17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Nën mëshirën e “hiçit”!

Taulant selmaniShkruan: Taulant Selmani

Në agun e mëngjesit të pashpresë, zgjohesh duke mos e ditur ç’ke për të bërë, kaplohesh nga ndjesi të paskrupullta dhe shtiresh sikur gjithçka është në rregull. Këtë kënaqësi ta ofron vendi ynë, i harruar nga fati, i përbuzur nga vet ne, i dremitur në mjegullinat ëndërrore, e i rraskapitur nga realiteti i brishtë!

Ajo që të ngulfatet e që të ndal frymën, t’i errëson sytë e të ngurtëson zemrën është të mos kesh guxim të shpresosh, të ndjehesh i humbur, të spërkatesh me ndjenjën e frikës, të të mohohet e drejta e lëvizjes, të jesh i burgosur kundrejt fjalës tënde, të ndjehesh i gjymtuar kundrejt ardhmërisë, të mos guxosh të shohësh jetën, të dremitesh në ëndrra në sirtar, të vetëkënaqesh me atë që jeta ta servon, të ecësh me symbyllur në rrugën tënde të pambarim, të zgjohesh i lodhur nga gjumi dhe të flesh i pushuar, të përplasesh me fatkeqësitë e realitetet, të mos kesh një botëkuptim tëndin, të varrosesh ardhmërinë tënde!

Aty ku nuk e di nëse rreziku të kanoset nga “mjekra” apo nga “kollarja”, aty ku po të mendosh ndryshe nga të tjerët je i krisur, aty ku nëse je kundër diçkaje je ekstremist, aty ku nëse përkrah diçka të venë në dyshim moralin, aty ku përqafohen “gjithckaja” dhe “asgjëja”!

Çdo hap që hedh, mund të të kthehet në “egjel”! Një e dalë në rrugë mund të të shoqërojë me plumba, një kalim i rrugës mund të të shoqërojë me pasoja për jetë, nga shpejtësia e katranosur e makinave, një mungese e mbrojtësve në rruge të kushton me jetë, nga shpejtësia e trenit! Dhe jo vetëm kaq! Shumë e shumë mizori të tjera, “në të bardhën” e “në të zezën”, duke u thirrur në gjëra “të shenjta”, e duke na verbuar karshi realitetit, karshi jetës!

A mos ndoshta edhe për këtë kanë faj institucionet?! Jo! Fajin e kemi vet ne, sepse presim të mirën të na vijë nga qielli, duke e ditur që është nën këmbët tona, që e kemi shkelur e përdhosur dhe që nuk po mund të gjejmë fijen e lëmshit tonë. Ne kemi faj që nuk po mund ta mbushim dot boshllëkun në zemrat e shpirtrat tonë, apo nëse e bëjmë një gjë të tillë, e mbushim me inat, mërzi, stres e injorancë. Shumë më e rrugës do të ishte që të gjenim zgjidhjen para fajtorit, të kapim të mirën para ligësisë, të përqafojmë mirësjelljen para injorancës, ta nxjerrim nga brenda butësinë dhe jo mllefin, të forcojmë zemrën dhe jo kokën, të shtrëngojmë duart dhe jo dhëmbët!

Të fillojmë së ndryshuari secili në mënyrën dhe mundësinë e vet, nga vetja, familja, miqtë, e në fund të ndryshojmë gjithë shoqërinë tonë, të mos ndjehemi inferiorë e të mos jemi të përbuzur nga të tjerët, të cilëve ne u mësuam kulturën dhe sot na përqeshin tonën. Të mbrojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë vetën dhe t’i hapim dyert vendit tonë, që të shohë botën!

Më Shumë

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Kuvendi i Prizrenit bart mbi 2 milionë euro në projekte për vitin 2024

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar sot bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake të rritura nga ato të planifikuara për vitin e kaluar. Shuma e...

Lajmet e Fundit