5.2 C
Prizren
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Traditë 79-vjeçare e shkollës fillore në Greikoc

Zhvillimi i arsimit dhe i edukimit fillor në tërë periudhën e pasluftës ishte objekt i vëmendjes i të gjithë faktorëve shoqërorë.

Ishte imperativ i kohës për përhapjen e shkollave shqipe në Kosovë.

Shkolla në gjuhën shqipe në Greikoc u hap për herë të parë në shtator të vitit 1945. Deri në këtë kohë, në fshat dinin shkrim-lexim disa dhe atë në gjuhën joamtare (serbokroate).

Në këtë vit, shkolla e atëhershme, që startoi në klasën e parë ishte vendosur në një shtëpi private, e cila ishte adaptuar e që nuk i plotësonte as për së afërmi kushtet për mësim.

Mësuesi i parë ishte Prenk Thaçi. Shkolla në gjirin (klasa e parë) e saj kishte 27 nxënës moshash të ndryshme. Me vazhdimin e arsimit fillor, kjo shkollë u bë, shkollë katërklasëshe, ku mësimi zhvillohej me klasë të kombinuara dhe funksiononte si shkollë e pavarur, ku më vonë iu bashkua shkollës “V.I. Lenin” të Mushtishtit, e cila vazhdoi punën deri në vitin shkollor 1968/1969.

Në këtë vit shkollor kalohet në objektin e shkollës së re (shkolla e tashme) njëherit bën edhe transferimin, që ishte si paralele e ndarë fizike e shkollës së Mushtishtit dhe kalon si paralele e ndarë fizike e shkollës fillore “Migjeni” të Gjinocit.

Kjo paralele e ndarë fizike vazhdoi punën edukativo – arsimore deri në vitin shkollor 1970/ 71. Në këtë vit pavarësohet si shkollë e plotë tetëvjeçare dhe pagëzohet me emrin “Aradha e Sharrit”, ku kishte paralele të ndarë fizike, shkollën katërklasëshe të Sallagrazhdës. Si shkollë e plotë punoi deri në fund të vitit 1973. Për shkaqe objektive e subjektive iu imponua që t’i bashkëngjitet përsëri shkollës fillore “Migjeni” të Gjinocit. Kështu që, puna edukativo – arsimore e kësaj shkolle u rikthye si paralele e ndarë fizike, ku vazhdoi deri në vitin shkollor 1983/84.

Në vitin shkollor 1984/85 (pikërisht më 31.8.1984) përsëri pavarësohet dhe pagëzohet po me atë emër, që kishte më parë – “Aradha e Sharrit”. Ishte shkollë e plotë tetëvjeçare. Po në këtë vit shkollor njëherë e përgjithmonë u vunë punët për së mbari. Me shtimin demografik të popullatës shtohej edhe numri i nxënësve, si dhe interesimi për shkollim. U ndie nevoja, si dhe u rrit vullneti i popullatës, që të ndërtohet objekti i ri i shkollës, ku në sajë të vetëkontributit të fshatit u ndërtua shkolla, ku sot mësojnë nxënësit tanë.

Me pavarësimin e shkollës sonë pati një rritje të interesimit për shkollim dhe shtim të numrit të nxënësve; përsosshmëri profesionale të kuadrit arsimor dhe rezultate të suksesshme në procesin mësimor.

Arsimi fillor, në shkollën tonë pati rritje të konsiderueshme, ku pas kryerjes së klasës së tetë mbi 90% e semimaturantëve vazhdonin shkollimin në shkolla të mesme e në drejtime të ndryshme. Kjo përparësi e shkollimit u arrit, sidomos në vitet e 70-ta e deri në vitet e 90-ta.

Por, me trysninë dhe represionin që i është bërë Kosovës në të gjitha sferat e jetës nga Serbia, arsimi pësoi traumë të rëndë, si dhe iu ngulfat fushëveprimi i kësaj sfere. Arsimi shqip përjetoi ditë të rënda, ku kërkohej edhe mbyllja e shkollave shqipe. Por, falë kuadrit arsimor u mbijetua ajo kohë dhe u vazhdua me shkollimin e brezave të rinj, ndonëse në kushte tejet të vështira. Për herë të parë u punua me planprogramet e Kosovës. Njëherë e përgjithmonë sistemi arsimor i Kosovës u nda nga Serbia dhe vazhdoi rrugëtimin e saj deri në ditët e sotme. Gjithmonë krenare dhe me respekt.

Në vitin 2006, me vendim të Qeverisë së Kosovës, konkretisht të MASHT-it, nr. 839/01 – B iu ndërrua emri shkollës nga “Aradha e Sharrit” në emrin “Dëshmorët e Greikocit”. Këtë emër e mban krenare shkolla jonë, duke përkujtuar sakrificën sublime të dëshmorëve të fshatit tonë.
Dita e shkollës sonë festohet më 5 prill në shenjë nderimi për dëshmorët që dhanë më të shtrenjtën – jetën për lirinë që po e gëzojmë sot.

Fikret RAMAJ

Më Shumë

SBAShK-u paralajmëron protestë më 4 dhjetor

Më katër dhjetor, punëtorët e arsimit do të protestojnë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur...

Shi e borë sot

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se moti sot do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu dhe bore. Në njoftimin e...

Zemra e Forcës

Lajmet e Fundit