6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Prizren: Rastet e korrupsionit mbesin peng i UP-së

Katër raste të korrupsionit në Gjykatën Themelore në Prizren, për muaj të tërë kanë mbetur peng i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës (UP), “Hasan Prishtina”.

Kjo për faktin se ky fakultet nuk kishte kthyer përgjigje për kërkesën e kësaj gjykate për kryerjen e ekspertizave financiare, që propozoheshin për këto raste.

“Betimi për Drejtësi” gjatë monitorimit të rasteve të korrupsionit në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vërejtur që së paku në dy raste Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Prishtinës, ka mbajtur lëndët penale për më shumë se shtatë muaj dhe nuk ka kryer ekspertizat e kërkuara nga Gjykata.

Ndërsa, në dy raste tjera nuk ka kthyer ende përgjigje rreth kërkesave të Gjykatës për të bërë super-ekspertizë financiare, megjithëse të njëjtat janë kërkuar nga Gjykata para më shumë se tetë muajsh.

Një problem i tillë, ka ndikuar që disa nga këto lëndë të natyrave korruptive të zvarriten për muaj të tërë, e disa të tjera ende vazhdojnë të mbesin pa përgjigje.

Në rastin penal kundër të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Flurim Gallopeni, në të cilin rast janë bërë dy ekspertiza financiare, e të cilat kanë rënë ndesh me njëra-tjetrën, gjykata në shkurt 2017, ka dërguar lëndën penale në Fakultetin Ekonomik, për të bërë super-ekspertizë, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Pas rreth tetë muajsh, në shtator 2017, fakulteti në fjalë ia ka kthyer lëndën penale gjykatës me një shënim prej dy rreshtash, ku thuhej se ekspertizën nuk kanë mundur ta bëjnë sepse nuk i kanë pasur të gjitha dokumentet e nevojshme.

Në rastin penal kundër ish-drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i cili akuzohet për keqpërdorimin e fondeve të manifestimit kulturor “Remzi Ademi”, ekspertiza e organit të akuzës dhe ekspertiza e bërë me kërkesë të të akuzuarit, nuk përputheshin prandaj gjykata kishte vendosur të bëjë një super-ekspertizë.

Gjykata Themelore e Prizrenit, e kishte dërguar lëndën penale për super-ekspertizë në Fakultetin Ekonomik të UP-së, në shkurt të vitit 2017 dhe deri në shtator të po atij viti, fakulteti nuk e kishte kryer ekspertizën, por e kishte kthyer lëndën me arsyetim se nuk mund ta bëjnë një ekspertizë në këtë rast.

Në këto raste gjykata është detyruar që të angazhojë sërish tre ekspertë privatë nga lista e ekspertëve gjyqësorë që posedon gjykata, për të kryer super-ekspertizën që në të dy rastet kanë qenë obligative, duke u bazuar në rekomandimet e Gjykatës së Apelit, pasi që rastet ishin në rigjykim.

Në dy raste tjera, gjykata ka marrë vendim për nxjerrjen e super-ekspertizës në qershor dhe korrik 2017, por ekspertizat ende nuk janë përfunduar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Prishtinës.

Njëri rast ka të bëjë me pretendimin e keqpërdorimit të ekskursionit nga drejtori i shkollës së mesme “Remzi Ademi”, Sali Ademaj, në të cilin rast po ashtu janë paraqitur dy ekspertiza nga palët kundërshtare, e të cilat ishin vlerësuar si binin ndesh me njëra-tjetrën, sa i përket ekzistimit apo mosekzistimit të dëmit material.

Ndërsa, tjetri rast ka të bëjë me inkasantin e kompanisë publike “Hidroregjioni Jugor”, Hafir Gallopeni, i cili akuzohet për përvetësim të mjeteve të inkasuara nga klientët, në vlerë prej rreth 20 mijë euro, mirëpo nga një ekspertizë e nxjerrë nga i akuzuari, kishte dal se shuma e përvetësuar është rreth tre mijë euro.

Në këtë situatë, Prokuroria Themelore në Prizren, ka propozuar që të bëhet një super-ekspertizë nga Fakulteti Ekonomik i UP-së, i cili propozim është aprovuar në qershor 2017, por se deri më tani nuk është përfunduar.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi”, se ekspertizat në fjalë janë vonuar nga Fakulteti Ekonomik i UP-së, për më shumë se gjashtë muaj pa ndonjë arsye.

Hoxha ka thënë se duke pasur parasysh që për gjykatën rastet që kanë të bëjnë me vepra korruptive, janë të rëndësisë primare dhe u jepet përparësi absolute në trajtimin e tyre, Fakulteti Ekonomik, sipas tij, është dashur menjëherë të lajmërojë nëse ka probleme dhe gjykata do të kishte gjetur zgjidhje tjera.

Ai ka cekur se tani është arritur një memorandum bashkëpunimi në mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Universitetit të Prishtinës, me të cilin, sipas tij, pritet të rregullohet ky problem.

Dekani i Fakultetit Ekonimik të UP-së, But Dedaj, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se ekspertizat nuk janë bërë sepse nuk ka pasur një memorandum të bashkëpunimit në mes KGJK-së dhe Universitetit të Prishtinës.

Dedaj ka thënë se tanimë Universiteti Prishtinës ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me KPK-në dhe KGJK-në dhe se ka dorëzuar listat e profesorëve që dëshirojnë të punojnë ekspertizat e kërkuara nga organet e drejtësisë, duke shtuar se në të ardhmen nuk do të ketë më probleme të tilla.

Duke marrë parasysh që luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një ndër kriteret kryesore për afrimin e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, këto vonesa të Fakultetit Ekonomik në këto raste, ka ndikuar negativisht në përfundimin e rasteve gjyqësore në kohë të arsyeshme.

Në shumicën e rasteve ku të akuzuarit ngarkohen me veprat penale të korrupsionit, organi i akuzës përmes ekspertëve financiarë përcakton dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit apo përfitimin e të akuzuarit nga veprimi inkriminues.

Në disa raste, palët e akuzuara nuk pajtohen me ekspertizat e bëra nga prokuroria, andaj ata parashtrojnë ekspertizat e tyre me të cilat kundërshtojnë ekspertizat e prokurorisë.

Në këto raste, Gjykata vendos që të bëhen të ashtuquajtura super-ekspertiza, të cilat deri më tani gjykatat i kanë dërguar në Universitetin e Prishtinës për t’u kryer nga një grup prej tre ekspertësh të fushës përkatëse, kryesisht asaj ekonomike-financiare.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 401 të tij, parasheh dënime me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj, për këdo që nuk e zbaton urdhrin e gjykatës./Betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Prezantohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit

Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit, të nënshkruar mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe PPSE-Swisscontact, sot, në...

Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare

Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e...

Lajmet e Fundit