14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Vizitorët e huaj tronditen nga mbeturinat në Lumbardhin e Prizrenit

Prania e mbeturinave, kryesisht të plastikës, në ujërat e Lumbardhit të Prizrenit krahas aktivistëve lokalë po i irriton edhe vizitorët e huaj të qytetit të vjetër. Tronditjen nga gjendja që ka parë të premten në zonën urbane të Lumbardhit, Hendrik Sittig e ka përshkruar në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me fotografi dhe video të mbeturinave në ujërat e lumit. Aty ka shpjeguar mbërritjen në Prizrenin e bukur si pjesë të shëtisë nëpër Ballkan, ku sipas tij, në afërsi të Xhamisë së Sinan Pashës, lumi ka qenë përplot me plastikë dhe mbeturina tjera.

“Ne numëruam rreth 100 shishe dhe copa tjera të plastikës për një minutë. Qëndruam aty për një kohë të gjatë, por kjo nuk pakësohej. Ishte e tmerrshme ta shihje një gjë të tillë. Mëkat për këtë rajon vërtet të mahnitshëm”, ka shkruar Sittig.

Aktivistët lokalë që angazhohen për mbrojtjen e mjedisit dhe në këtë kuadër edhe të lumenjve, konsiderojnë se mbeturinat janë problemi kronik i Lumbardhit të Prizrenit.

Dren Marseli nga organizata “X40” ka pohuar se mbeturinat krijohen nga veprimtaritë e ndryshme ekonomike e amvisëritë përgjatë rrjedhës së Lumbardhit, të cilat hidhen në lumë e barten në zonën urbane e deri tek Drini.

“Kaskadat e ndërtuara në shtratin e lumit afër Parkut të Marrashit po krijojnë grumbull të këtyre mbeturinave të plastikës dhe pas rritjes së vëllimit të ujit apo po lundrojnë përgjatë rrjedhës së lumit për t’u derdhur në Dri”, ka thënë Marseli.

Sipas tij, ky vend vjet është pastruar në aksionin e organizuar nga Shoqata e Bjeshkatarëve “Sharri” dhe “X40”, ku janë larguar mbi 100 thasë mbeturina të plastikës.

“Si organizatë jemi në kërkim të fondeve për monitorim të gjendjes së lumit, me qëllim të hartimit të një plani konkret për përmirësimin e gjendjes aktuale”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Bekim Bytyqi ka theksuar se OJQ “Sharri Wildlife” ka planifikuar organizimin e aksionit vullnetar për pastrimin e rrjedhës së Lumbardhit më datën 5 qershor, kur shënohet dita e mjedisit. Sipas tij, problemi i mbeturinave dhe ndotjes së lumit nuk është trajtuar me vite apo dekada, dhe se hedhja e mbeturinave në të është bërë një rutinë, ani pse në vitet e fundit fshatrat e Luginës së Lumëbardhit janë përfshirë në sistemin e mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave.

“Iniciativa jonë synon ndërgjegjësimin përkatësisht ndikimin në masë që mos të hidhen mbeturinat në lumë”, është shprehur ai, duke shtuar se kujdesi nga vetë qytetarët është i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit.

Nora Simitçiu, ekologe nga OJQ “EC Ma Ndryshe” ka pohuar se Lumbardhi i Prizrenit është bërë një destinacion i zbarkimit të mbeturinave të ndryshme, duke filluar nga ato të kuzhinës e deri tek mbeturinat industriale, duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e vëllimeve të mëdha të ujërave të zeza nga kanalizimet.

“Sot më nuk jemi duke folur për momentin e fundit për të ndërhyrë që jeta e habitatit ujor në shtratin e këtij lumi të shpëtohet. Ai moment veçse ka kaluar kohë më parë. Sot është koha që të ulemi e të flasim se si të punojmë që bota e gjallë e florës dhe faunës të rikthehet përsëri ashtu siç ka ekzistuar që nga formimi. Tani ne jemi duke u ballafaquar me një Lumbardh të Prizrenit i cili në pjesën më të madhe të tij veçse ka një biodiversitet të shkatërruar tërësisht. Mos të harrojmë që përveç dëmeve që tashmë janë shkaktuar në jetën ujore, ky kontaminim i lumit paraqet një rrezik potencial edhe për shëndetin publik”, ka thënë ajo.

KOHA ka provuar që për këtë çështje të marrë një qëndrim edhe nga Komuna e Prizrenit, por deri në momentin e raportimit nuk ka pranuar përgjigje nga Zyra e Informimit për pyetjet e dërguara përmes postës elektronike. Komuna e Prizrenit ka një kontratë aktive për mirëmbajtjen e shtratit të këtij lumi. Të shtunën në shtratin e Lumbardhit janë parë punonjësit e KRM “Ekoregjioni”, të cilët janë të angazhuar për mirëmbajtje. Njëherësh skaj shtratit të lumit janë parë edhe mbeturina të ndryshme të larguara nga shtrati i lumit.

Muajin e shkuar, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e pati quajtur të papranueshme praktikën e hedhjes së mbeturinave në mjedis, pasi që sipas tij 98 për qind e amvisërive janë të përfshirë në shërbimet e mbledhjes e menaxhimit të mbeturinave. Madje pati shprehur qëndrimin se ndotja e mjedisit me mbeturina jo vetëm që po e dëmton imazhin e Prizrenit, porse i dëmton edhe qytetarët si dhe lokacionet ku planifikohet zhvillimi i turizmit./KOHA

Më Shumë

Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë,...

Gjini lirohet nga detyra e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Prizren

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të...

Lajmet e Fundit