6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Baladë në shkrepa

Hajdar Mallaku


Me një fije eshke,
Vënë mbi shkrepat strallë
Fërkonim me urorin e zemrës
Shkëndijat që na mbanin gjallë.

Por pak nga pak gjatë historisë
I dëshpruam shqipet;
Nuk u lamë as shkrepa
Për ta nisur fluturimin;
Për t’u shkëputur nga pika zero
Si atleti dhe për ta provuar zemrën
Në vigjëlimin atdhetar.
Nuk u lamë fusha,
Hambarët i lamë gojëhapur;
Nuk u lamë qytete
Për ta ruajtur qytetërimin;
Nuk u lamë altarë
Që me Zot ta ushqenim shpirtin;
Nuk u lamë dete, lumenj e liqene
Për ta larë djersën e krenarisë ilire.
Kot derdhim lotë
Për Ilirinë e dikurshme krenare
Që sot si bebe e lidhim në djep.

Ne këngën me lahutë
E kënduam edhe kur s’fituam.
Sot unë dhembjen e kam hipur
Në maje të Alpeve,
Se Alpet na e dhanë emrin Albanë.
Po këtë herë e kam për tjetër,
Për atdheun që zgrapet e rrudhet
E klith e denes deri në xhamë.
Kosova si nënë jetime,
Me duar në gjinj
Ngjitet në maje të Qakorrit,
Si Ajkuna dikur,
U bën zë varreve e emërvendeve shqip
A përgjigjet kush ?!
Apo kënga epike
Lahutës i ka mbetur në fyt…

Më Shumë

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe...

Lajmet e Fundit