Rama: Shqiptari i mirë, Arbën Xhaferri na la një vepër frymëzuese

ArbenXhaferriDy vjet më parë, më 15 gusht 2012, u nda nga jeta, një nga intelektualët dhe mendimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të kohës sonë, Arbën Xhaferri.

I goditur prej disa vitesh nga një sëmundje e rëndë, Arbën Xhaferri nuk pushoi për asnjë çast së luftuari me armën më të fortë të tij-mendjen, për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për krjimin e një shtrati gjithëkombëtar të mendimit intelektual, në mënyrë që shqiptarët të kishin një bosht të përbashkët ideologjik dhe politik.

Kryeministri Edi Rama e ka përkujtuar Xhaferrin në dy vjetorin e ndarjes nga jeta, duke u shprehur se, “Sot në përvjetorin e vdekjes kujtoj me respekt e mirënjohje mikun e shtrenjtë, shqiptarin e mirë Arbën Xhaferri që na la një vepër frymëzuese”, shkruan ai në Twitter.

KUSH ISHTE ARBEN XHAFERRI

Arbën Xhaferri, i lindur në Tetovë më 25 janar 1948 dhe i diplomuar për filozofi, kulmin e veprimtarisë intelektuale e dha pas rrëzimit të komunizmit, përkatësisht pas vitit 1990.

Ndërkohë që punonte në Radio Televizionin e Prishtinës si drejtues i redaksisë së kulturës, ku dha një kontribut të çmuar në lëvrimin e figurave të trashëgimisë kulturore shqiptare, Arbën Xhaferri mori vendimin për tu larguar nga kryeqyteti i Kosovës dhe për tu shpërngulur në vendlindje.

Miqtë e tij nuk e kuptuan në fillim këtë vendim, i cili ishte një “thirrje” që i vinte së brendshmi për të ndihmuar shqiptarët e Maqedonisë në kohën kur kontributi i tij duhej më shumë.

Maqedonia sapo kishte shpallur pavarësinë nga Jugosllavia, tashmë e shkatërruar dhe krerët e saj Kiro Gligorov e akademiku Nikola Kljusev, së bashku me Ljubço Georgievskin hodhën bazat e një shteti pa dhe kundër shqiptarëve. Partia e vetme shqiptare ajo për Prosperitet Demokratik nuk mundi të përballonte dot presionin e egër. Arbër Xhaferri del në skenë duke kërkuar një rimodelim të programit politik të shqiptarëve, pikërisht me një forcë politike që kishte si stemë, flamur dhe thelb, madje edhe emër fjalën shqiptar.

Formoi dhe udhehoqi Partinë Demokratike Shqiptare, edhe pse u akuzua për përçarje, ai ia doli që për disa vite të jetë alternativa intelektuale përballë maqedonasve.

Sfidoi ballë për ballë ideologët sllavomaqedonas duke iu “përplasur” trashëgiminë kulturore dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Arbën Xhaferri formuloi dhe shpallu fuqishëm idenë e një shteti ku shqiptarët janë pjesë shtetëformuese, duke krijuar terrenin e një lëvizje tektonike që do të shpërthente disa vite më pas.

Në mënyrë të drejpërdrejtë dhe pa hezitim, Arbën Xhaferri ishte nga të parët që përkrahu Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 që u udhëhoq nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Së bashku me Tiranën zyrtare, Xhaferri u bë një nga protagonistët e koordinimit perfekt të shqiptarëve, duke krijuar edhe një “mrekulli” që ishte një ndihmë e çmuar për kauzën e madhe të çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe.

Dhe pikërisht pas çlirimit të Kosovës me udhëheqjen e SHBA dhe NATO-s, Arbën Xhaferri u vu në qendër të një lëvizje të re në Maqedoni, e cila nuk do të kishte vetëm atë protagonist, madje edhe do të paguante çmimin më pas.

Në Maqedoni, lind Ushtria Çlirimtare Kombëtare, një lëvizje me krah të armatosur dhe politik që kërkonte ndarjen përfundimtare të shtetit përjashtues për shqiptarët.

Së bashku me faktorët e tjerë, Arbëen Xhaferri merr pjesë në takimet që bëhen në Prizren së bashku me drejtuesit e UÇK-së dhe komunitetin ndërkombëtar për të hartuar projektin e ri politik.

Projekt që më pas, sigurisht me një negocim të vështirë dhe dramatik do ta merrte emrin “Marrëveshja e Ohrit”, ku shqiptarët janë faktor shtetformues dhe shqipja është gjuhë zyrtare.

Në zgjedhjet e 15 shkurtit të vitit 2002, PDSH do të humbte dhe ato u fituan nga BDI e Ali Ahmetit, forcës që doli nga radhët e UÇK-së.

Arbën Xhaferri do të niste kështu mënjanimin e ngadaltë nga politika dhe nisjen e një beteje të re, atë intelektuale.

Duke qenë më i lirë nga angazhimi politik, zoti Xhaferri formësoi disa ide e qëndrime që edhe pse në dukje ishin radikale, i hodhi në “treg” për të qenë gati për çdo gjë.

Duke mos u zbatuar në mënyrë të rregullt Marrëveshja e Ohrit, zoti Xhaferri propozoi një mundësi ndarjeje apo federalizimi në Maqedoni, si një variant rezervë për shqiptarët. Dhe idetë e tij ai i debatoi në publik, me argumente përballë ideologëve maqedonas në mediat e Shkupit.

Si një intelektual europian, Arbën Xhaferri, deri në fund të jetës mbrojti idenë e lidhjes shpirtërore të shqiptarëve me perëndimin dhe civilizimin europian që i përket. Në një nga intervistat e fundit të tij që kam realizuar me të, pikërisht në maj të vitit 2012 ku sapo kishin fillur turbullirat në lidhje me integralizmin dhe ekstremizmin tek shqiptarët, Arbën Xhaferri do të deklaronte: “Te disa qarqe radikale islamike në botë, pas dështimit të komunizmit, ekziston tendenca për vazhdim të misionit të kësaj ideologjie totalitariste, por me një dallim esencial; totalitarizmi fetar është më i rrezikshëm, ngaqë legjitimitetin e mbështet mbi një ide të pakontestueshme, atë të Zotit. Çdo aksion që ndërmerret, me cinizëm arsyetohet me vullnetin e Zotit. Ata që rezistojnë të pranojnë këtë lloj të manipulimit masiv kërcënohen me vdekje dhe lloje të ndryshme të presionit. Armiku më i madh i kësaj utopie të re, këtij totalitarizmi është dyshimi, mendja kritike. Në Maqedoni, ky projekt zhvillohet në formë vulgare, duke filluar nga fundi i Luftës së Parë Botërore, kur shqiptarët me presion sistematik shpërnguleshin në Turqi e deri te zhvillimet e fundit. Maqedonia, përkatësisht qarqe me ndikim të pamohueshëm në politikë, nuk hezitojnë që të ndërmarrin aksione spektakolare për t’i paraqitur shqiptarët si element i huaj, ose të paktën të krijojnë përçarje në shoqëritë shqiptare. Jam i bindur se e gjithë kjo politikë nuk do të arrijë të shndërrojë shqiptarët në fundamentalistë, por do ta rrisë vigjilencën dhe vetvetiu do t’i këndellë mendjet e kontaminuara nga një totalitarizëm i ri…”.

Më Shumë

“Ekoregjioni” bën thirrje për kujdes ndaj mjedisit dhe pastërtisë në hapësirat publike gjatë festave të fundvitit

Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala ka bërë thirrje për kujdes ndaj mjedisit dhe pastërtisë në hapësirat publike gjatë festave...

Sonte dueli i madh, Fury – Usyk

Sonte është një duel i zjarrtë për ardhuruesit e boksit. Tyson Fury  do të përballet me Oleksandr Usyk rreth orës 23:00. Ukrainasi është kampion i...

Lajmet e Fundit