19.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Zgjatja e punimeve në Sheshin e Lidhjes dëmton bizneset në Prizren

Sheshi i LSHPProjekti për ndërtimin e Sheshit të Lidhjes në Prizren, i nisur në muajin prill të këtij viti dhe me afat të kryerjes për 135 ditë pune, akoma gjendet në fazën e punimeve.

Projekti i 420 mijë eurove sipas planifikimit është dashur të kryhet në shtator, ndërsa edhe pas gjysmës së tetorit punimet ende janë duke u zhvilluar.

Kjo vonesë po i dëmton bizneset që veprojnë në atë pjesë.

Ernest Malazogu, aktor i njohur nga “Familja Moderne”, tash bashkëpronar i njërit prej kafiterive në atë zonë, e ka të mbyllur lokalin që 7 muaj, ndonëse qiraja duhet paguar.

“Në komunë jemi anku, por po duket se ka hasur në vesh të shurdhër, unë muj me ju çu juve edhe mrena me pa qysh ka mbetë lokali i mbyllur,,,në komunë nuk jemi pritë si duhet, si qytetarë, si taksapagues që jemi… qe qysh ka mbete mrena, nejse kjo hallakamë që është brenda nuk është e komunës, është problemi joni, po e kemi mbyll edhe nuk po mujmë asgjë me bo”, tha Malazogu.

Sazan Cukaj, bashkëpronar me Malazogun, thotë se ka pasur periudha të gjata kohore kur sheshi ka qenë i bllokuar, por që nuk është punuar në të.

“Ka qenë problemi se 25 ditë, nuk kanë ardhur absolut të punojnë, nuk është prekur asgjë 25 ditë, kështu që dëmi është i papërshkrueshëm”, thotë Cukaj.

Gjon Kqiraj, pronar i lokalit “Credo”, ndonëse thotë se klientela është pakësuar shumë ka vazhduar ta mbajë lokalin hapur edhe përkundër punimeve në shesh.

“Punëtorët të gjithë i paguaj vetë këta 7 muaj prej xhepit, rrymën, ujin e këto gjana tjera gjithashtu, kurse këtu nuk ndërmerr kush, absolutisht kurgjo”, tha Kqiraj.

Ndërsa, Driton Zogaj, që është menaxher i dy lokaleve në shesh, thotë se është duke hasur në vështirësi të mëdha për mbajtjen e lokaleve.

“Në fillim të punimeve ne i kemi pasë dikund afërsisht 20 punëtorë, tani i kemi 10 në të dy lokalet, na u kanë paraqitë bajagi vështirësi në pagesa, kemi obligime të cilët më nuk po mujmë me i përmbushë”, tha Zogaj.

Në gjendje të njëjtë është edhe lokali “Chek- In”.

“Fillimisht kemi qenë 15 punëtorë, tani jemi vetëm 5 edhe ata nuk po mujmë me i pagu si duhet, për shkak se punimet kanë zgjatë shumë dhe myshteritë na kanë hupë”, tha Artan Selaj menaxher i këtij lokali.

Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, njëherëësh këshilltar politik i kryetarit Muja, tha se vonesat në kryerjen e punimeve kanë ndodhur për shkak të motit të lig, por edhe për shkak të vonesave të materialit, i cili është dashur të porositet jashtë vendit.

Berisha, porositi bizneset që të kenë mirësinë dhe të presin realizimin e projektit.

“Mund të ketë pengesa ndoshta disaditore, por me realizimin e këtij projekti, pastaj bizneset do të jenë përfituesit më të mëdhenj së bashku me qytetarët, për arsye se aty do të ketë hapësira moderne”, tha Berisha.

Për vonesat në Sheshin e Lidhjes, kanë reaguar edhe partitë opozitare në Prizren. Artan Abrashi nga Levizja “Vetëvendosje”, thotë se ky rasti paraqet papërgjegjësinë totale të Komunës së Prizrenit.

“Projekti është dashur të kryhet në shtator, mirëpo kaloi shtatori, po kalon edhe tetori dhe i vetmi arsyetim sipas zëdhënësit ka qenë moti i keq, bile ishte edhe festa e bajramit”, tha Abrashi.

Zëdhënësi Berisha, e pranon të ketë dhënë për arsyetim te vonesave festën e bajramit, por ai thotë ta këtë bërë këtë në një intervistë që kishte dhënë pikërisht në ditën e tretë të bajramit. Megjthatë, ai fton Abrashin e “Vetëvendosjes” që të krenohet me Sheshin e Lidhjes.

“Ne si komunë presim që me këtë projekt të krenohet edhe zoti Abrashi, por të krenohen edhe të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit”, tha zëdhënësi Berisha.

Ndërsa Nderim Gashi, i LDK-së thotë se përveç vonesave, ky projekt do të ketë probleme edhe kur të kryhet.

“Ekspertët tanë kanë thënë se projekti nuk përmban as kualitetin e shtruarjes së rrasave, këto janë një kategori shumë e dobët e këtyre rrasave, pastaj është dashtë të rregullohet edhe kanalizimi i ujërave të zeza gjë që nuk është bërë, për këtë pjesë të qytetit. Herëdokur, një qeveri tjetër që do të vijë pas kësaj, do të ketë për detyrë dhe prioritet që të rregullojë kanalizimin e ujërave të zeza”, tha Gashi.

Sa i përket rrjetit të kanalizimit, Berisha thotë se aty ka kanalizim dhe se komuna është duke realizuar edhe projektin e impiantit për mbledhjen e ujërave të zeza, i cili do të kalojë përskaj Lumbardhit dhe do të grumbullojë ujërat e zeza në të dy anët e lumit.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit në fund dha edhe një afat kohor për kryerjen e punimeve në Sheshin e Lidhjes.

“Orientimisht në qoftë se kushtet atmosferike dhe në qoftë se bajram s’kemi më deri në fundin e vitit, pak po ironizoj me ‘Vetëvendosjen’, sigurisht brenda këtij viti do të jetë ky projekt në pronësi të atyre që u dedikohet, në pronësi të qytetarëve”, tha Berisha./kallxo.com/

Më Shumë

Vdes veterani i UÇK-së nga Dragashi, Osman Shala

Ka vdekur veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dragashi, Osman Shala. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga bashkëluftëtarët e tij. “Sot...

Robin Krasniqi i çeliktë ndaj Jorge Silvas

Robin Krasniqi ka shënuar fitore ndaj boksierit portugez Jorge Silva, në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi triumfoi ndaj Silvas, me vendim të gjyqtarëve. Ai ishte më...

Lajmet e Fundit