10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

VV po “pjell” kushte të reja

HalilMatoshi-analistHalil Matoshi thotë se deklaratat e Liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “përjashtimin” e Listës Serbe nga institucionet kosovare, bien ndesh me Kushtetutën dhe janë mohim i një të drejte.
Sipas tij, Kurti po lufton krijimin e një shoqërie politike me baza qytetare dhe po kthehet tek “kombi etnik”, që e përjashton multietnicitetin dhe multikuluturalitetin.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dy ditë më parë ka thënë se nuk e do “ Listën Serbe” as në Qeveri e as në Kuvend.

“Natyrisht që ne nuk i duam ata në qeverisje, sepse nuk i duam së pari as në Kuvend, por po them ata janë peshqesh i Kryeministrit në ikje, dhe ne do ta themi këtë qe po e them këtu edhe kur të vijë puna të faza e tretë e bisedimeve, të cilën s’e kemi filluar ende”, ka deklaruar Albin Kurti, në një intervistë për Kosovapress.

Në një bisedë për Politiko.net, analisti Halil Matoshi konsideron se kjo nuk është politikë parimore e VV’së dhe pret që kjo Lëvizje të heqë dorë nga kursi i përjashtimit.

“Kur u tfillue procesi i bashkimit të bllokut opozitar, për ta penguar krijimin e Qeverisë Thaçi III, Lëvizja Vetëvendosje pati një rol të moderuar dhe shumë karizmatik, duke i dhënë mbështetjen koalicionit në fjalë dhe duke dëshmuar një patriotizëm konstitucional.”
“Mirëpo, në ndërkohë, VV’në duket se nuk e mbajti entuziazmi dhe po ‘pjell’ kushte të reja karshi koalicionit. Në këtë aspekt, kushti i parë i shpikur doli të jetë ‘një Qeveri emergjente’, me afat dy vjeçar – gjë për të cilën tre partitë e koalicionit nuk do të ishin të interesuara. Shpikja e dytë, më fatkeqja e kësaj Lëvizjeje, është ‘Jo’ për Listën Serbe në Qeverinë e vendit, madje ‘Jo’ edhe në Kuvendin e Kosovës”.

“Lidershipi i VV’së e ka tejkaluar momentumin e sfidimit të Kushtetutës së Kosovës, prandaj me këtë postulat Albin Kurti ka rrëshqitur nga një patriot ligjor në një armik të konstitucionalizmit.”

“Logjika përjashtuese, nën regjimin e Millosheviqit ishte e orientuar kundër shqiptarëve duke i vënë ata jashtë ligjit (dhe jashtë institucioneve të shtetit), gjë që çoi tek konflikti i armatosur. Ndërkohë që përfaqësimi adekuat i komuniteteve jo shumicë në institucionet legale të shtetit, është kategori kushtetuese në Kosovë”.

Duke folur për Kushtetutën, Publicisti Halil Matoshi ka shpjeguar në Politiko.net edhe nenet, të cilat u garantojnë komuniteteve pjesëmarrjen në institucionet shtetërore.

“Vendet e garantuar në Kuvend (Neni 64 Struktura e Kuvendit], paragrafi 2. thotë: “Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120)vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës”) si dhe përfaqësimi adekuat në ekzekutiv janë kategori të pakthyeshme kushtetuese”.

“Neni 96 (Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve), pika 3 thotë: Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër jo shumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.”

“Kurse pika 4 thotë: “Do të jenë së paku dy (2) zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy (2) zëvendësministra nga komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një (1) tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë.”

“Prandaj qëndrimi i Kurtit në këtë rast është antikushtetues dhe për më tepër është një thirrje për mohimin e një të drejte, që në konstitucionalizëm njihet si një e drejtë njëherë e arrirë, pra është e pakthyeshme.”

“Me këtë retorikë, zoti Kurti po e lufton krijimin e një shoqërie politike me baza qytetare dhe po rikthehet tek primesat e ‘kombit etnik’ dhe monolit që i përjashton shumë-etnicitetin dhe shumë-kulturalitetin nga ‘bërthama’ e shtetit të përbashkët dhe demokratik.”
“Pra, së pari e përjashton konceptin e solidarësisë qytetare nga shteti, në njërën anë, së dyti po ia vështirëson jetesën koalicionit opozitar që fillimisht ia dha një ‘Po’ në inicial, dhe së treti po i tremb aleatët perëndimorë të Kosovës, duke çuar ujë në mullirin e Hashim Thaçit dhe PDK’së, duke e shfaqur Thaçin si më të moderuar karshi BE’së dhe ShBA’ve!?”.

“Kjo nuk është politikë parimore e VV’së dhe unë besoj se kjo Lëvizje do të heqë dorë nga ky kurs që, sipas të gjitha interpretimeve, shpie në popullizëm dhe lamenton për një etnodiktaturë”, ka thënë Matoshi për Politiko.net.

Më Shumë

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e...

Lajmet e Fundit