19.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Shkrimtarët shqiptarë dhe kosovarë së bashku për të zbuluar letërsinë shqipe

Behar GjokaQendra letrare “Pjetër Budi” i ka bërë thirrje të gjithë shkrimtarëve dhe studiuesve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të qenë pjesë e tryezës: Letërsia e sotme shqipe si fenomenologji. Tryeza do të trajtojë disa çështje si: Kahjet e ligjërimit poetik, tipologjia e prozëshkrimit, metatekstet kritike dhe studimore, etj, dhe do të zhvillohet vitin që vjen.

Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” do të ketë në fokus arritjet e periudhës së parë të letrave shqipe dhe letërsinë e sotme, e cila sipas studiuesve të letërsisë ende nuk ka gjetur vendin që i takon. Për kryetarin e saj, Behar Gjoka, puna me këtë qendër studimesh ka nisur, dhe tashmë është hartuar dhe projekti mbi aktivitetin në vijim. Studiuesi Behar Gjoka, ka jo pak kritika dhe ndaj institucioneve shtetërore apo dhe studimeve nga akademikët, që sipas tij nuk kanë qenë sa duhet në funksion të zhvillimeve letrare dhe studimit të letërsisë.

Kryetari Gjoka tregon se kjo qendër do të funksionojë, duke e parë letërsinë shqipe në tërësi, që nga zanafilla deri tek letërsia bashkëkohore, që nis më ’44 e deri tani. “Letërsia shqipe që nga zanafilla deri tek letërsia bashkëkohore e zhvilluar më ’44 dhe deri tani do të jetë në fokus të Qendrës së Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Kjo qendër do të ketë një program të saj mbi aktivitetet, por siç e kam pohuar dhe më herët politikat e Ministrisë së Kulturës ndër vite në fushën e letërsisë nuk janë parë në favor të saj. Letërsia shqipe është një univers që pret të zbulohet si identifikim, e cila nuk ka ndodhur realisht”, tregon studiuesi Gjoka.

Kjo qendër studimesh, ka si nismëtarë një grup shkrimtarësh dhe studiuesish nga Shqipëria dhe Kosova, dhe studiuesi Gjoka pohon se në vëmendje në takimet që do të bëhen do të jenë shumë probleme, që has sot libri dhe letërsia. Jo pak akuza studiuesi Gjoka ka dhe në drejtim të Ministrisë së Kulturës. “Në Ministrinë e Kulturës, në të gjitha pohimet dhe deklarimet e tyre ata e quajnë vlerë të jashtëzakonshme përkthimin, por kultura kombëtare nuk është përkthimi.

Kultura kombëtare është libri shqip. Ministria e Kulturës, që ka detyrë të mbrojë librin shqip, ka marrë përsipër që të zëvendësojë detyrën e përkujdesjes ndaj librit shqip me një libër të përkthimit, sepse aktualisht ministrja është përkthyese, duke përshtatur institucionin sipas profesionit të saj. Edhe përkthimi ka rëndësi, por këtu ka ndodhur, që ministria devijon në shërbim të përkthimit detyrën e institucionit, që duhet të ketë në vëmendje librin shqip, letërsinë”, pohon studiuesi Behar Gjoka, kryetar i Qendrës së Studimeve “Pjetër Budi”.

Ndërtimi i urave të komunikimit në letërsi

Qendra ka vetëm pak ditë që është krijuar, dhe studiuesi Behar Gjoka thekson se në vëmendje të punës që do të bëjnë shkrimtarët dhe studiuesit do të jetë dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit mbi problemet e letërsisë.

“Letërsia është specifike dhe trajtimi i saj po ashtu. Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” do të bëjë çfarë është e mundur që të ndërtohen ura komunikimi, jo si klane dhe institucione zyrtare, por si bashkëpunim real i krijueseve, poetëve, prozatorëve, studiuesve, për të debatuar problematikat e letërsisë së sotme, jo vetëm në rrafsh didaktik dhe mësimor, por të hapësirës universale që përfshin letërsia. Letërsia shqipe nuk është monopol i askujt, as i ministrive, as i akademikëve, por është vlera shpirtërore e kombit”, shprehet studiuesi Gjoka.

Ndërkaq që qendra letrare “Pjetër Budi” i ka bërë thirrje të gjithë shkrimtarëve dhe studiuesve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të qenë pjesë e tryezës: Letërsia e sotme shqipe si fenomenologji. Tryeza do të trajtojë disa çështje si: Kahjet e ligjërimit poetik, tipologjia e prozëshkrimit, metatekstet kritike dhe studimore, etj, dhe do të zhvillohet vitin që vjen. /SotNews/

Më Shumë

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Lajmet e Fundit