13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Dështon gjykimi për sulmin ndaj mjekut në Kijevë të Malishevës

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, sërish nuk ka arritur që të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj.

Shkak  i dështimit të këtij gjykimi, ka qenë mungesa e përfaqësuesit të prokurorisë dhe e të  akuzuarit, Mahmut Hoxhaj.

Lidhur me mungesën e përfaqësuesit të prokurorisë, gjykatësi Lulzim Paçarizi, ka thënë se ka prova që prokuroria është ftuar në mënyrë të rregullt.

Në seancat paraprake, këtë aktakuzë e kanë përfaqësuar tre prokurorë, Ismet Tofaj, Dëshirë Jusaj dhe Ramiz Buzhala.

Kurse, sa i përket mungesës së të akuzuarit Hoxhaj, gjykatësi Paçarizi ka thënë se nuk ka prova që është ftuar në mënyrë të rregull, pasi që shërbimi i postës në fletëkthesë ka konstatuar se ftesa të akuzuarit i është lënë në shtëpi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 12 shkurt 2019, në ora 9:30.

Për shkak të mungesës të të akuzuarit, tri seanca radhazi kanë dështuar në këtë rast, të cilat ishin paraparë të mbaheshin më 12 dhe 20 nëntor, si dhe me 11 dhjetor të vitit 2018.

Në seancën e mbajtur më 4 tetor të vitit 2018, i akuzuari Hoxhaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Albert Hoxhaj, por në seancën fillestare, të mbajtur më 4 tetor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.

Sipas aktakuzës së ngritur 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, doktor në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.

Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Me këtë, të akuzuarit Albert Hoxhaj dhe Mahmut Hoxhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më Shumë

Rahoveci shënoi 26-vjetorin e daljes së parë publike të UÇK-së në Drenoc

Ish-veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të skenës politike, kujtuan daljen e parë publike të UÇK-së në Zonën...

Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1082 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit