17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Maskaradë manipuluesish

IMER MUSHKOLAJ

Prej Ramush Haradinajt te Edi Rama e Hashim Thaçi – të gjithë u bënë pjesë e një maskarade manipuluesish. Gjithçka u soll rreth dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, shtetit që dikush ia manipulon flamurin e kufirin, tjetri të ardhmen, e i treti dekoratat
Terren i përshtatshëm për manipulues deklaratash e veprimesh është treguar Kosova ditët e fundit. Gjithçka nisi me flamurin, me zëvendësimin e flamurit kuqezi Te Rrethi në Prishtinë me flamurin e Kosovës, në shënimin e përvjetorit të pavarësisë.

Diçka që do të duhej të jetë normale – që flamuri i Kosovës të valëvitej gjithandej, si flamur i shtetit të ri që po shënonte një dekadë jetë, u kthye në monedhë kusuritjeje të nacionalistëve e pseudonacionalistëve, folkloristëve e të tjerëve.

Manipulimi nisi nga kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, kur ai kërkoi zyrtarisht që flamuri verdhekaltër të zëvendësohej me atë kuqezi, për të kërkuar sërish zyrtarisht, pas festës, që ky i dyti të kthehet ku kishte qenë.

Kur kryeministri i vendit bën lojëra të tilla, çfarë mund të presësh prej qytetarëve të zakonshëm, të cilët bien lehtë pre e manipulimeve që bëhen veç me qëllim përfitimesh partiake e politike. Siç ranë pre e manipulimeve edhe me rastin e koncertit të Rita Orës, duke thënë se kostumi kuqezi i saj ishte përgjigje për të gjithë atë që përkrahën vendosjen e flamurit të Kosovës.

Të gjithë ata që po kërkojnë gjënë më normale të mundshme – vendosjen e flamurit të shtetit kudo, po vihen në shënjestër të kritikave e sulmeve verbale, duke u cilësuar madje edhe antikombëtarë. Të gjithë ata që po kërkojnë këtë janë të vetëdishëm se e kanë vetëm një shtet, Kosovën dhe duhet punuar ta forcojnë atë. Por, duket se këtë nuk dëshirojnë ta kuptojnë të tjerë që shtetin e Kosovës e shohin të përkohshëm, e shohin njëfarë krijese tranzite drejt bashkimit me Shqipërinë. Madje, edhe duke e mohuar, thua se është shtet i huaj.

* * *

Maskaradës së manipuluesve nuk i shpëtoi as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ai foli për një president të përbashkët, duke provuar të shesë në opinion edhe një fluskë mediatike, për çfarë njihet mirë.

Për president të përbashkët foli njeriu i cili, sikurse edhe homologu i tij në Kosovë, ka probleme serioze në qeverisje, në ndërtimin e një shteti të fortë ligjor, një ekonomie të zhvilluar e një perspektive të vërtetë europiane.

Për një president të përbashkët foli kryeministri i një shteti, i cili nuk ka arritur të krijojë treg të përbashkët me Kosovën, madje të dyja vendet kanë probleme serioze në çështjet më bazike, çfarë janë tarifat doganore ose lehtësimet tjera për import-eksportin e prodhimeve. Për president të përbashkët foli njeriu, shteti i të cilit vë pengesa madje edhe për eksportimin e patates kosovare në tregun e atjeshëm.

Natyrisht, deklaratat e këtij lloji mund t’i entuziazmojnë ata që dokrrat e tilla i kanë ushqim të përbashkët, edhe pse thellë në vete nuk iu besojnë. Tekefundit, më e lehta është të manipulohet me deklarata “kuqezi”, të ngacmohen ndjenjat e njerëzve që jetojnë në varfëri e trishtim.

Para se të bëjë deklarata të tilla, për të cilat më vonë u tha të jenë veç pjellë e imagjinatës, Edi Rama andej e Ramush Haradinaj këndej është mirë që të merren me problemet reale të qytetarëve, për çka edhe e kanë marrë besimin në zgjedhje. Është mirë të zgjidhin çështje thelbësore për t’ua lehtësuar jetën atyre. Por, natyrisht, më lehtë e kanë që të valëvisin flamujt kuqezi, sesa të provojnë t’iu japin zgjidhje pikave të zeza të shteteve që udhëheqin.

* * *

Maskaradë shkuar maskarade po del të jetë çështja e dekoratave të presidentit Hashim Thaçi me rastin e dekadës së parë të pavarësisë. Kur e pa se çdo ditë dekoratat e tij po refuzohen, madje edhe nga ish-bashkëpunëtorë të tij të afërt, Thaçi zgjodhi të bëjë një lojë të ndyrë. Pavarësisht se Presidenca kishte shpërndarë listën me emrat e të dekoruarve, Thaçi inatçor e hakmarrës tha se ajo listë ishte vetëm e personave të propozuar për t’u dekoruar.

Në këtë mënyrë, Thaçi vetëm sa e fundosi edhe më shumë kredibilitetin dhe integritetin e Institucionit të Presidentit, duke e vënë interesin personal mbi atë shtetëror. Ai më sa paku përfaqëson unitetin politik e shoqëror, gjë që i takon ta bëjë sipas përgjegjësive kushtetuese. Por, po ashtu, nuk është fort gjë e mençur të përpiqesh ta vësh në lajthitje një popull të tërë, duke manipuluar me dekorata. Duke gënjyer publikisht.

Siç nuk është fort gjë e mençur të provosh ta paraqesësh marrëveshjen e demarkacionit të vitit 2015 si marrëveshje të re. Ajo është e njëjta e nënshkruar nga Hashim Thaçi e Skënder Hyseni, kurse deklarata e të dy presidentëve është e ndarë. E dimë, krejt e dimë se nuk është ashtu siç po përpiqet të paraqitet. Por, të paktën ishte dashur të kursehen nga përpjekja për të manipuluar edhe më tej.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/maskarade-manipuluesish-502982/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Robert publikon një video me të dashurën e tij Ana Skrel, dyshja shfaqen duke u përqafuar derisa ai nuk i ndalë puthjet

Robert Berisha dhe Ana Skrel si duket kanë qenë së bashku në një event, kjo u kuptua pas një videoje që publikuan dyshja në...

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Lajmet e Fundit