14.3 C
Prizren
E hënë, 16 Mars, 2026

Zgjedhja e dekanit në Universitetin e Prizrenit, kundërshtohet nga anëtarët e këshillit

Kur Universiteti Publik i Prizrenit, “Ukshin Hoti” shpalli konkurs për Dekan të Fakultetit të Filologjisë, profesori Shkelqim Millaku ishte shprehur i pakënaqur, pasi sipas tij, ishte shkelur statusi duke u lejuar kandidim edhe atyre personave që kanë gradën e ‘profesorit asistent’.

Mirëpo, pavarësisht kritikave për shkelje të statutit që dha, Shkelqim Millaku ka arritur të bëhet Dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prizrenit.

Por, tani Millaku po kritikohet nga anëtarët e Këshillit të këtij fakulteti. Sipas tyre, Senati e ka miratuar propozimin e Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, përkundër faktit që Millaku nuk kishte arritur të fitojë votat e mjaftueshme për të qenë kandidat i ligjshëm për t’u zgjedhur Dekan i Fakultetit të Filologjisë.

‘Vendimi dhe procedurat e Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit të Filologjisë në mbledhjen e mbajtur më 26 prill 2018 është në kundërshtim me ligjin dhe me format dhe procedurat e parapara me Statutin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren’, thuhet në ankesën e këtij këshilli, shkruan Indeksonline.

Në letrën e anëtarëve të Këshillit të Fakultetit të Filologjisë drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, thuhet se senati nuk ka pasur të drejt të hedh në votim propozimin e Këshillit të Filologjisë, për nominim të kandidatit për dekan.

Sipas tyre, Shkelqim Millaku nuk ka arritur që ta fitojë shumicën relative të votave për të qenë kandidat i ligjshëm për t’u nominuar për Dekan të Fakultetit të Filologjisë.

Parashtruesit e ankesës, i kanë propozuar Komisionit Qendror Zgjedhor të Universitetit që të marrë vendim për anulimin e vendimit, për të siguruar një proces të ligjshëm dhe meritor.

Por, të gjitha këto akuza për shkelje të statutit për zgjedhjen e dekanit, po i hedh poshtë profesori dhe dekani Shkelqim Millaku. Ai për Indeksonline ka thënë se ankesat e anëtarëve të këshillit janë tendencioze dhe politike.

Sipas tij, në procese zgjedhore ka edhe të pakënaqur, duke treguar emrat e atyre që janë ankuar ndaj tij.

“Zakonisht në procese zgjedhore ka edhe të pakënaqur. Por, sot jam i informuar se tre anëtarë të Këshillit të Fakultetit paskan bërë ankesë ndaj zgjedhjes sime dekan (në bazë të informacioneve ankuesit janë: prof.ass.dr. Vjollca Dibra, prof.ass.dr. Sejdi Sejdiu dhe prof.ass.dr. Flamur Shala). Ankesa e tyre padyshim se duhet të jetë tendencioze dhe politike”, ka thënë Millaku.

Ai duke iu kundërpërgjigjur ankesës se nuk i ka plotësuar kushtet, është shprehur se ka qenë i vetmi që ka plotësuar kushtet juridike dhe se nuk ka pasur kundërkandidat për këtë pozitë.

“Nga Këshilli i Fakultetit kam qenë i vetmi kandidat i propozuar për dekan. Nuk kam pasur kundërkandidat. Në prezencë të KQZ-së dhe të dy anëtarëve të Këshillit drejtues, por edhe në praninë e gjithë anëtarëve të Këshillit jam propozuar dhe votuar. Pra, isha i vetmi që i kam plotësuar kushtet juridike”, ka shtuar ai, duke theksuar se senati e ka votuar me shumicë absolute të votave.

Mirëpo, Millaku ka pranuar se nuk ka pasur të drejtë të jetë në senatin e ri, por që ka konfirmim dhe vendim zyrtar nga KQZ-ja.

“Personalisht edhe publikisht jemi të informuar se procesi ka qenë në rregull dhe demokratik. Për arsye të korrektësisë, unë nuk kam pasur të drejtë të jem në Senatin e ri, por kam konfirmimin dhe vendimin zyrtar nga KQZ-ja, së jam dekan i zgjedhur i Fakultetit të Filologjisë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e para në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Publik në Prizren, pasi tani e katër vite më parë kanë pasur ushtrues detyre në këtë pozitë.

Universiteti Publik i Prizrenit “Ukshin Hoti” është themeluar në vitin 2010 kurse ai përbëhet nga komplet gjashtë njësi akademike./Indeksonline/

Më Shumë

Nafta në Kosovë arrin deri në 1.60 euro për litër

Çmimi i naftës në tregun me pakicë në Kosovë ka arritur deri në 1.60 euro për litër këtë të hënë. Sipas kryetarit të Shoqatës së...

Rahovec: Vetura pëson defekt gjatë ndjekjes prej policisë, arrestohet një person

Policia është vënë sonte në ndjekje të një veture në Bllato të Rahovecit.   Gjatë ndjekjes, vetura në fjalë ka pësuar defekt, me ç’rast një person...

Fshati që pret

Lajmet e Fundit