8.2 C
Prizren
E mërkurë, 7 Janar, 2026

Ndërtimi i shumëkatëshes midis monumenteve në Prizren sërish në agjendë

Ndalimi i ndërtimit të shumëkatëshes midis monumenteve në zonën e ish-fabrikës së barnave “Farmakos” duket të mos jetë punë e kryer.

Qysh në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës e kishte vendosur që të mos lejonte ndërtimin kur kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që i hapte rrugë objektit disakatësh në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si “Internati”.

Në të njëjtën linjë kishte qenë edhe Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit kur kishte refuzuar kërkesën e investitorit. Por tash, ka marrë kahe tjetër. Pikërisht njëri prej objekteve në atë zonë, i njohur si “Ndërtesa austriake” gati një shekull e vjetër, pesë ditë më parë u dogj në themel.

Ekzekutivi komunal të enjten ka njoftuar se në fillim të këtij viti Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shfuqizuar aktvendimin e Drejtorisë së Urbanizmit që e fuqizonte ndalimin e ndërtimit. Për këtë Komuna e Prizrenit ka shprehur qëndrimin se do t’i shqyrtojë mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së.

Autoritetet lokale kanë publikuar një informatë për publikun lidhur me “projektin e kompleksit afarist-banesor në ish-fabrikën e ‘Farmakosit’ ku ka pasur djegie ditë më parë”. Aty është theksuar se “Komuna e Prizrenit nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka pranuar një kërkesë për projektin ideor të kompleksit afarist-banesor më 4.6.2018”.

“Kjo kërkesë është refuzuar nga vetë Drejtoria më 7.12.2018. Pas kësaj, pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 11.02.2019 e ka aprovuar ankesën e palës si të bazuar dhe me këtë rast e ka shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e detyruar të veprojë sipas kërkesës së palës dhe konform nenit 18 të Ligjit nr. 04/L-110 për ndërtim”, thuhet në informatën e cila e shpjegon në kronologji këtë rast.

Procedura ka vazhduar me dërgimin e lëndës në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila këtë lëndë ia ka përcjellë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Siç ka raportuar edhe gazeta, Instituti, në tetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ta aprovojë projektin ideor për kompleks afarist – banesor. Do të pasonte reagimi i organizatës “EC Ma Ndryshe”, me ç’rast këtë reagim e kishte bartur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Me anë të komisionit të saj për shqyrtimin e ankesave, MKRS-ja, në ditën e fundit të tetorit të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. “Më pas pason edhe aktvendimi i datës 22.11.2019 nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që e refuzon kërkesën e palës. Pala përsëri ka bërë ankesë ndaj këtij vendimi të Drejtorisë tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 10.01.2020 merr vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë”, thuhet në informatën e Komunës së Prizrenit.

Tutje theksohet se “më 8.2.2020 është shfaqur zjarri në parcelën fqinje ku parashihet ky projekt, ndërsa rreziku i përhapjes së mëtejmë të zjarrit është parandaluar nga Brigada e Zjarrfikësve në Prizren”.

“Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së”, përfundon informata e Komunës së Prizrenit.

Më Shumë

Prizren: Nëntë persona lëndohen nga fishekzjarret, një fëmijë humb gishtin

Përdorimi i mjeteve piroteknike në shumë raste bëhet në mënyrë të pakontrolluar, sidomos gjatë festës së Vitit të Ri. Nëntë persona pësuan lëndime si pasojë...

Raportohet për radhë të gjata në Vërmicë, shtetasit e Shqipërisë ua mësyjnë pikave turistike të Kosovës

Një fluks i lartë mjetesh, kryesisht me targa të Shqipërisë, është regjistruar gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në...

Lajmet e Fundit