Na ishte dikur por…edhe sot.. U liruam nga Burgu i Sllavonska Pozhegës në korrik të vitit 1990 pasi Kroacia u bë shtet demokratik dhe Tuxhmani i zbrazi burgjet kroate duke i liruar të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë. Nëse nuk gaboj, para grupit tonë u lirua grupi tjetër në me krye Bacën Adem. Mbase vlerësimi ishte se ne ishim më të rrezikshëm andaj na mbajtën nja dy muaj më shumë se të tjerët. Për të qenë korrekt më duhet të pranoj se ditën kur na u komunikua vendimi për lirim nga burgu grupi i të burgosurve politikë ku isha edhe unë ishim duke mrizuar në një vend të izoluar, i paraparë që aty t’i kalonin pushimet vjetora femrat e dënuara që vuanin dënimin në Burgun e Sllavonska Pozhegës e të cilat nuk kishin familje prandaj nuk kishin ku të shkonin. Vendosja aty ishte emergjente shkaku se na transferuan nga një burg i tipit të hapur ku na kishin dërguar të na pregatisnin për liri. Sa e liruan Bacën Adem , na dërguan neve. Mirëpo, ne që kishim kaluar ditë shumë të vështira në llogoret e Lepogllavës, ferrin e Gospiqit, kampin e Stara Gradishkës, të Goli Otokut ndjeheshim të fyer nga këto kushte përrallore duke menduar se :” armiku do të na kompromitojë në fund të dënimit”! Me përjashtim të një grupi të vogël që kishte kapacitete të kuptojë ndryshimet që kishin ndodhur në Kroaci, të tjerët këmbëngulnim se :” bar do hamë dhe nuk do heqim dorë nga rruga e marksizëm – leninizmit”. Unë nuk kam dashur të kullos bar! Personalisht, në çastin kur ka ardhur një delegacion shtetëror kroat për ta komunikuar vendimin për lirimin tonë unë kam qenë hypur në një vishnje, i thekur nga dielli dhe në kondicion të plotë. Ama kjo ka zgjatur vetëm një muaj . Mbaj mend se kur na është komunikuar vendimi për lirim të menjëhershëm asnjëri nga të burgosurit politikë shqiptarë nuk e ka shfaqur as ndjenjën më të vogël të gëzimit. Madje, nuk kanë folur fare ndonëse dikush ka përfituar deri me 6 vjet falje. “ Kakvi ste vi ljudi …” ( çfarë njerëz jeni …) ishin fjalët e nënsekretarit të shtetit kroat kur nuk reagoni fare për këtë falje! Në emër të grupit , jo pse isha më i mençuri apo më trimi ( madje ishte e kundërta ) por pse e flisja gjuhën kroate më mirë shkaku se pata studiuar në gjuhën serbo-kroate thashë se ne jemi dënuar sepse kemi kërkuar të jemi të lirë dhe të barabartë me të tjerët prandaj nuk kemi asnjë arsye të festojmë sepse vetëm po na ndryshohet vendbanimi nga një burg i vogël në një burg të madh. Tashë gjithashtu se shumica e neve që po lirohemi përsëri do të përfundojmë në burgje apo edhe të vrarë sepse nuk pajtohemi me statusin tonë! Ashtu edhe ndodhi! Në Kosovë na pritën shumë mirë. Si heronj, viktima të shumëvuajtur etj. Baca Adem na thoshte të mos kyçemi as në LDK e as në PF sepse, si të damkosur nga regjimi serb mund ta dëmtojmë procesin politik. Në fakt , edhe këta që merreshin me politikë nuk ndjeheshin mirë të ishim afër tyre! Kishte ndryshuar konfiguracioni politik; kontribuesit e çështjes kombëtare margjinalizoheshin ndërsa udbashët , prokurorët, gjyqtarët, diferencuesit dhe ndjekësit tanë dhe familjeve tona me një shpejtësi të rrufeshme i kapnin majat e piramidës politike. U bënë zëri i “ ndërgjegjes “ kombëtare dhe patriotizmës. Him Gova me shallin e tij dhe lutjet e së premeteve u bë ikonë e burracakërisë duke përdorur taktikën : “ fol ( sa të lejohet ) e mos bë gjë”! Guerile tipike! Bukoshi si urolog dhe njohës i organeve, sidomos atyre që përcaktojnë burrërinë por edhe trimërinë te femrat, i vendosi organet e veta mbi tavolinë deri në kohën kur filluan të ngriten temperaturat! Më vinte turp të flisja për mbretëreshën Teutë , Tringën apo Shotë Galicën kur aty ishte Kaçusha për të cilën këndohej :” nëpër borë e nëpër shi, oj Kaçushë oj bukuri..”. U binda gjithashtu se historia ishte shumë e padrejtë duke na mësuar se Azem Bejta , Shaban Polluzha , Isa Boletini , Hasan Prishtina , Bajram Curri ishin patriotë të vërtetë në ndërkohë që shkëlqente ylli më i ri patriotik. Ai i Azem Vllasit Historianët e Fadilit, të Ali Shukrisë rishkruan historinë e re! Të burgosurit politikë shqiptarë kryesisht u aziluam në KMDLNj , LPK, LKÇK, UNIKOMB apo në shtetet perëndimore. Ishin këto kohë të lavdisë dhe krenarisë kombëtare. Ku bashkëjetonin viktima dhe dhunuesi. Edhe tash dhunuesi ishte në pozitë superiore! Hanin me dy lugë duke punuar për UDB-në dhe duke u angazhuar politikisht në alternativën kosovare! Rifilluan arrestimet, rrahjet, vrasjet e atyre që realisht paraqisnin rrezik për regjimin serb. Ata që si rezistencë përdornin shkathtësitë orale, kalonin shumë mirë! I kishin të trashiguara këto cilësi nga etërit e tyre. Ata edhe sot jetojnë mirë në demokracinë e Kosovës!
Punoja atëherë në supermarketin “ VLORA” në Besianë dhe njëkohësisht isha udhëheqës i NKMDLNj për Llap dhe Gollak. Punonim shumë dhe ky supermarket u bë zyrë e Këshillit ku vinin të gjitha informatat dhe përcilleshin në Prishtinë! Kishte blerës edhe nga ana e pushtetit por edhe e atyre që ishin kundër shtetit! Disi, sidomos në kohën e pasditeve aty mblidheshim sikur në klubet e Bukureshtit ku bëheshin biseda politike. Frekuentues i rregullt ishte i pavdekshmi Xheladin Rekaliu i cili edhe sot mbeti i margjinalizuar për shkak të modestisë së tij dhe mosbindjes ndaj atyre që ishin trafikantë të thjeshtë të çështjes kombëtare! Ishte koha e një rilindjeje të trimërisë dhe gatishmërisë për sakrificë! Mirëpo ishte koha kur në skenë dolën Grujoviqi, Cipiripi, Bosanaci dhe Biri i Dragqes! Që u bënë tmerri vet për shqiptarët e kësaj ane. Me sa kam informatat asnjë politikan i Llapit në atë kohë nuk e ka hëngër as një shuplakë të vetme nga ta. E di që janë rrahur keq Xheladin Rekaliu dhe Bajrush Behrami! E kam fjalën për të ashtuquajturit top politikaj sepse aktivistët e “ thjeshtë” rriheshin , arrestoheshin, përndjekeshin dhe mbyteshin nën torturë siç ishte rasti i Sabit Latifit. Dhe shumë raste të tjera. Atëherë ishin kohëra të lavdisë së madhe ku këndoheshin këngë për patriotët e rinj dhe politikanët premtues të çështjes kombëtare siç ishin këngët për Shkelzen Maliqin, Blerim Shalën, Veton Surroin , Lil Matoshin etj. Unë i dëgjoja këto këngë me pasion , mburresha me trimërinë e tyre duke u frymëzuar porse ky frymëzim zgjaste vetëm sa edhe kënga! Pastaj kthehesha në folenë e frikës sime i vetëdijshëm se : “ nuk hyhet dhëndërr me k…të huaja”! Ose je trim ose nuk je! Është me të leme dhe jo me të bleme!
Një e premte në gjashtë të mëngjesit : Pasi e hapa dyqanin dhe dëgjoja këngë për vizitën e alternativës kosovare në Vashington përkatësisht këngë për Shkelzenin dhe Halilin , në dyqan hyri një burrë afërsisht 30 vjeçar, 2 metra i gjatë dhe nja 130 kg i rëndë. E pyeta nëse mund t’i shërbej diçka në kohën kur ai dridhej si thupra në ujë! E pyeta nëse ka të ftohtë apo është i sëmurë kurse ai u përgjigj se ishte edhe më keq. Nëse e ka dikend të sëmurë në familje, ndonjë bela apo mos ka rast vdekje. I mohoi të gjitha duke thënë se e ka edhe më keq! Nuk e kuptoja prandaj këmbëngula të tregojë se çka e mundon. Përgjigja e tij ishte se në ora 8.00 e ka thirrë polic Grujoviqi në zyrë prandaj …! Nën përshtypjen e muzikës së një shiriti të blerë në tregun e plaçkave në Prishtinë e kapa për krahu dhe e nxora nga dyqani me fjalët :” nuk po të vjen turp, dy metra burrë me 130 kg.e po vdesë i gjallë në këmbë nga Grujoviqi , një polic i pëshurrët i Serbisë. Këqyre Halilin , një trohë burrë po krejt është zemër që nuk ndien as për Grujoviqët e as për Serbinë e as për Jugosllavinë! Ky farë burri është shëndosh e mirë dhe i sistemuar për mrekulli! E ka librezën e veteranit të UÇK-së në kohën kur as një pordhë të vetme nuk e ka shkrepë për luftën. Edhe në politikë nuk qëndron keq! E takoj në Prishtinë shumë rrallë por edhe atëherë ikë nga unë! Nuk më llogaritë të denjë për rangun e vet. Për lexuesit një sqarim të vogël. Zyra e Grujoviqit vërtet ka qenë tmerr. Muret e përgjakura vende –vende, një fotele e madhe ku ulej Grujoviqi kulçedër dhe anash saj një shkop bejzbolli i përgjakur, një stupc prej drurit të thanës i tëri me neje dhe një kabllo me tela të trashë. Mbi tavolinën e punës qëndronin shkopinj gome ( pendrekë) të disa madhësive. Nga ajo zyrë kanë dalur kryesisht të larë me gjak ose të lagur pasi u ka ikur uji ose siç thotë populli, shurra! Kryesisht nga frika. Edhe unë kam qenë në atë zyrë!
Këtë hyrje e bëra që të dëshmoj se guximi, sakrifica, burrëria dhe trimëria nuk janë vlera sezonale apo të modës por janë të përjetshme . Sepse i njëjti Halil i cili ishte kryengritës në kohën e Serbisë , rob lufte me qëndrim dinjitoz nëpër burgjet e Serbisë mbeti edhe më kryengritës edhe në kohën e UNMIK-ut, EULESH-it dhe në kohën e autokracisë ( Halili e thotë se unë as në endërr nuk e mendoj ) të Hashimit! Trimi petkun e ndërron por përmbajtjen nuk e ndërron! Kohëve të fundit disi pata filluar të mendoj se në Kosovë më nuk ka burra dhe trima! Po u ringjallën Shkelzeni, Vetoni , Batua e sidomos njëri të cilit nuk po ia ndien as për mbret e as për dovlet! Është Berati i fisit të buzhalëve i cili më shumë ka zemër se trup! Edhe Beni është trim! Po e hetoj se po më rikthehet krenaria e dikurshme sepse në Kosovë ende ka burra idealistë e jo vetëm asi që vrapojnë pas plaçkës e që quhen materialistë! Zemra m’u bë mal e besoj se edhe juve lexues të nderuar kur e dëgjova mikun tim Behgjet Pacollin kur tha se të gjithë ata që vjedhin vota dhe para vendin e kanë në Dubravë dhe jo në qeveri. Këto fjalë dhe këta burra sot i duhen Kosovës! Dhe vetëm Gjeti me integritetin moral që e ka, kredibilitetin kombëtar dhe politik që e ka dhe kapacitetin profesional mund ta thotë këtë! Jo vetëm ta thotë por edhe t’i besohet! Krenohem me presidenten e cila për më shumë se dy vite ra cop duke e luftuar korrupcionin me Këshillin kombëtar! Nuk e di se Kosovën po e vjedhin kombëtarët dhe ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët mbase janë lehtësue në tërë këtë proces! E lehtësojnë buxhetin e Kosovës nga qindra milionë euro të tepërta! Mburrem që kemi burrështetas që haptasi thonë se në Kosovë nuk mund të hyjë Ivica Daçiqi por nuk ka asnjë problem të hyjnë Vulini, Nikoliqi, Vuçiqi, Legija, Jeremiqi si dhe Ceca Razhnjatoviqi! E pas tyre mundet edhe Daçiqi!
Hashim Thaçi është kontribuesi më i madh i pasurimit të fjalorit të gjuhës shqipe. Pas Eqrem Qabejt. E kam analizuar foljen me xhigav dhe me tërë mangësitë e mia për gjuhën shqipe kam ardhë në përfundim se mund të përdoret në 986 kontekste. Që kanë dhe i japin kuptin fjalisë! Madje edhe mua ma xhigavi para do ditëve një mik imi i cili tha se:” Behxheti nëse asgjë nuk ka bërë në jetën e tij mjafton që ka ndejtur afër Bacës Adem dhe nuk është larguar nga ai “! Sikur unë kam penguar që ata të jenë afër Bacës për të cilin u bie ndërmend vetëm kur t’u vie veja te bytha! Apo një mik tjetër imi që më tha se në mbrojtje të parimit duhet paguar një çmim të caktuar duke arsyetuar se ai dhe ata nuk i mbrojnë parimet por e mbrojnë fytyrën! I besova plotësisht sepse fytyrën e mbronte me një palë pantolona të veshura të firmës Hugo Boss! Kam dëshirë të madhe ta vizitoj Francën e liberte, fraternite dhe egalite. Po pasi e dëgjova një mikun tim Enverin se Lypjani po ndërtohet si Franca, hoqa dorë nga ky udhëtim! Lypjan, më prit! Mon Amoure !