7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Restaurimi i Hamamit të Krujës, investim 84 mijë eurosh

Pas një pune 26-mujore dhe një investimi prej 84 000 eurosh, qytetit mesjetar të Krujës i rikthehet sot Hamami i Kalasë, monument kulture i kategorisë së parë dhe një atraksion turistik potencial. Fondacioni suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me financim nga qeveria suedeze, inauguroi sot hamamin e restauruar të Kalasë së Krujës, një ndër më të vjetrit e llojit të vet në vendin tonë. Procesi i restaurimit përfshiu edhe rigjallërimin e hamamit, duke e bërë një nga të parët hamam tradicional funksional në Ballkan, dhe duke hapur kështu rrugën për zhvillimin e një rrjeti më të madh vendesh të trashëgimisë kulturore që ofrojnë shërbime.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit organizuar pasditen e së mërkurës ishin Ministri i Kulturës, Mirela Kumbaro, i Ngarkuari me Punë i Qeverisë Suedeze, z. Patrik Svensson, kreu i zyrës CHwB Albania, znj. Lejla Hadzic, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal dhe qendror.Gjatë fjalës së mirëseardhjes, znj. Hadzic theksoi se “ Puna me trashëgiminë është sfiduese. Ne mendojmë se ka rëndësi që ajo të ketë peshë në jetët e njerëzve! Trashëgimia kulturore është një bazë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, dhe ky është një shembull.”

I ngarkuari me Punë i Suedisë në Shqipëri, z. Patrik Svensson, ishte personi i cili, në mënyrë simbolike, dorëzoi te ministrja Kumbaro hamamin e inauguruar. Gjatë fjalës së tij, z. Svensson vuri në dukje: “Trashëgimia kulturore, aq e rëndësishme sa mund të jetë për një komb, mund të jetë edhe një urë për zhvillimin ekonomik, nëpërmjet turizmit. Turizmi, duke qenë një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, mund të zhvillohet më shumë nëpërmjet restaurimit, ruajtjes dhe rigjallërimit të trashëgimisë kulturore”.

Ministrja Kumbaro në fjalën e saj theksoi : “Është fantastik ky projekt sepse jo vetëm ka shpëtuar monumentin sit e tille, por na e risjell në jetë për të gjitha kënaqësitë e të parëve tanë, por edhe si një burim të ardhurash, rritje të turizmit dhe të plotësimit të një itinerari turistik të pasur për Krujën.”Hamami i Krujës, i ndërtuar gjatë fundit të shekullit të XV, i përket periudhës osmane dhe është një ndër shtatë hamamet që gjenden sot në Shqipëri. Për restaurimi e tij janë përdorur teknika dhe materiale origjinale, ndërsa transporti i materialeve nga fundi i rrugës, në skajin e sipërm të kalasë, në hamam është bërë manualisht. E bardha e vezës në suva gëlqereje, pluhuri i tullës (gëlqere e kuqe), dhe përzierja e qeramikës me gëlqeren e shtruar nën tjegullat e kuqe në kupolat dhe çati sigurojnë të ardhmen e këtij monumenti të vjetër kategorisë së parë. Inaugurimi i hamamit të Kalasë së Krujës është kremtimi i 14 muaj punë restauruese, 12 muaj punë dokumentuese dhe studimore, dhe dedikimit të 20 specialistëve, punëtorëve dhe zejtarëve që kanë kontribuar në rikthimin në jetë të këtij monumenti.

Objektivat e CHwB Albania në këtë projekt restaurimi dhe rigjallërimi përfshinin: zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerim të ardhurash, dhe restaurimin dhe rikthimin e funksionit fillestar të monumentit. Rikthimi i Hamamit të Kalasë në gjendje funksionale do të nxisë rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal, rijetëzimin të lagjes përreth, rritjen e turizmit, dhe fillimin e një nisme më të gjerë për ngritjen e një rrjeti kombëtar të hamameve.

Më Shumë

Ylli në finale

Pas një ndeshje shumë interesante dhe drame në fund, Golden Eagle Ylli ka mundur Pejën me rezultat 84:88 (21:21, 25:24, 18:21, 20:22), për tu...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit