22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Strukturë e fortë poetike e Matoshit

HalilMatoshi-nzanafille“N’zanafillë” (Shéja stilistike për gjanat e (pa)harrume), Halil Matoshi, Poezi, Botoi OM 2014.

Është një e vërtetë e njohur tashmë se njeriu është poezia e tij dhe poezia është vetë njeriu: mjaftueka sall njana me u dritësue (një farë e spermës)/me u ba njeri/me u ba poezi… (Qenia, shkrimi…).

Lexuesi ka në dorë një libër me një strukturë të fortë poetike dhe saktësi gjuhësore, e cila me anë të imazheve poetike dhe metaforave bindëse i sugjeron idetë dhe emocionet, shkruan në vështrimin Xhevdet Bajraj botuar në Koha Ditore.

Si të gjithë poetët e rëndësishëm, Halil Matoshi e përdor intuitën, përderisa me një stil konciz përballet me realitetin, për të provuar t´i hapë disa pyetje me rëndësi në shoqërinë tonë të pasluftës, pra të lirisë, i rrethuar nga fabrikat për prodhimin e tymit, mjegullës, e në rastin më të mirë: asgjësë, ku pos të tjerave, prek temën e dialektit gegë, si ta zëmë në poezinë me titull ‘Guhë e Gegët’: /Udhëton e vetmueme /Jashtë Udhës së Tamblit nëpër meteorë/ E druajtshme si nji nuse e re në nji shtrat t’huej/ Si përlat e humbuna n’Dri/.

Mbase poezia më e mirë lind nga kaosi, nga plagët që vazhdojnë të kullojnë gjak a qelb, mbase historia e njerëzimit është e tillë dhe për fat të keq apo të mirë, poetit i takon ta përshkruajë aventurën: nga balta në baltë. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se letërsia, poezia, është digë mbrojtëse dhe në qoftë se poezia ndoshta nuk arrin t´i fisnikërojë ndjenjat, ajo megjithatë do t´i shërbejë diçkaje: ia jep një kuptim kotësisë së ekzistencës”.

(Danilo Kish, “Homo poeticus”)
Poezia që shkruhet sot në masë të madhe sikur turpërohet nga poetët. Më bien ndërmend vargjet e poetit amerikan Ch. Bukowskit, i cili e përshkruante Zotin derisa me këmbën mbi këmbë e pyeste veten se ku ka gabuar, përderisa ka kaq shumë poetë në botë e kaq pak poezi.

Mohimi i realitetit është burim i të gjitha të këqijave. Realiteti sot në Kosovë është i vrazhdë dhe sado që të jetë i tillë, poeti Halil Matoshi ballafaqohet me këtë realitet, e heq velin e bukur qoftë ai edhe në emër të lirisë dhe denoncon realitetin e tillë çfarë është, realitetin e shëmtuar dhe kështu bile ndërgjegjen e tij prej poeti e ka të pastër.
Në poezitë: “Dita e lirisë”, “Lutje -I-“, “Lutje III”- etj.

Poeti është sall ndërmjetës, ai e shpalos këtë realitet dhe e ka parasysh se vetëm ai që nuk e respekton realitetin mund të ndryshojë atë. Përndryshe kanoset rreziku që Arti i gërditjes, që paralajmërohet në poezinë “Letër Arben Idrizit”, të shndërrohet në propozim estetik, në një rrymë letrare dhe në propozim etik kur kemi të bëjmë me jetën e shtetit më të ri të kontinentit të vjetër.

Antoni Artaud pati thënë që nuk ekziston njeri që ndonjëherë ka shkruar, apo pikturuar, skalitur, modeluar, ndërtuar, shpikur, veç për të dalë jashtë ferrit.

Arti ekziston për arsye se njeriu kurrë nuk ka qenë në paqe me realitetin, i ngopuri ka kënduar, ndërsa i urituri ka thurur vargje apo ka pikturuar brenda kullës së fildishtë a brenda shpellës, sidoqoftë, është përpjekur për ta ndryshuar atë realitet.

Poezia e Matoshit në mënyrë të sinqertë flet për këtë realitet, jo që flet, por klith bile.

Autori e di se detyra e poezisë është donkishoteske, e madhe dhe fisnike, një luftë e humbur ende pa filluar, ndërsa fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi, polaku Czeslaw Milosz “merr guximin” dhe në një poezi të tij pyet: “Çfarë lloj poezie është ajo që nuk i shpëton kombet dhe popujt”?

Qartësia e vargut, sidomos kur në vete përmban imazhe poetike, është një nga detyrat më të vështira të poetit. Matoshi këtë e arrin në mënyrë të përsosur saqë mesazhi që na vjen nga vargu e marrim pothuaj jo nëpërmjet gjuhës, por me ndihmën e imazheve, si të ishin videoklipe. Të arriturat e këtij libri na paraqiten të lira dhe spontane kështu që lexuesi, ashtu si edhe duhet të ndodhë kur gjendemi para një poeti të mirëfilltë, nuk ka qasje në përpjekjet apo orvatjet e autorit që fshihen pas këtij rezultati.

Tashmë është një gjë e pranuar se origjinaliteti letrar pothuaj gjithmonë rrjedh nga sinqeriteti. Anton Çehovi në lidhje me këtë pati thënë: Kurrë nuk duhet të gënjehet.

Arti e ka këtë madhështi të veçantë: Nuk e toleron gënjeshtrën.
Mund të gënjehet në dashuri, në politikë, në mjekësi, mund të mashtrohen njerëzit madje edhe nga Zoti, por në art nuk mund të gënjehet.

Mexico City, qershor, 2013

Legjenda: Është një e vërtetë e njohur tashmë se njeriu është poezia e tij dhe poezia është vetë njeriu: mjaftueka sall njana me u dritësue (një farë e spermës)/me u ba njeri/me u ba poezi… (“Qenia, shkrimi…”)

Më Shumë

Paraqitet në stacionin policor në Rahovec, policja e raportuar si e zhdukur

Policja e raportuar si e zhdukur është paraqitur në stacionin policor në Rahovec. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e...

Aksion pranveror në Prizren, nis mbledhja e mbeturinave të vëllimshme

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nga sot do të fillojë aksionin...

Lajmet e Fundit