Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar që dita e hënë të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit e këtij sektori.
“Të premten punëtorët arsimor në fillimet e orëve të para të mësimit kanë bashkëbiseduar me nxënësit për 28 Nëntorin e flamurit kombëtar dhe të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe pastaj kanë treguar se bazuar në Kalendarin për këtë vit shkollor, aprovuar nga MASH e hëna është ditë pushimi dhe kështu edhe do të jetë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Dje gjatë ditës, shefi i qenërisë kosovare kërkoi që dita e hënë të jetë ditë pune.
Por, SBASHK ka kundërshtuar kryeministrin e vendit.
“Apeli a vendimi që të hënën të punohet në emër të solidaritetit me punëtorët shëndetësor le të përdoret për ndonjë herë e për ndonjë festë tjetër e jo për festën e madhe të flamurit kombëtar. SBASHK-u kujton se me punëtorët e arsimit janë solidarizuar që moti me mantelbardhët dhe me policinë duke mbajtur procesin mësimor në kushte tepër të rënduara e duke u përballur me Covidin me masa modeste mbrojtëse. Punëtorët e arsimit dhe nxënësit e meritojnë dhe duhet të pushojnë të hënën për ta ndjerë sado pak atmosferën festive e për të lartësuar kujtimin për heronjtë e dëshmorët e kombit , që i sollën lirinë këtij trualli”, thuhet tutje në njoftim.
Në fund, SBASHK-u thotë se dita e hënë ishte e paraparë dhe aprovuar nga ministria e Arsimit, si ditë pushimi.
“SBASHK duke u bazuar në konsultimet dhe kërkesat e anëtarësisë kujton se me kalendarin për këtë vit shkollor dita e hënë e 30 nëntorit është ditë pushimi dhe apelon të punëtorët e arsimit , që të martën me energji të reja dhe në shenjë të lartësimit të kujtimit për flamurin kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari e heronjtë e dëshmorët tjerë të kombit ta vazhdojnë betejën për dituri të reja dhe për përfundimin me sukses të gjysmëvjetorit të parë sipas Kalendarit të MASH për këtë shkollor. SBASHK-u ua uron punëtorëve të arsimit dhe gjithë popullit shqiptar kudo është festën e madhe të flamurit tonë kombëtar”, thuhet në fund të komunikatës.