12.8 C
Prizren
E hënë, 24 Mars, 2025

Sejdiu në dilemë: Ta mbështesë apo jo Mustafën!

FatmirSejdiu-IsaMustafaIsh-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ende nuk ka vendosur nëse do të jetë ose jo në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si njëri nga kandidatët e kësaj partie për t’u zgjedhur deputet për legjislaturën e ardhshme.
Sejdiu, i cili e ka drejtuar LDK-në pas vdekjes së Ibrahim Rugovës deri në zgjedhjet e fundit partiake, ku në vend të tij kishte ardhur Isa Mustafa, vjen nga Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë.
Gazeta Blic ka mësuar se në këtë degë tash për tash ka disponim që ish-presidenti të propozohet si kandidat për deputet.
Nga ana tjetër, vetë Sejdiu, i kontaktuar nga gazeta as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar se do të garojë për t’u bërë deputet.
I pyetur nëse është i informuar se në këtë degë tashmë ka vullnet dhe se ka propozime brenda për brenda saj që ai të jetë njëri nga kandidatët në listën zgjedhore, Sejdiu ka thënë se është i painformuar për këtë.
“Jo. Unë nuk di gjë, absolutisht. Ka kohë për këto punë. Unë absolutisht as nuk kam qenë në atë tubim ku ata (Dega e Dytë) kanë diskutuar për atë. Nuk kam asnjë informacion”, ka thënë Sejdiu për Gazetën Blic.
Ai gjithashtu nuk ka dashur të tregoi nëse do të pranojë ofertë të mundshme nga LDK për të garuar për deputet, apo do t’i thotë “jo” asaj.
“Unë po them nuk di gjë dhe nuk kam çka të them. Është çështje që unë e jap përgjigjen time në momentin kur duhet ta jap”, ka deklaruar ish-presidenti nëpërmjet telefonit.
Por, ndryshe mendojnë në Degën e Dytë të LDK-së në Prishtinë – nga e cila vjen Sejdiu.
Kryetari i kësaj dege, Mustafë Krasniqi, i ka thënë Gazetës Blic se presidenti i dikurshëm i Kosovës, Sejdiu, duhet të jetë propozim i kësaj dege, e rrjedhimisht edhe kandidat për t’u bërë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.
“Nuk mund të jap një përgjigje të saktë ende se a do të jetë ai në listë, sepse nuk kemi filluar në kuptimin e formulimit të listës definitive. Një të sigurt që mund ta jap është se presidenti Sejdiu e ka vendin në listë, por a do të pranon që të jetë pjesë e listës, dhe a është dëshirë e tij që të jetë pjesë e listës, ne ende nuk kemi marrë konfirmim prej tij”, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se ende nuk kanë biseduar me Sejdiun për të marrë qëndrimin e tij nëse do të pranojë ose jo që të jetë pjesë e listës.
“Normal që ne llogarisim në të. Normal që ne e dimë që ai duhet të jetë pjesë e listës, dhe duhet të jetë pjesë e listës, por është çështje e presidentit Sejdiu a do të pranojë dhe a do të jetë pjesë e listës. Por t’iu them të drejtën ende nuk kemi kërkuar diçka të tillë”, ka thënë kryetari i Degës së Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Mustafë Krasniqi

Më Shumë

Digjitalizimi i shërbimeve publike në Prizren: Prioritet për shërbime më të shpejta dhe transparente

Drejtori i Administratës në Prizren, Edin Shehu, mori pjesë sot në panelin e diskutimit mbi temën “Rëndësia e Digjitalizimit të Shërbimeve Publike në Prizren:...

Ylli shkëlqen në Therandë

Golden Eagle Ylli shënon fitore të rëndësishme ndaj Pejës me rezultat 72:64 (16:19, 26:17, 16:23, 14:5) në javën e 25-të të ProCredit Superligës. Për Yllin...

Derbi në kryeqytet

Lajmet e Fundit