13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Në një bisedë për poezinë me Klodian Kojashin

Robert Frost e quante poezinë një takim me vetveten, për ju çfarë është?

Mund të jetë edhe një mënyrë për mos me kenë gjithë kohën me vetveten. Një dalje, një ikje, ose thjesht një shkëputje nga vetvetja. Ne mund të ekzistojmë edhe përtej vetvetes, madje ndoshta poezia asht një hapësinë për me ken edhe pa vetveten. Jo gjithçka e jona zhvillohet vetëm brenda nesh. Ja, unë mendoj për shembull se dashuria asht një dalje nga vetvetja, dalje në një territor që s’e dimë tamam si asht, por pa dalë atje s’dashuron dot.

Si lind poezia te ju?

Nuk e di mirë si lind. Ndoshta gjithçka që shkruaj asht veç pritja për me lindë. Shkruaj se më vjen me shkrue, më pëlqen, më duket se më jep diçka të veçantë, diçka që mbase s’di mirë ta përcaktoj se ç’asht, por kur shkruaj ndiej se tek unë diçka ndodh, e kjo diçka më pëlqen, e kështu dua të ndodh sa më shpesh brenda meje, e prandaj shkruaj.

Cilët janë poetët që ju pëlqejnë më shumë?

Në poezi nuk kam idhuj, e mendoj se idhujt nuk i shërbejnë poezisë. Lexoj mjaft poetë, të huaj e shqiptarë e mund të them se kemi poetë të mrekullueshëm. Po të hyj të vendos emra, do më duhet të bëj një listë të gjatë. Nuk ka poetë të përsosun, ka poetë, që shkruajnë. E ndjesia ndryshon me atë çka jeton, ndryshon me kohën, me andrrat që ke. Një kritik arti thoshte se nuk vlen ta shikosh një pikturë në muze për 15 sekonda dhe të thuash e pashë. S’ke pa asgja. Pikturën duhet ta kesh aty, ta shohësh me qetësi, ta shohësh në ditët me shi, në dimër, kur bën ngricë, kur bën vapë, kur zbardh, në muzg. E do kuptosh se përjetimet janë të ndryshme. E unë mendoj se kjo vlen edhe për poezinë. Nuk ka një poezi të madhe, që të më vlejë gjithmonë e për gjithçka, ka përjetime poetike, grimca të shpërndara sa andej-këndej, me të cilat më duket sikur ushqehem e jetoj çdo ditë. Ndaj lista e emrave do ishte e pafundme.

Një poezi që do të doje ta kishe shkruar ti?

Asnjë. Sepse ka poezi shumë të bukura, e më duken edhe ma të bukura kur e di se i ka shkru dikush tjetër. Sepse më pëlqen me i lexu, e me e lanë dikë tjetër me hy tek unë përmes fjalës e mendimit. Jam vërtet shumë i gëzuem që poezitë që më pëlqejnë aq shumë, s’janë të miat, ndihem ma i pasun, e s’ndihem vetëm.

Shkruhet poezi vetëm kur je i dashuruar, apo shkruhet më mirë kur je i zhytur në dhembje?

Shkruhet kur ndien një dëshirë të madhe e të fortë për me shkrue. Pastaj mund të të ngacmojnë mendime dashurie, apo fjalë për dhimbjen ke gjetë e don me i thanë. Nuk e di saktë si funksionon, nuk mendoj se ka një kriter përcaktues, por edhe nëse ka preferoj mos me e ditë. Pëlqej me mendu se shkruaj nga dëshira për me shpreh diçka, e duke jetu si njeri mes njerëzve, ajo çka shprehim shpesh lidhet me jetën, e jetën e fusim nëpër këto kutitë e mëdha si dashuria, dhimbja etj. Mirëpo, kjo asht veç një mënyre e jona për thjeshtëzu atë çka përjetojmë. Jeta mendoj se nuk asht e tillë. Ajo pjesën ma të madhe të saj përbahet nga momente që janë si grimca të vogla e të ndryshme, që duhen mbledhë me kujdes e bashku me njëna tjetrën për me i kategorizu diku, për me i futë te një kuti. E poezia jeton e kapun pas këtyne grimcave.

Sa ndikojnë poezitë që lexon tek ato që shkruan?

Ajo çka lexojmë ndikon shumë. Mund të jetë edhe vetëm një fjalë, një frazë, mund të jetë një histori e dëgjuar, një këngë, një artikull gazete. Ka diçka që të ngacmon, sikur nga përbrenda të thotë jam këtu, krijo diçka përreth meje. E kjo bezdisje, bëhet insistuese, ndien nevojën të çlirohesh prej saj, dhe e vetmja mënyrë asht me shkrue diçka.

Si e sheh poezinë sot? Duket sikur shkruhet e botohet më pak?

Mua më duket se asht shtu krijimtaria, edhe pse shumë ankohen se duke e liberalizuar poezinë kemi humbë cilësinë e saj. Unë mendoj se jo. Sot poezia shqiptare jeton kohën e vet ma cilësore. Pastaj, çka don me thanë cilësore? Cilësore e krahasuar me sot apo me nesër? Mendoj se poezia e gjen dhe e modelon vetë cilësinë e saj, ajo ka nevojë për njerëz që e shprehin, që e mbledhin dhe e thonë e nxjerrin nga e përditshmja, ajo nuk ka nevojë për struktura gjigande, për emra të përveçëm e të përjetshëm, poezia ka nevojë me folë e më duket se ktë nevojë ajo sot po e shpreh krejt qartë. Sot, kemi një poezi që flet, që ka shumë për me thanë, ma në fund një poezi e çliruar nga miti i poezisë dhe i poetit. Asht e mrekullueshme kjo që po i ndodh sot poezisë tonë, po e rikthen në jetë e po e bën të aftë të njohë dimensione të reja, janë hapësirat ku do banojnë nesër mendimet tona/shqip/

Më Shumë

Lajmet e Fundit