11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kurti: Lëvizja është më e madhe se unë

Albin Kurti15-01Albin Kurti falënderoi nga zemra anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e XIX të Këshillit të Përgjithshëm.

Teksa po dorëzonte mandatin e Kryetarit, Albin Kurti u tha bashkëveprimtarëve se përulet me respekt ndaj tyre, për respektin e përzemërt që ata kanë treguar ndaj tij si Kryetar.

“Ju falënderohem për të gjitha diskutimet e shqyrtimet e veçanta drejt secilit qëndrim e vendim të përbashkët. Në mandatin e kaluar kam qenë edhe përballë Këshillit, edhe në Këshill, edhe me Këshillin”, deklaroi Kurti.

“Secili nga ne jemi rritur e jemi ngritur në Lëvizje e nëpërmjet Lëvizjes, me njëri-tjetrin e midis të gjithë neve”.

“Lëvizja është shumë më e madhe sesa çdonjëri prej nesh, Lëvizja është më e madhe edhe sesa të gjithë ne së bashku”.

Dhe, shtoi Kurti, nuk kam dyshim se do t’ia dalim.

“Ky Këshill i Përgjithshëm edhe ma ftoh mendjen, edhe ma ngroh zemrën. Bashkë me kryetarin e ri dhe kryesinë e re, ne jemi të Kosovës e të kombit shqiptar, ne jemi të Republikës e të popullit, ne jemi të lirisë e të barazisë, ne jemi të shoqërisë e të drejtësisë, kurse ardhmëria është e jona. Uniteti ynë, çdo pengesë e bën vështirësi, çdo vështirësi e bën sfidë dhe me unitet çdo sfidë e tejkalojmë”.

Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e XIX të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!

I nderuari kryetar i ri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

I nderuari kryetar i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ju anëtarë të tjerë të qeverisjes së VETËVENDOSJE!-s në kryeqytet,

Të nderuar deputetë të VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin e Republikës së Kosovës,

Të dashur aktivistë e anëtarë të Lëvizjes,

Në mandatin e kaluar unë kam pasur nderin, kënaqësinë dhe privilegjin që si kryetar i Vetëvendosje-s të punoj bashkë me të gjithë juve dhe me secilin prej jush, në mbledhje të shpeshta të Këshillit të Përgjithshëm, të cilat mesatarisht janë mbajtur pothuajse çdo dy muaj. Unë nuk di asnjë subjekt tjetër në Kosovë, madje në asnjë periudhë kohore, madje jo vetëm në Kosovë, që kaq shpesh i ka mbajtur mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, pra mbledhjet e organit më të lartë të një subjekti politik e demokratik.

Pikërisht ky sinqeritet dhe seriozitet në Këshillin tonë të Përgjithshëm ka qenë garancion i demokracisë së brendshme në pjesëmarrje e në vendimmarrje, i thellësisë politike në koncept e në program, i aktiviteteve të parreshtura kudo në Kosovë, edhe jashtë Kosovës, edhe brenda Kuvendit.

Ju falënderohem nga zemra, iu përulem me respekt, për respektin e përzemërt që keni treguar ndaj meje si kryetar. Ju falënderohem për të gjitha diskutimet e shqyrtimet e veçanta drejt secilit qëndrim e vendim të përbashkët. Në mandatin e kaluar kam qenë edhe përballë Këshillit, edhe në Këshill, edhe me Këshillin. Tash do të jem edhe në Këshill, edhe me Këshillin, dhe, si gjithmonë, për Lëvizjen.

Me këtë rast më lejoni të falënderoj në veçanti delegatët e Këshillit të Përgjithshëm nga Qendrat tona në Mërgatë, të cilët për mbledhjet tona të përbashkëta zakonisht vinin enkas në Kosovë dhe gjithnjë me shpenzime vetanake. Në përgjithësi, në Kosovë e më gjerë, nuk kanë mbetur më organizata vullnetarësh sikurse kjo e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.Të tjerët, partitë e tyre i kanë vende pune dhe byro për vende pune në institucione. Lëvizja jonë është lëvizje e vullnetit prandaj organizata jonë është organizatë e vullnetarëve. Ne jemi vënë në lëvizje nga ideja e vetëvendosjes dhe e kemi bërë këtë ide një lëvizje që gjithmonë do t’i shërbejë popullit tonë për të vendosur vetë.

E, megjithatë, secili prej nesh, pavarësisht vetëmohimit e sakrificave, pavarësisht angazhimit e kontributit, ka përfituar më shumë prej Lëvizjes VETËVENDOSJE! sesa që Lëvizja ka përfituar prej nesh veç? e veç?.

Secili nga ne jemi rritur e jemi ngritur në Lëvizje e nëpërmjet Lëvizjes, me njëri-tjetrin e midis të gjithë neve. Lëvizja është shumë më e madhe sesa çdonjëri prej nesh, Lëvizja është më e madhe edhe sesa të gjithë ne së bashku, prandaj të gjithë ne bashkë, prandaj secili me njëri-tjetrin, duhet të lëvizim edhe shumë, edhe gjatë, edhe drejtë, edhe mirë, edhe pandalshëm, përpara!.

Dhe, nuk kam dyshim se do t’ia dalim. Ky Këshill i Përgjithshëm edhe ma ftoh mendjen, edhe ma ngroh zemrën. Bashkë me kryetarin e ri dhe kryesinë e re, ne jemi të Kosovës e të kombit shqiptar, ne jemi të Republikës e të popullit, ne jemi të lirisë e të barazisë, ne jemi të shoqërisë e të drejtësisë, kurse ardhmëria është e jona. Uniteti ynë, çdo pengesë e bën vështirësi, çdo vështirësi e bën sfidë dhe me unitet çdo sfidë e tejkalojmë.

Urime tashmë Visar! Urime qysh tash Kryesi e re! Urime përherë Vetëvendosje!

Ju faleminderit.

1 mars 2015

Më Shumë

Distria e fillon Evropianin me fitore bindëse

Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb. Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52...

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Lajmet e Fundit