10.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Tre raste të reja me HIV / AIDS në Kosovë

HIV-logoGjatë vitit 2013 në Kosovë janë regjistruar tre raste të reja të prekura nga virusi infektiv HIV / AIDS. Kështu u bë e ditur të shtunën në përmbyllje të Javës Evropiane të Testimit për HIV.

Në këtë rast, ministri i shëndetësisë Ferid Agani, ka thënë se ministria që ai e udhëheq është e vetëdishme për rrezikun që ekziston nga HIV/AIDS, por që sipas tij, shkalla e rrezikshmërisë së kësaj sëmundje në vendin tonë është e ulët.

Agani po ashtu ka treguar se, prej vitit 1986 kur edhe është regjistruar rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë, sipas tij, për 27 vjet janë shënur 90 raste ku 40 prej të cilave kanë përfunduar me vdekje. Sipas tij, këtë vit ka pasur tre raste të reja, përderisa 15 pacientë kosovarë marrin terapi antiretrovirale, të cilën e siguron vetë ministria.

“MSh me partnerët do të vazhdojë me aktivitete të tjera dhe sot ka filluar punën edhe Grupi Punues për hartimin e Strategjisë së re pesë vjeçare kundër HIV/AIDS-it në Kosovë. Parandalimi është mënyrë më e mirë, prandaj aktivitetet e ardhshme do t’i fokusojnë më shumë në parandalim”, ka thënë Agani, i cili bërë thirrje e sidomos të rinjve, që të parandalojnë marrëdhëniet e rrezikshme seksuale, të parakohshme dhe jashtëmartesore si dhe bëri thirrje që kjo sëmundje të mos jetë një temë tabu, por që të diskutohet hapur për të për shkak të rrezikut dhe pasojat që përcjellë kjo sëmundje, shkruan Zëri.

Ndërkaq, Izet Sadiku infektolog dhe kryesues i Grupit Punues për Strategjinë e re kundër HIV/AIDS-it, ka thënë se Kosova mund të krenohet me të arriturat në fushën e mbatjes nën kontroll dhe parandalimin e kësaj sëmundje, falë veprimit të koordinuar mirë.

Sipas tij, fakti që Kosova prej vitit 2003 ka pasur Strategji kundër HIV/AIDS-it para shumë shteteve dhe para disa viteve ka hapur edhe qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar, tregon se në këtë fushë është punuar shumë.

“Derisa në Shqipëri sivjet është raportuar për 100 raste të reja me HIV infeksion, në Kosovë sivjet janë shënuar vetëm 3 raste dhe kjo flet se është punuar mirë në parandalim”, tregoi ai, i cili shtoi se edhepse është arriturky sukses nuk ka vend për vetëkënaqësi.

“Në Strategjinë e re do të fokusohemi për parandalim, ashtu që edhe në të ardhmen, Kosova të jetë storie suksesi në luftën për parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të HIV/AIDS-it në Kosovë”, ka thënë Sadiku.

Edhe Ilir Begolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka thënë se, Kosova mund të konsiderohet si një shtet i krenarisë për shkak të nivelit të ulët të rrezikshmërisë me HIV infeksion, por edhe shtret i brengave, duke e ditur numrin e madh të të rinjve.

Ai u ka bërë thirrje të rinjve dhe shtresave të tjera, që të shmangin faktorët e rrezikut siç janë drogat intravenoze, marrëdhëniet seksuale të pa mbrojtura dhe shprehitë e tjerë që e favorizojnë HIV infeksionin. Java Evropiane e testimit për HIV, ishte e organizuar nga Komiteti Kosovar për AIDS me moton “Fol për HIV, Testohu për HIV”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit