25.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Struzhës së Prizrenit i rikthehet jeta

Struzha, fshati i vetëm shqiptar në mesin e 19 fshatrave të Luginës së Lumbardhit (ish- Zhupa) të banuara me popullatë boshnjake e serbe për mungesë të kushteve normale të jetës rrezikonte të zhdukej. Fshati ka pasur 450 familje, por të cilat janë shpërngulur nga ky fshat, shumica janë vendosur në Prizren, por edhe në vende të tjera. Fshati është larg Prizrenit rreth 17 kilometra. Përfaqësuesi i fshatit, Ramadan Muji, me keqardhje kujton kohët kur fshati kishte qindra shtëpi dhe mijëra banorë, ndërsa tani këtu jetojnë vetëm 25 familje me më pak se 200 anëtarë. Maliq Pireci, që tani banon në Prizren nga ky fshat i ardhur, në vitin 1999, thotë se asokohe fshati kishte 97 familje me rreth 800 anëtarë.

“Popullata e atjeshme jeton kryesisht prej ndihmave të farefisit që punojnë jashtë vendit si në Itali, Austri, Slloveni etj”, shpjegon Ramadan Tafallari. Ai pohon se ky fshat rrezikon të mbetet pa asnjë banor. Mirëpo, sipas tij, me ndërtimin e rrugës së asfaltuar prej 9 km, shpresohet se do të ketë iniciativa për kthim në vendlindje. Tafallari shpreh gëzimin tij se tashmë shumë struzhjanë kanë filluar të mendojnë që atje të rikthehen ose së paku të zhvillojnë bizneset e tyre, ngase atje ka kushte shumë të mira për të zhvilluar blegtori, e pse jo edhe turizëm. Koordinatori i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, Shkodran Kryeziu thotë për gazetën se është paraparë që të zhvillohet turizmi rural e familjet që kanë mbetur atje janë të gatshme t’i presin turistët vendorë dhe të huaj me ushqime tradicionale, kulturë vendore, akomodim etj. Ai mendon se në këtë pikëpamje fshati Struzhë do të jetë pika më atraktive e një zhvillimi të turizmit malor e rural, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji dhe ajri i pastër

Kryeziu pohon se infrastruktura tanimë është rregulluar në Struzhë, si rrugicat e fshatit, pastaj ekziston ambulanca, objekti i shkollës, kanalizimi, që shumica prej këtyre ishin vepër e vetëkontributit të këtyre banorëve para e pas lufte. Ramadan Tafallarin e mban shpresa se jeta do të rikthehet në Struzhë. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren, Hasan Hasani pohon se do të kenë në prioritet të gjitha nevojat e atij fshati për të kthyer ata banorë që kanë dëshirë të jetojnë atje. “Është shumë me interes që banorët atje të kthehen dhe të bëjnë jetën e tyre të bukur. Fshati ka bukuri të rrallë”, pohon ai. Por, edhe vetë disa nga banorët e këtij fshati tani pas asfaltimit të rrugës kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer atje dhe për të filluar jetën, ngase thonë se atje kanë shumë kujtime të mira për jetën e dikurshme. Uji dhe ajri janë të pastër në këtë fshat dhe ekzistojnë edhe kushtet për zhvillimin e blegtorisë. Por, është fatkeqësi se deri më tani nuk ka pasur asnjë nxitje e asnjë lloj benificioni për të zhvilluar blegtorinë. Banorë të fshatit shpresojnë se do të gjejnë përkrahje për të zhvilluar blegtorinë e kësaj ane.

Shtëpitë pushimore

Dikur fshati ishte i njohur për valle, për lojëra të mundjes, e më shumti ishte i njohur për mikpritje, për bukë, kripë e zemër… Shtëpia e malorëve e njohur nga prizrenasit tani shfrytëzohet nga Shoqata e Bjeshkatarëve të Prizrenit, por Tafallari shpjegon se tashmë është një projekt që atje të fillojë ndërtimi i shtëpive pushimore dhe turizmi të bëhet një nga drejtimet ku mund të punësojë qindra të rinj. Struzha pritet t’i kthejë bijtë e bijat dhe Struzha do të jetë njëri nga vendet më të bukura turistike në Luginën Lumbardhit.

Kurse drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj shpjegon se aktualisht në SHFMU ”Anefi Muji” mësimin e vazhdojnë vetëm 9 nxënës dhe ka 5 mësimdhënës, drejtorin e shkollës, i cili edhe jep mësim, dhe një punëtor teknik. “Por, na mban shpresa se ngritja dhe rregullimi i infrastrukturës atje të shtojë numrin banorëve, sepse duke shtuar numrin banorëve shtohet edhe numri i nxënësve”, shprehet ai. Tregon se fshati është pika më e largët dhe nuk kanë arritur të mundësojnë bartjen e atyre nxënësve në ndonjë shkollë në Prizren, pasi Struzha është e rrethuar me fshatrat që kanë komunitet boshnjakë. Këto ditë, kur disa bashkatdhetarë kanë ardhur në Prizren, kanë marrë iniciativë që të rikthehen në këtë fshat. Disa mendojnë të bëjnë shtëpi- konakë për turistë, dikush të merret me blegtori, e disa syresh edhe me bletari.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Malisheva voton buxhetin për vitin 2025

Sot Asambleja Komunale e Malishevës me shumicë votash, miratoi buxhetin për vitin 2025, në vlerë prej 21,499,545.01 euro. “Ky buxhet është gjithpërfshirës dhe në interes...

“Bindi”, tregim nga Mehmet Kraja

Johan fon Bergmanin nuk e pa askush nga ne, kur arriti në Tivar me tri mushka ngarkuar. Ai u shfaq te Hani i Nënkalasë...

Prizreni pa rivalë

Lajmet e Fundit