Samir Hoxha
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, mbështetur nga Ministra e Kulturës Rinisë dhe Sporteve me rastin e 18 vjetorit të fillimit të intervenimit të NATO-së mbi agresorin serb në Kosovë, ka bërë hapjen e ekspozitës tematike: “Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Sfida e Marsit 1999”
Projekti në fjalë pasqyron Muzeun Historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe 288 eksponatet që kanë qenë të ekspozuara në Muze deri më 27 mars 1999.
Kjo ekspozitë tematike ka për qëllim ndriçimin e djegies të qëllimtë të Muzeut me të gjitha eksponatet që ndodheshin natën kritike të 27 marsit 1999 si dhe shkatërrimin e shtatoreve që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit të LSHP-së., ku të gjitha këto fakte do t’i paraqiten përmes fotografive me legjendat përkatëse.
Për Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, sot është një ditë e veçantë, sepse me rastin e 18 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, të bëj hapjen e një ekspozitë tematike, përmes së cilës po dëshmojmë një gjenocid të egër mbi vlerat kulturo- historike jo vetëm të Kosovës por të mbarë trojeve shqiptare.
Përmes fotografive të kësaj ekspozite, do të ketë mundësi për herë të parë opinioni mbarë shqiptarë të shoh se si në mënyrë sistematike kishte përjetuar dhunë Kompleksi i Lidhjes, që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, kur pikërisht në këtë kompleks do të sillen refugjatë serbë nga Kroacia me qëllim që të shkatërrohet çdo gjë shqiptare, pastaj do të vidhen e plaçkitën eksponatet unikate të Lidhjes, të cilat plaçkitje ishin mirë të orkestruara nga pushteti okupues serb.
Por, kulmin e dhunës ky kompleks do ta përjetoi në natën e 27 marsit të vitit 1999, kur pas urdhrit të prerë të kryetarit të atëhershëm të Komunës së Prizrenit do të sulmohet me predha shtëpia e lidhjes, përkatësisht do t’i vihet flaka në ora 23:00 dhe të nesërmen do të përpiqen që ta dezinformojnë opinionin e gjerë se gjoja shkatërrimi i shtëpisë së Lidhjes u bë nga sulmet e NATO-së, por përmes kësaj ekspozite siç do të shihet do të dalin në shesh të gjitha këto kamuflime..
Kriminelët serbë, nuk u ndalën vetëm me kaq ata pasi dogjën shtëpinë e lidhjes, rrafshuan, në vend të ndërtesës mbollën therra, për ta denigruar edhe më shumë rolin dhe rëndësinë historike të këtij kompleksi
Sot në kuadër të OKB-së në fushën e të drejtës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si organ i spacializuar vepron UNESCO. Programi i kësaj organizate është formuluar shumë qartë në parathënien e Konventës së Parisit të vitit 1972. Pika e parë e këtij programi shënon se zhdukja apo dëmtimi i vlerave që i përkasin trashëgimisë kulturore ( këtu përfshihen edhe muzetë) përbën një akt shkatrrimi për të gjithë trashëgiminë botërore.
Një vend të rëndësishëm në rekomandimet e UNESCO-s zënë edhe problemet e kthimit të artefakteve apo dokumenteve në vendet, që në ta kaluarën ndodheshin në pushtimin ose adminitrimin e huaj.
Në të gjitha aktet ndërkombëtare egziston koncepti se “ domunetet historike duhet ti përkasin asaj toke e cila e pa se si lindën”
Luftrat dhe kolonizimet kanë shkaktuar shkelje të rënda të të drejtave individuale dhe kolektive që janë përsëritur me vjet: gjenocidet, vrasjet, torturat dhe diskriminimet e të gjitha llojeve përfshir këtu edhe shkatërrimin e të kaluarës kulturo – hisotrike.
Kur këto krime kanë pushuar, fillon periudha e pastrimeve dhe riparimeve të pabëra që i ka bërë njeriu. Prandaj me të drejtë duhet të shtrohet çështja e dënimit të atyre që i kanë shkaktuar këto krime.
Madje pikërisht përmes këtyre fotografive që sot po ekspozohen , egziston bazë e mjaftueshme edhe për ngritjen e padisë ndaj personave që kryen këtë vepër makabër mbi trashëgiminë e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare.